Uzina Dinamo, Rruga Memo Meto, Tiranë

Peticioni kundër ambasadores Kim, “foltore” online kundër presidentit të SHBA

Biden

Nga Mero BAZE –

Për ndoshta të njëqindën herë, SHBA, përmes Departamentit të Shtetit apo zyrtarë të rangut të lartë, të dërguar specialë për Ballkanin, kanë përsëritur mbështetjen e tyre për ambasadoren e SHBA në Shqipëri, duke theksuar me një këmbëngulje që tani ka shkuar në absurd, se ambasadori i SHBA në Shqipëri përfaqëson presidentin e SHBA në Shqipëri.

Nuk kemi asnjë rast të vetëm, jo me ambasadoren Kim, por dhe me 9 ambasadorët e tjerë të mëparshëm, me të cilët ka qenë në konflikt Sali Berisha, që SHBA të ketë pasur rezerva për ndonjë akt personal të ndonjë ambasadori në Tiranë. Dhe nuk ka për të pasur kurrë, pasi në standardin e punës së një ambasadori të SHBA, është përfaqësimi i politikës amerikane në atë vend.

Në rastin konkret, ambasadorja Yuri Kim ka mbështetjen e plotë të presidentit të SHBA, por siç ka ndodhur dhe me 9 paraardhësit e saj, nuk ka mbështetjen e Sali Berishës.

Njeriu më i qartë në Shqipëri, që ambasadorja Yuri Kim është përfaqësuese e presidentit dhe ekzekuton politikën e tij, është Sali Berisha. Për këtë arsye është dhe me i frikësuari. Ai e di këtë jo vetëm për shkak të përvojës së tij si shtetar në Shqipëri, por dhe si hallexhi i përjetshëm i këtij problemi.

Prej vitit 1994, ai e ka këtë problem me çdo ambasador të SHBA në Shqipëri, dhe ndaj të gjithëve ka nga një akt publik për t’i njollosur në emër të popullit shqiptar.

Peticioni i sotëm i tij, është një akt qesharak, një lloj “foltoreje” online kundër presidentit të SHBA, për të cilin e di që do të paguajë edhe më shtrenjtë, se njollosja si “minues i demokracisë dhe i përfshirë në korrupsion domethënës familjarisht”, por që i duhet për t’i dalë përpara së keqes.

Tani Sali Berishës i duhet doemos një thellim konflikti me SHBA, pasi mendon se kjo statukuoja ku ata e kanë njollosur dhe kërkojnë dënimin e tij, është e dëmshme. Ai kërkon një akt të ri kundër tij, me shpresë se kështu do justifikojë një aksion të ri për të forcuar profilin e tij anti-amerikan dhe të justifikojë pastaj çdo ndëshkim që mund t’i vijë nga drejtësia në Shqipëri.

Pra peticioni online i nisur nga lista e whatsapp-it e tij, është një përpjekje për të krijuar një alibi për ndonjë hap të mundshëm të ndëshkimit nga drejtësia, pas paralajmërimit që Departamenti i Shtetit bëri dy ditë më parë kundër tij, duke theksuar se “personat që kanë minuar demokracinë dhe janë të përfshirë në korrupsion domethënës duhet të paguajnë dhe do të paguajnë për këtë”.

Ky është momenti që Sali Berisha ka nevojë të rindezë konfliktin me SHBA, por përsëri me maskë. Konfliktin e parë pas ndëshkimit, e ndezi në emër të Lulzim Bashës. Pasi ky i fundit tërhoqi mbështetjen për të më 9 shtator dhe e përjashtoi nga Grupi i PD, Sali Berisha u kujtua se në PD nuk ka demokraci, se Lulzim Basha nuk respekton votën e lirë dhe gjithë betejën dhe mllefin kundër SHBA e maskoi pas betejës kundër tij.

Tani ka zgjedhur ambasadoren Yuri Kim, për të cilën bën sikur nuk e di që është përfaqësuese e SHBA dhe presidentit Biden. Kur në gjithë botën firmosen peticione kundër presidentit Putin, Sali Berisha firmos në Tiranë peticione kundër presidentit Biden.

Shpresa e tij, se paraqitja si një viktimë e SHBA, do ta mbrojë atë nga drejtësia dhe do t’i japë mbështetje popullore, e bën atë një identitet politik putinian, që mendon se jeton në Moskë dhe jo në Shqipëri.

Në Moskë, tek serbët e Bosnjës ku jeton Dodik, apo ndoshta dhe në Siri, kur je në shënjestër të SHBA, mund të bëhesh njeri popullor, po jo i doboshëm. Këtu në Shqipëri nuk je as popullor, as i dobishëm. Këtu je një hajdut i frikësuar. Siç ngjan sot Sali Berisha./ TemA-Titulli vjen i redaktuar nga Arberia News.net/

Related Posts

Leave a comment