Uzina Dinamo, Rruga Memo Meto, Tiranë

PROPOZIMI I TRE EMRAVE PËR PRESIDENT, TALLJA E RRADHËS SË KRYEMINISTRIT RAMA

Rama zarfi

Ditën e martë, 74 deputetët e partisë në pushtet, zbatuan aktin kolektiv të urdhëruar nga i pari i Partisë së tyre Edi Rama, për të dorëzuar zarfet me nga tre emra kandidatësh të propozuar për të qenë kandidatura garuese për President të Republikës. Një akt ky i shitur si standart demokracie por që nuk është veçse tallja e Ramës..

Për ta bërë bindës këtë akt, pra sikur Edi Rama nuk ka dorë fare në këtë farsë tallëse dhe për ta shitur si proçestë pavarur dhe pa paragjykime apo qejf-mbetjeje nga emrat e propozuar, deputetët u urdhëruan t’i dorëzojnë zarfet pa adresim autorësie por anonimë.
Për më tepër skema e Ramës tingëllon si tallje me ligjin po të kihet parasysh se, sipas Kushtetutës, secili deputet ka të drejtë të propozojë vetëm një emër për kandidat President Republike, ndërkohë që propozimet nuk duhen bërë në kryesinë e partisë, por vetëm në seancë parlamentare.

Tallja tjetër e Ramës me këtë populizëm, është detyrimi që deputetët të mos deklarojnë emrat e tyre në zarfet me propozime, kur sipas Nenit 87 të Kushtetutës,  propozimet për emrin e Presidentit, qofshin 1, 2 apo 3 të tillë, bëhen publikisht nga 20 deputetë, të cilët dorëzojnë në kuvend listën me emrat e tyre.

Në rastin konkret, Rama po i përdor deputetët si fasadë të “gjoja marrjes së mendimit nga populli”; kur në fakt, as vetë deputetët nuk i ka zgjedhur populli e nuk janë përfaqësues të tij, mbasi janë caktuar me listë nga Rama dhe klanet e tij oligarkike e mafioze.

Ky aktrim i Bablokut, me populizmin grotesk të propozimeve për President Republike, është si demagogjia që propagandonte dhe zbatonte ish-kupola e regjimit komunist, maskuar pas parullës: “Populli vendos, partia zbaton”.

Me këtë lojë për kandidaturën e Presidentit, Edi Rama na kujton Sekretarët e Parë të Partisë para vitit ‘90, të cilët u kërkonin banorëve të çdo zone, të bënin propozimet e tyre për kandidatin që donin deputet në Kuvedin Popullor.

Por ato propozime, nuk i lexonte askush dhe hidheshin në koshin e plehrave, mbasi emrat i caktonte Byroja Politike në Tiranë, ndërsa populli bindej, mbyllte gojën dhe shkonte votonte e brohoriste për udhëheqësin e madh.

Dhe Edi Rama, të martën mblodhi zarfet me propozimet e 74 deputetë-mumje të tij, por nuk do t’i hap fare, do t’i hedh në koshin e plehrave dhe do veprojë si te ajo shprehja: “Pyeti 7 a 8 dhe do caktojë atë që do vet”. Ndërsa deputetët do ta votojnë me përulje.

Patjetër që do kemi një president tjetër më 24 korrik, por kandidimi  i tij, po bëhet nëpërmjet një procesi komik, dukshëm degradues i parlamentit e Kushtetutës dhe poshtërues për deputetët e PS, i inskenuar qëllimisht nga kryeministri Edi Rama./Pamfleti-Titulli dhe redaktimi janë të ArberiaNews.net//

Related Posts

Leave a comment