‘Kurrë më nën ligjin e Beogradit’, Rama: Kërkesa e Serbisë për të futur ushtrinë në Kosovë, sikur shqiptarët të donin të hynin në Preshevë

4 Minuta Lexim

Kryeministri Edi Ramën, në darkën me përfaqësues diplomatik në Tiranë u ndal në cështjet më të rëndësishme që kanë prekur Shqipërinë dhe rajonin ndërsa në fokus kishte situatën e tensionuar në veri të Kosovës.

Kërkesën e Serbisë ndaj NATO-s për të futur 1 mijë trupa që të mbrojnë serbët etnikë e cilëson si shashkë të retorikës politike. Rama thotë se është njësoj si të kërkonin trupat e Kosovës të futeshin në Preshevë për të mbrojtur shqiptarët etnikë. Kreu i qeverisë theksoi se gjithçka nevojitet është dialogu mes Serbisë e Kosovës si dhe kërkoi që të mbahet larg rajonit murtaja e luftës ruse.

“Rritja e tensioneve në veri të Kosovës është shqetësuese. E pabesueshme që na duhet të merremi vazhdimisht me shfaqjen e barrikadave, prapakthime në procesin e normalizimit dhe ekipe zjarrfikësish të SHBA dhe BE që vrapojnë të shpëtojnë makinerinë e dialogut nga flakët e një retorike të rënduar politike.

Dëgjuam deri për kërkesa të bëra NATO-s për të dërguar trupa serbe në veri të Kosovës, për të mbrojtur serbët etnikë. Kjo mund të jetë një tjetër shashkë speciale e retorikës politike, por është po kaq surreale sa do të ishte nëse Kosova do t’i kërkonte NATO-s të dërgonte trupa shqiptare në Serbinë jugore për të mbrojtur shqiptarët etnikë. Kemi hyrë në dekadën e tretë qysh kur Kosova u lirua një herë e përgjithmonë nga Beogradi. Ajo nuk do të jetë kurrë më nën ligjin e Beogradit.

Ne kemi nevojë për dialog, pjesa tjetër është thjeshtë politikë e keqe. Nuk kemi asnjë dyshim se ndërtimi i urave të bashkëpunimit me Serbinë, është diçka që i shërben pikërisht interesave tona si vend dhe si komb, e kjo promovon paqen në një rajon ku fantazmat e së shkuarës janë kahera gati që t’i shpallin luftë së ardhmes sonë të përbashkët”, tha Rama.

Kreu i qeverisë u ndal edhe te lufta në Ukrainë duke thënë se Shqipëria është e nderuar që iu dha privilegji për të mbështetur si anëtar jo të përhershëm të Këshillit të Sigurimit kauzën e drejtë të shtetit të Ukrainës.

“Mendimet tona janë me qindra mijëra familjet ukrainase, për të cilat kjo është Krishtlindja më e mosozotshme qysh prej Luftës së Dytë Botërore, që sjell vetmi më shumë se bashkësi, zymtësi më shumë se dritë, frikë më shumë se festim. Le të lutemi për ta çdo herë që mblidhemi me miqtë e me familjen nën dritat e pemës së Vitit të Ri në qytetet tona a në shtëpitë tona. Shqipëria do të rrijë krah Ukrainës deri në fund”, tha Rama.

Pasi e cilësoi 2023 si një vit më të vështirë se 2022 për shkak të pasojave të luftës në Ukrainë, përmend edhe sulmin kibernetik nga Irani drejt Shqipërisë. Rama thotë se dëshiron që pavarësisht situatës së krijuar me ndërprerje të lidhjeve diplomatike, të rindërtohet sërish ura e shkëputur. Një koment e pati edhe për samitin e BE të mbajtur më 6 dhjetor në Tiranë duke thënë se u bë realitet ndonëse më parë konsiderohej fantazi e shfrenuar dhe produkt i një mendjeje aventuriere.

Në këtë darkë fundviti mungoi ambasadorja e BE, Christane Hohmann për shkak të gjendjes shëndetësore. Rama nuk e kurseu edhe mesazhin për të e Bashkimin Europian.

“I uroj shërim sa më të shpejtë, por ajo mund të pushojë dhe të mos shqetësohet, sepse shëndeti i raportit tonë me BE-në kurrë nuk ka qenë më mirë”, tha Rama.

Lajme të ngjashme

Shpërndaje këtë artikull