Klodian Braho ka marrë zyrtarisht detyrën si kreu i ri i Prokurorisë së Posaçme Antikorrupsion (SPAK). Në ceremoninë e marrjes së detyrës, ai mbajti edhe një fjalë të shkurtër për mediat.
Braho theksoi se misioni i tij do të jetë garantimi i zbatimit të ligjit dhe pavarësia e prokurorëve të posaçëm.
“Së pari shpreh falenderimin tim për KLP pë besimin. Marrja e detyrës më shumë se moment simbolik është angazhim për të respektuar kushtetutën e ligjit, për të mbrojtur pavarësinë e SPAK dhe forcuar më tej besimin e qytetarëve.
Falë mbështetjes së partnerëve ndërkombëtarë, SPAK po forcohet si strukturë solide e ndjekjes penale. Dëshiroj të vlerësoj parardhësit e mi, zotin Kraja dhe zotin Dumani.
Në ushtrimin e kësaj detyre, fokusi im do të mbetet forcimi i funksionimit të brendshëm, respektimi rigoroz i standarteve ligjore dhe garantimi i pavarësisës së prokurorëve të posaçëm në ushtrimin e detyrës.
BKH dhe sektori I hetimit financiar janë shtylla të rëndësishme të SPAK. Bashkëpunimi i ngushtë mes prokurorëve dhe hetuesve do të vijojë të forcohet duke synuar hetime më cilësore dhe rezultate konkrete. Institucioni do të vazhdojë të komunikojë me median e publikun duke respektuar kornizën ligjore.”, u shpreh Braho.

