Nga Çapajev Gjokutaj-
Tre katër netë të shkuara, ndërkohë që po rishikoja Amarcord të Fellinit, nisën të më kujtoheshin personazhe, pamje dhe episode nga Kronikë në Gur e Kadaresë. Nuk ishte hera e parë që më binte në sy kjo ngjashmëri, por këtë herë dukej se ishte më e gjallë, më ngacmuese.
Mbase ndikonte fakti që disa orë më parë kisha kërkuar në rrjet të shihja reagimet ndaj një pohim publik, bërë në një reality show të ndjekur: Kadare nuk e meriton gjithë atë sukses që ka. Reagimet e rrjetit përcillnin tifozllëk të çartur pro dhe kundra Kadaresë, por nuk hasa qofëtë edhe një të vetëm të fliste për vlera a mangësi të veprës.
Ngjashmëritë mes ‘Amarcord’ dhe ‘Kronikë në gur’ janë të shumta: ton autobiografik, strukturë episodike, këndvështrimi i fëmijës apo adoleshentit, nostalgjia e përzier me grotesk e poezi etj. Të gjitha këto elementë i gjen si tek Fellini, ashtu edhe tek Kadareja.
Ngjashmëritë janë aq të forta, sa mund të hamendësoje se kemi të bëjmë me ndikim të njerit krijues mbi tjetrin, të njerës vepër mbi tjetrën.Por kjo hamendje bie poshtë, mjafton të hysh në Gooogle dhe të gjesh se Amarcord është i vitit 1973, ndërkohë që Kronikë në Gur ishte botuar dy vjet më parë, madje ishte shfaqur si embrion për publikun shqiptar qysh në novelën Qyteti i Jugut botuar më 1967.
Me gjasë, ngjashmëritë burojnë nga diçka më e thellë: nga fakti se të dyja veprat, duke mbetur besnike përvojave individuale të autorëve dhe koloritit lokal të Riminit dhe Gjirokastrës, i kanë njomur buzët në burime ndërkombtare madje edhe universale. Këto të fundit lidhen njëkohësisht sa me elementë psikologjikë pan-njerëzor aq edhe me thesaret e përbotshme të artit. Kjo me sa duket është arsyeja që, edhe pse të lindura në kontekste të ndryshme, ato flasin me gjuhë të ngjajshme.
Nga njëra anë, kemi të vërtetat psikologjike gjithkohore: mallin për fëmijërinë e humbur, kontrastin mes pafajësisë dhe dhunës së historisë, të qeshurën si mbrojtje ndaj frikës, ambivalencën e kujtesës që është njëkohësisht e ëmbël dhe e hidhur. Këto përjetime nuk mbeten në faqen e librit apo në ekranin e filmit por, duke patur natyrë universale, rezonojnë me lexuesin e shikuesin e çdo vendi e kohe.
Nga ana tjetër, kemi mjetet estetike që i përkasin arsenalit botëror: pranëvenia e kundërtave, karakteri episodik si formë narrative universale, qyteti si metaforë e kombit dhe e fatit historik, grotesku si gjuhë universale e absurditetit. Këto instrumenta kanë fituar “qytetari” ndërkombëtare dhe janë të perceptueshme përtej kufijve kulturorë. Fellini dhe Kadareja i përdorin me mjeshtëri duke i lidhur me përvojat e tyre personale dhe duke i harmonizuar me ngjyrat dhe shpirtin lokal e të papërsëritshëm të qyteteve ku u lindën dhe u rritën, paçka se njeri thellësisht italjan dhe tjetri shqiptar deri në qelizë.
Ngjashmëritë mes Amarcord dhe Kronikës nuk janë rastësi intertekstuale, por shenjë e një universi të përbashkët artistik. Kadareja, si Fellini, arrin të japë një vepër që është njëkohësisht lokale dhe universale, autobiografike dhe kolektive, nostalgjike dhe groteske. Kjo është pasaporta ndërkombëtare e Kadaresë: një dokument estetik që e bën të pranishëm në letërsinë botërore, sepse kujtesa e tij flet me gjuhën e përjetimeve dhe instrumenteve që i përkasin sa psikologjisë pannjerëzore aq edhe arsenalit artistik universal, ndaj nuk njohin kufij.
Po ngjajshmëritë nuk kufizohen me Amarcord. “Kadarenë, shkruante John Updike qysh në vitin 1988, e kanë krahasuar me Gabriel García Márquez dhe të dy shkrimtarët shkruajnë për qytete që ende vezullojnë me magji; qyteti i paemër malor i Kadaresë, pa dyshim, i bazuar në qytetin e tij të lindjes, Gjirokastrën, duket më pak tekanjoz se Makondoja i García Márquez-it, më pak i zhytur në surrealizëm” Dhe më tej shtonte se qyteti i gurtë i Kadaresë paraqitet si një analogji bindëse e fëmijërisë së çdokujt.
Mund të vazhdosh gjatë me paralele të tilla po do të ishte si të rrihje ujë në havan, tifozllëku provincial nuk do argumenta, i mjaftojnë brohoritjet dhe sharjet.

