Filmi “Bolero në vilën e pleqve”, me një dramë shqiptare në festivalin ndërkombëtar “PriFest”

4 Minuta Lexim

Filmi “Bolero në vilën e pleqve”, me një dramë shqiptare do të jetë në konkurrim në “PriFest”, që zhvillohet në Prishtinë. Filmi me regji nga Spartak Pecani do të shfaqet më 26 gusht, ndërsa vjen në “PriFest” pas vlerësimeve që ka marrë deri tani në festivale të ndryshme ndërkombëtare. Me skenar nga Linda Fejzaj dhe Spartak Pecani, filmi “Bolero në vilën e pleqve” ka në role aktorë të njohur, ndërsa për publikun sjell një dramë shqiptare e cila përcillet përmes interpretimit të artistëve të njohur. Në rolet e filmit përmendim aktorë si Robert Ndrenika, Margarita Xhepa, Gentiana Ramadani, Olta Daku, Olta Gixhari, Merita Dabulla, Afrim Muçaj apo Ledjon Zoi. Muzika e Endri Sinës dhe kostumografia e Gerta Oparakut duket se i bashkëngjiten po aq mrekullisht këtij filmi, që po shëtit nëpër festivale ndërkombëtare.  Filmi me skenar nga Spartak Pecani dhe Linda Fejzaj është një kompleks ndjenjash, marrëdhëniesh që nxjerrin në pah realitetin, të vërtetat që ndonjëherë është frikë ti thuash me zë të lartë, me motive të veprës së Fatos Kongolit me të njëjtin titull. Po sa e thjeshtë apo e vështirë është të merresh me një vepër, të një shkrimtari të madh siç është Kongoli, për ta kthyer atë në produkt kinematografik? Si bashkëskenariste Linda Fejzaj më herët është shprehur se është një punë e madhe dhe se filmi nuk është një novelë. “Bolero në vilën e pleqve” me regji të Spartak Pecanit është prodhuar nga shtëpia kinematografike “Eclipse S.A” & coproduction “AM Production”.

Festivali dhe filmi

Festivali ndërkombëtarë i filmit në Prishtinë “PriFest” do të mbahet nga data 24 deri më datë 29 gusht, duke respektuar të gjitha masat e reja ndaj anticovid.  “Të gjitha aktivitetet e festivalit mbahen me 50 për qind të kapacitetit dhe përfundon  në orën 22 e 30”, thuhet në faqen e festivalit, që sjell në konkurrim prodhime të ndryshme filmash. Në qendër të filmit të Pecanit, është një çift pleqsh që janë të detyruar të jetojnë të vetëm në fundin e jetës së tyre edhe pse kanë tre fëmijë. Biri i tyre u siguron një punëtore shtëpie, në dukje një vajzë e qetë dhe e përkushtuar ardhur nga s’dinë se ku, por vajza e pleqve që në impaktin e parë duket se nuk e pëlqen aspak mysafiren e re në shtëpinë e prindërve, kjo do të bëjë që ajo të shko përtej pyetjeve të drejtpërdrejta, duke bërë që të zhbirojë mbi jetën e saj nga ku mëson se me kë ka të bëjë. Punëtorja që jeton në vilë ka një të kaluar të errët për mendimin e vajzës së pleqve, për më tepër edhe prirjet e saj janë në kundërshti me parimet dhe principet që ajo ka. Filmi përcjell mënyrën e sotme të të jetuarit, si dhe dramën shqiptare që kalon në modernitet ku harresa është aq e dhimbshme sa edhe gjithë dramat e tjera dhe zhvillohet aty ku ka pamundësi të marrëdhënieve familjare. Gjatë gjithë kohës tingujt e pianos me “Bolero” e Ravelit janë bashkëshoqërues në vilë edhe në fundjetën e pleqve. Mes vlerësimeve që ka marrë “Bolero në vilën e pleqve”, përmendim çmimin filmi më i mirë në “Paris Play International Film Festival” në dhjetor 2020 apo dhe me çmimi “Best Female Scriptwriter”, në “Toronto International Women Film Festival”.

Lajme të ngjashme

Shpërndaje këtë artikull