Terras e dënon ndërhyrjen “armiqësore e përshkallëzuese” të Serbisë në zgjedhjet lokale në Kosovë

4 Minuta Lexim

Raportuesi për Kosovën në Parlamentin Evropian, Riho Terras, ka thënë se e dënon “ashpër manipulimin dhe ndërhyrjen” e Serbisë në zgjedhjet lokale të vendit fqinj, duke i cilësuar ato si “armiqësore dhe përshkallëzuese”.

Në një shkrim në X të premten, dy ditë para zgjedhjeve lokale të së dielës në Kosovë, Terras tha se “ndikimi dhe ndërhyrja e drejtpërdrejtë e Serbisë në zgjedhje janë bërë sërish të qarta”.

“Zyrtarët e Qeverisë së Serbisë publikisht kanë shpallur mbështetjen e tyre për një parti të caktuar politike serbe të Kosovës, kanë shpallur zgjerimin e skemës së ndihmës sociale në Kosovë dhe kanë njoftuar për mundësi të reja të punësimit afatshkurtër në institucionet e drejtuara nga Serbia në Kosovë, në ditët para zgjedhjeve”, theksoi Terras.

Ai u bëri thirrje autoriteteve të Serbisë ta ndalin veprimtarinë e ndërhyrjes në zgjedhjet në Kosovë dhe t’i lejojnë qytetarët e Kosovës t’i zgjedhin në mënyrë demokratike përfaqësuesit e tyre lokalë.

“Veprimet e Serbisë kanë për qëllim të drejtpërdrejtë përshkallëzimin e situatës tashmë të ndjeshme në Kosovë dhe janë qartësisht armiqësore”, nënvizoi ai.

Zyrtarët serbë, përfshirë vetë presidentin serb Aleksandar Vuçiq, kanë bërë premtime për serbët e Kosovës në ditët para zgjedhjeve kosovare dhe u kanë bërë thirrje atyre ta mbështesin Listën Serbe – një parti që përkrahet drejtpërdrejt nga Beogradi.

Në këto zgjedhje garojnë edhe katër parti të tjera serbe, si dhe disa iniciativa qytetare, të cilat kanë kandidatë kryesisht në një komunë.

Vuçiq paralajmëroi më 5 tetor hapjen e konkursit për 400 vende të reja pune në fushën e shëndetësisë në Kosovë.

“Kjo është një gjë shumë e rëndësishme për Kosovën dhe ne do ta bëjmë këtë në dhjetë ditët e ardhshme, në mënyrë që njerëzit ta dinë… dhe ne gjithmonë do të kujdesemi për ta”, tha Vuçiq për televizionin Pink të Serbisë.

Më pas, më 6 tetor, ministri i Shëndetësisë i Serbisë, Zllatibor Llonçar, deklaroi se hapja e 400 vendeve të reja të punës është “një lajm që tregon përkushtimin e Serbisë për mbështetjen e popullit tonë dhe të sistemit shëndetësor në hapësirën e Kosovës”.

Më 7 tetor, drejtori i Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviq, i bëri thirrje komunitetit serb në Kosovë, si dhe personave të shpërngulur që kanë dokumente të Kosovës, të votojnë për Listën Serbe.

Ai tha se fitorja e Listës Serbe do të thotë vazhdim i projekteve infrastrukturore dhe ndihmës financiare nga Serbia, duke shtuar se Lista Serbe ka mbështetjen e plotë të presidentit Aleksandar Vuçiq dhe të shtetit serb.

Këto veprime të zyrtarëve serbë janë dënuar nga Kosova, liderët e së cilës, përfshirë presidenten Vjosa Osmani dhe kryeministrin në detyrë Albin Kurti, e kanë akuzuar Serbinë për ndërhyrje në zgjedhje.

Serbia u akuzua edhe për ndërhyrje në zgjedhjet e përgjithshme të shkurtit, dhe misioni vëzhgues i BE-së tha asokohe se Serbia kishte ndërhyrë në zgjedhje përmes trysnisë ndaj votuesve serbë në Kosovë.

Serbia u akuzua edhe nga Gjermania për ndërhyrje në zgjedhjet e 9 shkurtit në Kosovë.(REL)

Lajme të ngjashme

Shpërndaje këtë artikull