Uzina Dinamo, Rruga Memo Meto, Tiranë

BERISHA E MERR VESH I FUNDIT

Berisha non grata

Nga Arbër DALMATI –

Peticioni kundër Ambasadores së SHBA në Tiranë, Shkëlqesisë së Saj, Yuri Kim është një nismë leifeniste e berishistëve të thirrur “nën armë” prej Sali Berishës. Eshtë një formë tipike komuniste e mësymjes kundër një zyrtari diplomatik, me logjikën se, sa më shumë solidaritet dhe turmë të ketë pro tij, aq më tepër do të ketë reagim nga Uashingtoni për riparjen e vendimit të shpalljes non grata.

Kjo logjikë parapolitike e zotit Berisha, e cila ka vënë në lëvizje berishistët e tij me dhe pa shkollë, në fakt do të përballet në muajt e ardhshëm me rigorozitetin dhe qëndrimet e prera amerikane. Sa më shumë zoti Berisha të vijojë lëvizjet populiste dhe të ushqejë shpirtin tribal të mbështetësve të vet, aq më shumë prova do të fitojë për mostërheqjen amerikane dhe për  mosndryshimin e historisë së ndarjes së keqe, mes tij dhe shtetit më të madh aleat të shqiptarëve.

Në orët dhe ditët e ardhme, pohimet e zyrtarëve amerikanë do të vijnë kreshendo. Përcaktueshmëria zyrtare e SHBA ndaj Sali Berishës është e patundshme dhe ky nuk është një problem, por thjesht një vendim i cili për shtete që duhet të dëshmojnë seriozitet dhe mishërojnë partneritet, sikundër Shqipëria, do të duhej me kohë, të braktiste realitetin e krimeve të mbetura pa ndëshkim për të nisur proceset ndaj protagonistit që minimalisht ka dijeni për shumë krime dhe është mishërim i minuesit të demokracisë, shantazhues i sistemit të drejtësisë dhe familjarisht i akuzuar për korrupsion domethënës… etj.,etj.

Tribuja berishiste e përfshirë në fushatën e nënshkrimeve virtuale të peticionit  anti-Ambasadore, në fakt prej kohësh, po shton provat se si për hir të  gurusë politike është e gatshme jo të braktisë historinë e dikurshme partneriale me SHBA, jo vetëm të shpërfillë detyrimin e madh ekzistencial kombëtar etj., etj., por  madje, të shkojë edhe më tej, duke kryer një nismë të paprecedente e cila mbart pasoja të rrezikshme jo vetëm për këtë tribu, por për krejt interesin kombëtar dhe sidomos atë strategjik.

Berishistët kanë nevojë të dinë diçka që fort mirë ua pëshpërisin dhe jua thonë kontaktet e tyre si në Uashington ashtu edhe në New York. Sjellja e tyre ndaj vendimit amerikan dhe aktet e tyre anti-ambasadë në Tiranë, janë veprime dhe qëndrime që po monitorohen detajisht dhe për çdokënd. Nuk monitorohen  as me metoda komuniste apo socialiste, as me ato berishiste, por  me mënyrën më të pandryshueshme dhe të pakompromentueshme, atë amerikane. Çdo kontributor I paarsyeshëm dhe I kapur nga ndjenjat e idhulltarisë berishiste do të marrë  në mënyrën autentike provimin e asaj çka pretendohet si “vënie në dispozicion I provave” për personin me aq kapacitete bëmash dhe dijeni krimesh në realitetin e Shqipërisë së 30 viteve të fundit. Iniciativat për peticione anti-ambasadore që në brendi janë nisma mjerane shantazhuese ndaj një autoriteti diplomatik amerikan në vendin tonë, janë pjesë e strategjisë  që bashkëshoqëron pengmarrjen e Partisë Demokratike e cila sipas logjikës së Berishës dhe berishistëve: jeton vetëm me të dhe vdes pa atë.

Autoritetet amerikane me Shqipërinë gjatë këtij tridhjet vjetëshi respektojnë një memorandum dhe partneritet institucional I cili jo pa qëllim është përcaktuar si strategjik, kontribuitiv, investues për kapacitetet institucionale dhe stabilitetin juridik të shtetit shqiptar. Mjafton kaq, të kuptohet se  në një vend që zvarritet në tranzicion për shkak të status quosë  së kryetranzicionistëve politikë dhe partitokratë si zoti Berisha, ky partneritet dhe kontribut strategjik amerikan është jetik dhe sidomos garant ekzistencial për një shtet ligjor. Nismat apo britmat tribale për sovranitet dhe cënim të konventave që rregullojnë marrëdhëniet diplomatike, janë thjesht alibia për t’ë shmangur apo penguar këtë kontribut të domosdoshëm amerikan për Shqipërinë dhe shqiptarët. Nuk mund të ndodhë ndryshe, përderisa politikanët  si zoti Berisha në këtë vend, përgjatë tri dekadave, kanë gjykuar gjyqtarët dhe kanë akuzuar prokurorët nga pozita e të akuzuarit për krime të shumta dhe akuza të rënda të arshivuara, por jo të fshira,

Dakordësia institucionale mes SHBA dhe BE e mishëruar edhe përmes dokumentave të pritshme në ditët e afërta dhe Brenda këtij viti, kanë për të qenë përgjigjia shterruese për shpresën tribale se idhulli I berishistëve do të mund të mbajë dhe shtojë në axhendën e Shqipërisë së sotme ende një krizë tjetër, apo aq më tepër, ende një kapitull shtesë. Koha ka mbaruar, Berisha e merr vesh i fundit.

© Copyright: Arberia News.net

 THEKSOJMË: Shkrimi është ekskluziv i “Arbëria News.net”, dhe gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”. Shkrimi mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Arbëria News.net” si dhe vendosjen në pjesën fundore të linkut të burimit. Nëse kjo nuk konstatohet çdo shkelës  i ekskluzivitetit referuar Nenit 178 të Ligjit Nr/ 35/2016, do të mbajë përgjegjësi.

Related Posts

Leave a comment