Sanksionet e SHBA ndaj zyrtarëve europianë, reagon Franca: E papranueshme

2 Minuta Lexim

Franca ka reaguar ashpër ndaj vendimit të administratës amerikane për të vendosur ndalim vizash ndaj Thierry Breton, ish-komisioner i Bashkimit Evropian dhe një nga arkitektët e Aktit të Shërbimeve Digjitale (DSA).

Washingtoni e akuzon BE-në se po kufizon lirinë e shprehjes dhe po synon padrejtësisht gjigantët amerikanë të teknologjisë.

Ministri i Jashtëm francez Jean-Noel Barrot tha se ligji është miratuar në mënyrë demokratike dhe “nuk ka shtrirje jashtë territorit, duke mos prekur SHBA-të”. Ai e cilësoi vendimin si të papranueshëm.

“Franca dënon fuqishëm kufizimin e vizës të vendosur nga Shtetet e Bashkuara ndaj Thierry Breton, ish-ministër dhe Komisioner Evropian, dhe katër figurave të tjera evropiane,” shkroi ai, citon Reuters.

“Popujt e Evropës janë të lirë dhe sovranë dhe nuk mund të lejojnë që rregullat që qeverisin hapësirën e tyre digjitale t’u imponohen nga të tjerët.”

Vetë Breton, një ish-ministër i Financave i Francës, reagoi duke e krahasuar vendimin me “gjuetinë e shtrigave të Mwarthy-t”. Ai kujtoi se DSA është miratuar nga 90% e Parlamentit Evropian dhe të gjitha 27 shtetet anëtare.

Gjermania gjithashtu e quajti ndalimin e vizave për aktivistët e saj “të papranueshëm”, duke theksuar se rregullat e hapësirës digjitale në Evropë nuk vendosen në Washington.

Ky vendim vjen në një kohë kur tensionet mes SHBA-ve dhe BE-së po rriten mbi çështje si liria e shprehjes, tregtia dhe lufta në Ukrainë.

Administrata Trump vendosi këtë të martën të ndalonte vizat për Breton-in, një nga arkitektët e Aktit të Shërbimeve Digjitale të BE-së (DSA), dhe ndaj disa aktivistëve kundër dezinformimit, të cilët sipas saj kanë qenë të përfshirë në censurimin e platformave amerikane të rrjeteve sociale.

Ndalimet e vizave theksojnë divergjencat në rritje mes Washington-it dhe disa kryeqyteteve evropiane mbi çështje si liria e shprehjes, mbrojtja, emigracioni, politika e ekstremit të djathtë, tregtia dhe lufta Rusi-Ukrainë.

Lajme të ngjashme

Shpërndaje këtë artikull