Uzina Dinamo, Rruga Memo Meto, Tiranë

A do të ringjallet “Normalja e Elbasanit” ?

a0b3343d-3ada-4a2b-a22c-6b238dd11413

Nga Besim DYBELI-

Shkolla shekullore e mësuesisë “diplomon” gjimnazistë!

111 vjet më parë lindi “fidanishtja”, që do të diplomonte mësues të gjuhës kombëtare për të gjitha trojet shqiptare. Por, simboli shekullor i mësuesisë shqiptare ka vite, që është shuar! Nga shkollë , që diplomonte mësues, është shndërruar në një gjimnaz pothuajse të zakonshëm. Por, do të shërbejë, edhe si “laborator” i praktikës studentore të universitetit “ Aleksandër Xhuvani” të qytetit të Elbasanit. Vendimi për shndërrimin e shkollës Pedagogjike “Luigj Gurakuqi “ të Elbasanit , ose siç është thërritur për më tepër se 111 vjet , Normalja , është marrë vite më parë nga ministria e Arsimit dhe e Shkencës dhe ka hyrë në fuqi menjëherë.
Normalja e Elbasanit , themelet e së cilës u vendosën në 1 Dhjetor të vitit 1909 ,për vetë kontributin e saj në bazat moderne të arsimit shqiptar, do të quhej me të drejtë “djepi” i arsimit kombëtar. Kjo, për vetë faktin se për mbi një shekull jetë , do të përhapte misionarët e mësimit të shqipes në Shqipëri e në të gjitha trojet shqiptare, ku flitej shqip. Me mijëra e mijëra mësues, të diplomuar nga kjo shkollë, e vetme në llojin e saj, do të shërbenin për tërë jetën e tyre si mësimdhënës të zellshëm e patriotë në mësimin e edukimin e qindra e qindra gjeneratave të rinisë kombëtare shqiptare. Ndërsa në Pedagogjiken e Elbasanit do të kremtohej me madhështi 100 vjetori i çeljes së Normales, askush nuk e kish besuar që pas tetë muajsh, shkolla në fjalë do të “vuloste” mbylljen përfundimtare të misionit të saj historik. Në fakt, debatet për mbylljen ose “rikonstruksionin” e profilit të saj, do të nisnin më herët, gjë që do të përcillte zemërimin e mbarë opinionit qytetar elbasanas e intelektualëve të shquar. Vendimi ministror, tash e tutje e ka emërtuar atë thjesht, një gjimnaz, me statukuonë se aty do të zhvillohen edhe praktikat pedagogjike të studentëve të universitetit qytetës. Tashmë, dyert e saj, nuk kanë regjistruar me nxënës pedagogjikas , por të rinj gjimnazistë. Përkundër zbatimit të këtij vendimi , në Elbasan debati qytetar , intelektual apo edhe ndërinstitucional , edhe sot mbetet i hapur . Ai është ndezur para ca vitesh, pikërisht në ditën e konkurimit për kreun e Drejtorisë Rajonale të Arsimit të qarkut të Elbasanit.
Njëri prej konkurentëve , Roland Baxhaku, intelektual në karierë, ka vënë në qendër të programit të tij konkurues , rilindjen e shkollës Normale. – “ Nëse fitoj në këtë konkurim , unë do të rikthej shkollën normale me të gjithë atributet e saj , por me emrin “ Shkolla e mesme me orientim mësuesi”. Për fat të keq , propozimmi i tij i guximshëm mbeti si një pikë uji në oqean, edhe për vetë faktin se “nervi” i atij takimi kishte të bënte për përcaktimin e fituesit për kreun e arsimit në Qark. Nga ana tjetër, si për koinçidencë , me “shuarjen” de-jure të Normales së Elbasanit, dy ditë më pas, do të shuhej edhe jeta e normalistit të fundit, një nga 200 mësuesit normalistë që shërbyen në Kosovë e troje të tjera shqiptare, Ruzhdi Guranjakut, vëllai i të shumënderuarit, Qamil Guranjaku.

Për ish-prefektin e Elbasanit, Shefqet Deliallisi, mbyllja e saj, motivohej me atë që “përsa kohë që nxënësit, që mbaronin Pedagogjiken, nuk kishin të drejtë të punonin mësues, Normalja prej disa vitesh konsiderohej e mbyllur. Në këtë mënyrë kemi një evolucion, pasi ajo qëndron ne themel të universitetit të Elbasanit dhe ky i fundit, pse jo, të mos mbajë emrin “Normalja” ?!
Ndërsa , Qazim Sejdini , ish- kryetar i Bashkisë , do të deklaronte, se “ Zhdukja e Normales është një nga atentatet më mizore e më të shëmtuara, me të fshehtë e me të pabesë, që i është bërë ndonjëherë qytetit tonë. Është një dhuratë e hidhur, që na e bëri qeveria Berisha, pas festimit të 100 vjetorit të saj. Është një turp i madh ! Nuk është marrë aspak mendimi qytetar, intelektual dhe i Bashkisë sonë”.
Sakaq , Luçiano Boçi , ish- deputet , dhe ish- zëvendësrektor i UE , do të pohonte se “Normalja do mbetet gurë themeli i traditës së përgatitjes së mësuesve dhe historia e saj 100 e ca vjeçare do jetë pjesë integrale e sukseseve të mëdha intelektuale të këtij vendi. Ajo është shkrirë brenda traditës së re, që ka krijuar universiteti dhe do të bëhet pjesë integrale e këtij institucioni të lartë arsimor.”

Sidoqoftë, pyetja retorike, që bëhet në opinionin qytetar dhe intelektual të Elbasanit , mbetet , “A do të ringjallet Normalja?! Është një qytet që ka rritur dhe është rritur me Normalen. Është një qytet, që për çdo familje, të paktën dy pjestarë janë mësues…

Related Posts

Leave a comment