Shkreli: Po shënojmë fundin e leximit linear, jo dështimin e lexuesit modern

27 Minuta Lexim

Anna Shkreli flet për krizën e leximit dhe letërsinë e pambështetur shqipe.

Përkundër zhvillimit teknologjik dhe përshpejtimit të ritmit të jetës nga politikat neoliberale, libri vazhdon të mbetet institucion i përkufizimit dhe transmetimit të dijes. Në libër, mendimi mund të trajtohet më gjatë, më ngadalë dhe të marrë frymë më lirshëm sesa në përkufizimet e shkurta të postimeve në rrjetet sociale dhe analizave të shpejta në emisionet televizive.

Megjithatë, shumë aspekte qenësore për kultivimin e jetës së librit vazhdojnë të jenë sfiduese,  përfshirë edhe humbjen e rëndësisë së letërsisë në jetën e përditshme të njerëzve, apo investimet e pamjaftueshme publike në kulturë. Me këto sfida po përballen edhe kultivuesit e librave në gjuhën shqipe.

Sipas drejtueses dhe themelueses së shtëpisë botuese “Berk”, Anna Shkreli, letërsisë shqipe i mungon mbështetja dhe financimi. Botimet në gjuhën shqipe, sipas saj, mbijetojnë kryesisht përmes granteve nga jashtë, gjë që e varfëron skenën letrare shqiptare.

Shkreli është botuese dhe punëtore kulturore shqiptare. E lindur në Bolonja të Italisë, ajo ka studiuar për letërsi dhe trashëgimi kulturore dhe më pas ka përfunduar një master në Studimet e Publikimit dhe Redaktimit në “City”, Universitetin e Londrës. Para se të kthehej në Shqipëri, ajo punoi në Londër në fushën e botimeve, përfshirë edhe te kompania e botimeve “Pan Macmillan”. Më vonë, ajo ka punuar si redaktore, konsulente komunikimi dhe eksperte letrare për projekte kulturore e muzeografike. Përvoja e saj profesionale ndërthur botimin, punën me trashëgiminë kulturore dhe zhvillimin e strategjive edukative e kulturore.

Në vitin 2020 ajo themeloi “Berk”, shtëpinë botuese dhe qendrën kulturore të vendosur në shtëpinë e restauruar të familjes së saj, në rrugën “Him Kolli” në Tiranë. Shkreli e konceptoi “Berk” si diçka më shumë sesa thjesht një shtëpi botuese; si një hapësirë fizike dhe intelektuale, që përqendrohet te librat, kujtesa, historia urbane dhe jeta komunitare. “Berk” përqendrohet më tepër tek shqipërimi i veprave joletrare të një game të gjerë fushash, si gjuhësi, histori, arkitekturë, filozofi e disiplina të tjera, duke u shndërruar në një prej autoriteteve kryesore të librit në Tiranë, brenda një periudhe të shkurtër.

Librat e botuara nga “Berk” shpesh përfshijnë tituj dhe autorë të pazakontë për publikun shqiptar, siç është filozofi koreano-jugor Byung-Chul Han, me veprën “Shoqëria e Sfilitur”, apo “Vdekja aksidentale e një anarkisti” nga Dario Fo. Po ashtu, shtëpia botuese koncentrohet edhe në botimin e veprave që trajtojnë Shqipërinë nga pikëpamje të ndryshme, siç janë “Një varrim për çdo regjim” nga Klejd Këlliqi apo “Korça – Urbanistika dhe arkitektura” nga Pirro Thomo.

K2.0 bisedoi me Shkrelin për vendin e letërsisë në jetën e një shoqërie, vendin e panairit të librit në jetën kulturore të Tiranës, si dhe “krizën e leximit” në dinamikën e jetës bashkëkohore.

K2.0: Si është gjendja e letërsisë në Shqipëri?

Anna Shkreli: Letërsia në Shqipëri vazhdon të mbetet e pambështetur. Financimet janë të pakta dhe këtu nuk e kam fjalën vetëm për fondet e botimit, por para së gjithash për mungesën e investimit te njerëzit. Së pari, mungon investimi te lexuesit, në kuptimin e krijimit ose rigjallërimit të një parainfrastrukture kulturore, si klube librash, grupe teatri, debati, nisma artistike në komunitet. Komunikimi me bibliotekat publike dhe me libraritë e lagjeve është i cunguar, shpesh i rastësishëm, duke mos krijuar as kontinuitet dhe as dialog.

Së dyti, mungon investimi te formimi cilësor i shkrimtarëve të rinj premtues. Këtu nënkuptoj mbështetje të mirëfilltë bursash studimore, që u japin atyre mundësinë të punojnë me veten, të studiojnë, të ndjekin shkolla të mira krijimtarie ose programe të specializuara. Dikur, Shqipëria dërgonte shkrimtarët e talentuar në Institutin “Maxim Gorki” – një prej shkollave më të mira për letërsi në botën sovjetike. Kjo zgjedhje e atëhershme mund të justifikohet në mënyra të ndryshme ideologjikisht,  por mekanizmi nuk është i gabuar.

Sot, talentet tona janë shumë pak, në mos aspak të mbështetura. Letërsia nuk zhvillohet duke u marrë me librat si objekte, por duke investuar te njerëzit, te lexuesit dhe te shkrimtarët.

Me botime keni punuar edhe në Angli te shtëpia botuese “Pan Macmillan”. Çfarë keni dalluar në mes të mënyrës se si e trajtojnë letërsinë të dy shoqëritë?

Kjo është pyetje shumë komplekse. Kur i referohemi letërsisë angleze, flasim për një politikë që ka kolonizuar kulturalisht botën, dhe jo vetëm. Kështu, qasja që një shoqëri ka ndaj letërsisë lidhet me vetë zhvillimin letrar – dhe gjuhësor – të shoqërisë në fjalë. Rrugëtimi i letërsisë së dy vendeve është shumë i ndryshëm, ndaj dhe shoqëria me institucionet e saj do t’i qaset ndryshe.

Dallimi themelor qëndron në motivin dhe vazhdimësinë historike. Letërsia angleze shfaqet e pandërprerë në kohë, dhe përmes vazhdimësisë ka eksploruar forma dhe tematika për më shumë se një mijëvjeçar, ku epokat pasardhëse, si Romantizmi, Viktorianizmi apo Modernizmi, vijnë natyrshëm ndaj asaj paraardhëse, përmes një procesi estetik dhe filozofik: Rilindja lindi dramën, Neo-Klasicizmi solli rendin dhe Romantizmi u rebelua me emocionin. Secila prej tyre ishte një hap logjik në zhvillimin e brendshëm të artit letrar dhe gjuhës. Ky proces e ka lejuar letërsinë angleze të fokusohet kryesisht në eksplorimin e psikologjisë individuale, natyrës njerëzore dhe inovacionin formal.

Nuk mendoj se sot letërsia shqipe ka rëndësi në jetën e shqiptarëve.

Në të kundërtën, zhvillimi i letërsisë shqiptare përbën një histori të ndërprerë dhe të përcaktuar nga sfidat e ekzistencës kombëtare; ajo nuk ka pasur luksin e një zhvillimi “për artin e artit”, por ka qenë, në çdo moment kritik, e lidhur me fatet politike. Periudhat e saj më të rëndësishme, si për shembull Rilindja Kombëtare, nuk lindin si lëvizje estetike, por instrumente jetike politiko-kulturore për ndërtimin e identitetit, fiksimin e gjuhës dhe dëshminë e ekzistencës kombëtare. Edhe në planprogramet shkollore të Shqipërisë mendoj se letërsia ende sot studiohet mjaft e lidhur me koncepte të nacionalizmit. Historia pastaj dikton dhe qasjet, madhësinë e tregut, forcën blerëse dhe së fundmi sa rëndësi ka ajo në jetën e individit. Nuk mendoj se sot letërsia shqip ka rëndësi në jetën e shqiptarëve.

Si mendoni që krijohet letërsia e një shoqërie?

Një nga mendimtarët dhe kritikët që parapëlqej më së shumti është Roberto Calasso, një lloj redaktori i kohëve të shkuara. Dëshiroj të marr këtu tri pikëpamjet e tij kryesore mbi marrëdhënien mes shoqërisë dhe letërsisë, parë në rrjedhën historike. Sipas Calassos, shoqëria nuk funksionon si një entitet që një ditë vendos të “prodhojë” letërsi, por se shoqëria vetë merr formë dhe shpesh udhëhiqet nga rrëfimet që tregon, edhe pse në mënyrë të pavetëdijshme. Teza e tij, që unë e preferoj, thekson se narracioni i paraprin formës shoqërore, ajo që mban së bashku jetën njerëzore. Jo institucionet, por “teksturat” e miteve, tregimeve dhe skenave shembullore që qarkullojnë në një kulturë. Letërsia është vendi ku këto tekstura bëhen të dukshme, ku përpunohen, artikulohen dhe trashëgohen. Në këtë kuptim, shoqëria nuk e prodhon letërsinë në mënyrë mekanike, përkundrazi, letërsia përbën sfondin e padukshëm prej nga një shoqëri nxjerr koherencën e saj.

Në librin “Letërsia dhe Zotat”, botuar në shqip nga [shtëpia botuese] “Aleph”, Calasso përshkruan sesi shoqëritë moderne evropiane, pasi humbën besimin në kultet tradicionale, e zhvendosën të shenjtën në letërsi. Figurat, pasionet dhe forcat dikur të mishëruara nga perënditë, rikthehen në poezi, romane dhe ese. Për të, një shoqëri krijon letërsi pikërisht atëherë kur ka ende nevojë për mite, por nuk ka më tempuj, kur hyjnorja, e përjashtuar nga adhurimi kolektiv, rishfaqet si formë estetike.

Për të ardhur sërish në kohën tonë, mendoj se në logjikën neoliberale, ku merr vlerë vetëm ajo që shfrytëzohet për të akumuluar akoma më shumë kapital, duke e zhveshur botën nga e magjishmja dhe e panjohura, letërsia trajtohet thjesht si dokument shoqëror, si propagandë ose si instrument moralizues, ajo humb kontaktin me regjistrin e mitit dhe metamorfozës, ku qëndron fuqia e saj e vërtetë. Në këtë kuptim, shoqëritë e tilla e ndikojnë letërsinë negativisht, duke e zvogëluar atë në utilitet, në vend që t’i lejojnë hapësirën e saj të zbulesës imagjinative dhe metafizike.

Akademiku Mehmet Kraja ka shkruar që kritika letrare shihet si “gjini letrare në shërbim”, dhe jo si gjykim për të. Çfarë mendoni për këtë dhe, sa e zhvilluar është kritika letrare në Shqipëri?

Edhe pse ekzistojnë kritikë e studiues me formim të mirë, mungon një ekosistem i qëndrueshëm që të krijojë vazhdimësi. Universitetet prodhojnë kryesisht studime historike dhe filologjike, ndërsa debati teorik, qasjet bashkëkohore dhe ndërhyrjet analitike mbi letërsinë aktuale janë të rralla. Media nuk ofron më hapësira serioze për recensione apo ese kritike. Revistat kulturore, një traditë e mrekullueshme e Shqipërisë post-socialiste, thuajse janë zhdukur, mbeten vetëm disa nisma pasioni, ndërsa hapësirat publike për diskutimin e letërsisë janë tkurrur. Në mungesë të platformave, kritikët veprojnë individualisht, pa mundësinë për të krijuar një “shkollë”. Mendoj se ndikon shumë dhe momenti politik, që ka krijuar një klimë heshtjeje. Nëse je detyruar të heshtësh për një sërë çështjesh jetike dhe politike, atëherë mbase, padashje, e ke humbur dhe besimin se ballafaqimi ideor ka më ndonjë lloj vlere, e kjo pastaj përhapet në çdo sferë.

Kjo situatë shoqërohet me mungesën e mbështetjes financiare dhe kulturore, e cila e bën kritikën një aktivitet pa stimul profesional. Letërsia bashkëkohore shqiptare mbetet shpesh pa vlerësim analitik, pa kontekst teorik dhe pa dialog me zhvillimet ndërkombëtare, çka e varfëron vetë skenën letrare.

Ju drejtoni shtëpinë botuese “Berk”. Keni thënë në një intervistë që puna me botimet shpesh ju bën të mendoni nëse krejt angazhimi rreth librit është vanitet, në kuptim të kotësisë. Cilat janë vështirësitë më të mëdha në punën me botimet?

Duhet të jem e sinqertë, nuk e mendoj gjithmonë këtë. E mendoj në ditët e këqija, por ka ditë që mendoj se kemi lexues, dhe fakti që lexojnë, tregon se zëri ynë merr përgjigje, dhe se ne i përgjigjemi zërit që dëgjojmë. Pra dialogu është aty, i zbehtë, por është aty. Vështirësia më e madhe në punën me botimet mbetet tregu i ngushtë. Numri i lexuesve është i kufizuar, një pjesë e madhe e të rinjve, që duhet ta mbanin debatin shoqëror, është larguar nga vendi, infrastruktura e librit është thuajse e shpërbërë dhe komunikimi me Kosovën, që mund të ishte natyrshëm një treg i përbashkët kulturor, vazhdon të jetë i vështirë dhe i pasistemuar. Mbi të gjitha, shkolla shqiptare na ka lënë në baltë sa i përket edukimit kulturor.

Në këto kushte, fusha e botimeve mbijeton kryesisht përmes granteve të huaja, të lidhura me politikat dhe diplomacitë kulturore të vendeve që i ofrojnë. Kjo na lejon të ecim përpara, por tregon edhe një boshllëk të madh: mungesën e një mbështetjeje të brendshme, të qëndrueshme, që do t’i jepte mendimit shqip vendin që meriton.

Në nëntor u mbajt panairi i librit në Tiranë, ku morët pjesë edhe ju me shtëpinë botuese “Berk”. Çfarë mendon kur je në panair? Në kuptimin, çfarë dallon te lexuesit, shtëpitë botuese dhe organizimi në përgjithësi?

Këtë vit kam pasur një qasje disi nostalgjike për ngjarjen, teksa isha brenda saj. Ndoshta kjo lidhet me lajmin se Pallati i Kongreseve do t’i nënshtrohet një shndërrimi thelbësor që parashikon të integruar me të një kullë 20 katëshe private, në atë që deri më sot kanë qenë hapësirat e tij publike. Ky proces do ta bëjë të pamundur mbajtjen e Panairit të Librit vitin e ardhshëm në të njëjtin vend. Ndryshimi i vendndodhjes do të jetë ndryshimi më i madh pas gati tri dekadash. Që nga edicioni i parë, i cili, nëse nuk gaboj, u mbajt te Piramida, Panairi i Librit ka gjetur përherë strehë në këtë hapësirë, e cila, me gjithë mungesat e saj, është shndërruar në një pikë referimi në memorien kolektive. Kjo atmosferë vetjake emocionale më shtyu të reflektoj mbi faktin se Panairi i Librit është tashmë 28 vjeç, thuajse sa vetë Shqipëria pluraliste, dhe se, paradoksalisht, është institucion më i qëndrueshëm se vetë Ministria jonë e Kulturës, e cila ndër vite është përfshirë në “martesa” të çuditshme me inovacionin, ekonominë, turizmin, sportin, çka e ka lënë në krizë identiteti.

Në një vend me tradita kulturore jetëshkurtra, me festivale teatrore që mbyllen papritur dhe bienale që nuk mbahen më, Panairi ka mbijetuar kryesisht falë kureshtjes intelektuale të qytetarëve, të cilët nuk e kanë braktisur dhe e kanë kthyer vetë në ngjarjen më gjithëpërfshirëse kulturore të Shqipërisë. Një hapësirë ku takohen të gjithë, ndryshe nga një skenë arti vendase që ka prirje më elitiste. Në një peizazh kulturor të varfër, ku njerëzit shpesh hezitojnë të marrin pjesë në takime kulturore, fakti që panairi mbetet i populluar ka vlerë. Ndokush mund të thotë se aty nuk ka ndonjë pikëtakim kulture por veç tregti, çka përmban vërtetësi. Për fat të keq, tregtia është tipari kryesor që spikat, pavarësisht se në Panair faktikisht ka shkëmbim mes njerëzve të sektorit. Thjesht këto takime nuk ndodhin në mënyrë publike, por në nivel personal, nëpër stenda. Ndoshta ndryshimi i vendit do të sjellë një riorganizim të domosdoshëm, që shpresoj të jetë në të mirë.

Mendoj se ky është momenti që ne, si punëtorë të kulturës, duhet të dëgjojmë dhe kuptojmë, për të qenë gati t’i ofrojmë kësaj audience të re ato për të cilat kanë nevojë, përgjigje për shqetësimet e gjeneratës së tyre.

Këtë vit pata gjithashtu përshtypjen e një ndërrimi gjeneracional. Pashë shumë të rinj, më shumë se më parë dhe kjo më gëzoi. Mendoj se ky është momenti që ne, si punëtorë të kulturës, duhet të dëgjojmë dhe kuptojmë, për të qenë gati t’i ofrojmë kësaj audience të re ato për të cilat kanë nevojë, përgjigje për shqetësimet e gjeneratës së tyre. Fatkeqësisht, jo gjithmonë ia dalim, jo vetëm nga ngadalësia e tregut, por edhe nga mungesa e kapaciteteve.

Një pjesë e librave të botuar këtë vit më janë dukur më shumë si produkte tregtare, si “merchandising” (në shqip: promovim i produkteve), sesa si letërsi, literaturë a eseistikë e mirëfilltë. Nuk jam e sigurt sa do t’i mbijetojnë këto forma editoriale zhvillimeve të reja teknologjike. Po ashtu, duhet promovuar dhe paguar më mirë përkthyesi, sepse vetëm kënaqësia e një shqipeje të bukur mund ta zbus sadopak prirjen gjithnjë në rritje për të lexuar drejtpërdrejt në anglisht.

Më ka bërë përshtypje që keni thënë se panairit i jepet më shumë rëndësi se që duhet, pra koncentrohet vëmendja e rëndësisë së të lexuarit dhe shitjes së librit në pak ditë, duke bërë që në ditët tjera të vitit libri të mos duket shumë i rëndësishëm. 

Mendoj se, si në nivel mediatik, ashtu edhe në atë shoqëror, Panairit i jepet një rëndësi e tepërt, që në fakt nxjerr në pah varfërinë e temave kulturore gjatë ditëve të tjera të vitit. Shembulli më i dukshëm është rendja e disa botuesve për të nxjerrë librat e rinj pikërisht në ditët e panairit, një praktikë që nuk më ka pëlqyer kurrë. Ne [te Berk], për shembull, kemi një plan editorial që synon ta mbajë gjallë diskutimin gjatë gjithë vitit, duke përfshirë lexuesit në reflektime mbi librat. Ndërkohë, “mainstream media” (në shqip: mediat kryesore), përqendrohen në mënyrë fiksuese rreth temës së edukimit kulturor vetëm gjatë kësaj jave, sikur të ishte një detyrë që duhet përmbushur një herë në vit. Pastaj, po e njëjta media pa teklif vazhdon të promovojë për pjesën tjetër të vitit të njëjtën logjikë dhune, të konfliktit dhe të mendimit binar, pikërisht ato fenomene që mendimi kritik dhe edukimi kulturor përpiqen t’i zhbëjnë.

Kjo dinamikë e kthen Panairin në një misanscene, (në shqip: kompozim skenik) – një akt performativ vjetor, një karnival, një rit shoqëror pastërtie, pas të cilit gjithçka kthehet sërish në normalitet, sikur të mos ketë ndodhur asgjë. Vëmendja fiksuese [nga mediat] që i kushtohet këtij aktiviteti ekspozon më qartë mungesën e një diskutimi të qëndrueshëm dhe të sinqertë gjatë pjesës tjetër të vitit. Në këtë kuptim kam thënë se Panairi merr më shumë peshë nga sa duhet dhe, me një lloj ironie, bëhet vetë dëshmia më e fortë e kësaj misanscene.

Në një intervistë që kisha bërë me shkrimtaren Ledia Xhoga, ajo kishte ngritur dyshime mbi konceptin e “fituesit” kur bëhet fjalë për letërsinë, në kontekst të nominimit për çmimin Booker Prize. Ju si e shihni këtë – a ka garë dhe fitues në letërsi?

E kam pyetur shpesh veten për vlerën reale të çmimeve letrare dhe për logjikën konkurruese mbi të cilën ato ndërtohen, një logjikë që, në thelb, i përket një rendi patriarkal me hierarki të ngurta, që prodhon piramida pushteti e prestigji. Kjo logjikë njeh dhe shpërblen në bazë të kategorive dhe strukturave të krijuara historikisht nga pozita kulturore suprematiste. Brenda këtij kuadri, ideja e vendosjes së pesë veprave në konkurrim të drejtpërdrejtë nuk më bind plotësisht, megjithatë, e kuptoj se çmimet funksionojnë edhe si mekanizëm promovimi i letërsisë së mirë dhe si një mënyrë për t’i dhënë vëmendje autorëve cilësorë.

Por pyetja ime e vërtetë nis gjithmonë pas çmimit: “çfarë ndodh më pas?” Nëse çmimi shërben si pikënisje, si nxitje për një investim të mëtejshëm në autorin, si mundësi për të riformuluar narrativën, për të dekodifikuar konstrukte, për t’i dhënë një vend në mendimin publik, atëherë ai mund të prodhojë vlerë shoqërore. Nëse, përkundrazi, çmimi trajtohet si pikëmbërritje, thjesht si një konkurs që përfundon me një fitues, atëherë ai ripërcakton struktura pushteti.

Kam menduar shpesh për atë që e quajmë “kriza e leximit”. Lexova së fundi një shkrim nga Sadedin Mezuraj mbi “Betejën për lexuesin” tek Peizazhe të Fjalës, ku autori argumentonte që format e leximit vetëm janë riformatuar. A ka krizë të leximit në shoqëritë tona? Apo edhe në përgjithësi në botë?

Pyetja “a ka krizë të leximit?” është bërë thuajse një mit bashkëkohor. Nëse mendojmë për leximin e librit të shtypur, të teksteve formuese që zhvillojnë përqëndrimin, mendimin kritik, durimin dhe thellësinë e reflektimit, po, ka një rënie të dukshme pothuajse kudo në botë. Por, po ta shohim në kuptimin më të gjerë të “leximit” si informim, si proces i vazhdueshëm përthithjeje të tekstit në forma të ndryshme digjitale, njerëzit sot lexojnë më shumë se kurrë, thjesht në mënyra të shpejta, të shpërndara dhe të çrregullta. Dëshiroj të rekomandoj këtu një libër i cili, ndër të tjera, merret dhe me këtë temë: “The Gutenberg Parenthesis [nga Jeff Jarvis]”. Ideja e “krizës së leximit” është pjesë e asaj që [Thomas] Pettitt e quan “paranteza e Gutenbergut”, një periudhë jashtë të zakonshmes, në historinë njerëzore, ku kultura, duke u organizuar rreth librit të shtypur, u organizua detyrimisht rreth linearitetit, përqendrimit dhe autoritetit të tekstit. Sipas këtij mendimi, periudha e librit të shtypur, rreth shek. XVI–XX, përbën një përjashtim historik, një parantezë: përpara saj, kultura ishte kryesisht orale, e shpërndarë, dialogjike dhe jo-lineare.

Kjo gjendje që ne e quajmë “krizë” mund të shihet pikërisht si fundi i një epoke të veçantë të kulturës tekstuale, dhe jo si dështim i lexuesit modern.

Tashmë, me epokën digjitale, në këtë kuptim, po rikthehemi në një kulturë që i ngjan shumë më tepër botës para-Gutenbergut, sesa asaj moderne. Si rrjedhojë “kriza e leximit” nuk është thjesht rënie e leximit, por mbyllje e ngadalshme e kësaj paranteze. Njerëzit sot lexojnë në mënyra të fragmentuara, të ndërprera, ashtu si lexonte dhe dëgjonte njeriu mesjetar, në hapësira të përbashkëta informacioni, jo në izolim tekstual. Leximi i gjatë dhe i thellë, tipi i leximit që lulëzoi në epokën e librit fizik, bie, ndërsa lulëzon leximi i shpejtë, i rrjedhshëm, nga burime të ndryshme. Kjo gjendje që ne e quajmë “krizë” mund të shihet pikërisht si fundi i një epoke të veçantë të kulturës tekstuale, dhe jo si dështim i lexuesit modern.

Kam përshtypjen që në shoqëritë në të cilat mungon kultura e leximit, ndodh njëfarë procesi i romantizimit të librit; ai vlerësohet më shumë për shkak të mungesës së përdorimit. Në anën tjetër, libri edhe përçmohet si medium i tejkaluar në kontekstin e zhvillimit teknologjik dhe jetës së shpejtë. Si të gjendet një mes ku libri normalizohet dhe bëhet pjesë e përditshmërisë?

Nuk mendoj se libri humb vlerë nga zhvillimet teknologjike, përkundrazi, vlera e tij bëhet më e qartë pikërisht në një botë të përshpejtuar dhe të mbingarkuar me informacion. Libri mbetet aktual në masën që ne ruajmë aftësinë për t’u shkëputur nga zhurma dhe për të parë përtej, në botën e ideve, jashtë banalitetit të përditshmërisë.

“Rinormalizimi i librit” nuk mund të vijë kurrsesi prej romantizimit të tij si objekt i humbur, por nga ngritja e sërishme e kontekstit të leximit. Një shoqëri që prodhon, shpërndan dhe diskuton libra, një shoqëri që edukon kulturën e vëmendjes, ku libraritë janë hapësira të bisedës dhe bibliotekat janë institucione të gjalla të temave të vështira, krijon kushtet që libri të bëhet pjesë e përditshmërisë..

Në këtë kuptim, libri nuk rigjen vendin e tij duke u trajtuar si simbol kulturor, por duke u futur natyrshëm në jetën e përditshme të njerëzve, si mjet reflektimi, si mënyrë e të menduarit dhe si rit i brendshëm. Roberto Calasso për shembull, na sugjeron se libri bëhet pjesë e jetës kur nuk e adhuron askush, kur ai përdoret jo si shenjë prestigji, por si hapësirë e domosdoshme e mendimit njerëzor.

Imazhi i ballinës: Atdhe Mulla/ K2.0

Ky artikull është redaktuar për gjatësi dhe qartësi. 

Lajme të ngjashme

Shpërndaje këtë artikull