Uzina Dinamo, Rruga Memo Meto, Tiranë

Pse s’foli Belind Këlliçi në Komisionin Hetimor për Arben Dervishin e Dukës?

-640-0-1657881384x20220715-123529-01-870

Belind Këlliçi doli sot në një konferencë për shtyp dhe akuzoi, pa asnjë fakt ose provë, kryetarin e Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj për lidhje me Arben Dervishin, supervizorin e landfillit të Sharrës, i cili u kontraktua nga kompania koncensionare për të mbikëqyrur punimet për ndërtimin e projektit.

Por, me sa duket, Këlliçi ose nuk e mban mend se ka qenë pjesë e një komisioni hetimor parlamentar për inceneratorët, kur dëgjoi me veshët e tij se ç’mendon Veliaj për Arben Dervishin, njeriun e besuar të Presidentit të FSHF-së, Armando Duka, ose për fat të keq edhe sot lexoi dhe recitoi si një papagall, atë që në fakt i ka vënë në gojë Sali Berisha.

Gjatë atij komisioni hetimor, anëtari i Komitetit Ekzekutiv të FSHF, Arben Dervishi, nuk u thirr kurrë të dëshmonte, edhe pse kryebashkiaku Veliaj i kërkoi disa herë kryetares së komisionit hetimor, Jorida Tabaku, dhe deputetit të PD Belind Këlliçi, që Dervishi të thirrej për të dëshmuar, si gjithë të tjerët, në cilësinë e supervizorit të projektit.

Arsyeja pse as Tabaku dhe as Këlliçi nuk e thirrën Dervishin të dëshmojë para komisionit nuk dihet, por sot ky veprim i tyre ngre disa pikëpyetje të tjera.

Ndërkohë, në atë komision Veliaj ka kërkuar që Arben Dervishi të dëshmojë si person me detyrën e supervizorit të punimeve dhe të mos bridhte qytet më qytet për të vjedhur votat e FSHF për llogari të Armando Dukës.

“Çdo punë publike ka një supervizor. Supervizori i kësaj pune publike quhet Arben Dervishi. Është ky i FSHF-së, që vjedh zgjedhjet në Gjirokastër. Shyqyr zgjedhjet u pezulluan. Unë nuk jam tekniku i lavatriçes, që të merrem me bullona e furrnalta. Unë jam kryetari i Bashkisë. Kam një detyrim që ta çoj mbeturinën deri te dera, të peshohet, ndërkohë që ai po merr pa fund para, por ju s’flisni. Pse s’flisni për Ben Dervishin e Armando Dukës? Sepse ky njeri është supervizori. Tani që gara për FSHF-në është pezulluar, ka kohë të përgjigjet edhe për këtë. Paguhet sa frëngu pulën, të japë llogari ku shkojnë lekët e supervizorit. Të vijë këtu si burrat e të mos shkojë koteceve, të vjedhë votat e FSHF”, ka thënë Veliaj në mbledhjen e komisionit në fjalë.

Pyetja që lind është: Pse s’foli Belind Këlliçi në Komisionin Hetimor për Arben Dervishin e Dukës?

Related Posts

Leave a comment