Uzina Dinamo, Rruga Memo Meto, Tiranë

Një aktor fsheh një tjetër!

Screenshot_10-1

Dashnor Kokonozi

Kishte ca kohë pa qenë i pranishëm në një shfaqje të Teatrit Kombëtar. Këtë herë nxitova te Turbina për të parë Ivanovin e A. P. Çehovit.
Natyrisht, nuk është e njëjta gjë. Me Teatrin e shembur me lidhte edhe diçka tjetër. Duke qenë se im atë ishte një nga tre specialistët e grupit të Byrosë së projektimit, që një herë në dhjetë vjet, projektonin rikonstruksion dhe mirëmbajtjen e tij për t’i zgjatur jetën, mbaj mend që shumë i ri, më merrte me vete tek e inspektonte nga themelet e lagësht e deri lart, në dhomat e aktorve, në kupolën e instalimeve elektrike dhe të mekanikës skenografike. Pastaj uleshim të dy në sallë dhe ndiqnin shfaqjen e radhës.
Një sallë teatri është një vend i bekuar por edhe i dhimbshëm. Janë të shumë ata artiste që provojnë çdo ditë aq ankth, pasion, stres e madje frikë në pritje të përballjes me spektatorët. E marr me mend se sa lutje janë shqiptuar me zë të ulët para “ngritjes” së perdes! Ja, pra, përse nuk duhet të prisni prej meje “të shaj” Turbinën! Një sallë teatri, cilado qofte, ka diçka prej një vendi kulti, një faltoreje!
Ja erdhëm te Ivanovi i Çehovit, me regji të Henri Çulit. Personalisht më parë do të pyesja veten se çfarë u thotë ai spektatorëve të ditëve tona. Por supozoj se kjo pyetje do të jetë bërë dhe përgjigjen provoj ta marr me mend tek vërejta, jo pa habi, se regjia e ka parë të arsyeshme të bëje një up to date të pjesës duke shtuar ndonjë “nocion” gjeopolitik si emri i Ukrainës, në tekstin e Cehovit, që nuk ekziston në origjinal. Nuk është i vetmi sakrilegj.
Në pjesë të tilla klasike, Teatri popullor ka një përvojë të madhe, ka qenë fryma dhe shkolla që e ka dominuar në dhjetëra vite. Për këtë arsye nuk duhet pritur që shikuesi i “Ivanovit” të ditëve tonë, ta zërë gjumi në sallë gjatë një spektakli prej më se tre orësh. Edhe pse, shtoj, andej nga pjesa e trete sikur u shtua ca numri i atyre që nxorën telefonat dhe për tmerrin tim, vëreja se nuk ndiqnin më pjesën, por shfletonin faqet e gazetave shqiptare. Blasfemi!
E pranoj, nuk është gjë e mirë të shohësh ekranin e tjetrit, por kur ai “tjetri” ta hap m’u para hundës tënde në një sallë të errët, vetiu sytë shkojnë aty!
Gjithsesi, nuk vërejta ndonjë gromësitje, po a ishte një superproduksion? Ata që e vunë në skenë thotë po, është superprodusiion, siç pashë të afishohet diku.
Nuk dua ta zgjas e bëj debat, për arsyen e thjeshtë se nuk njoh një definicion të termit “superpoduksion” dhe aq më pak njoh diferencën me një “produksion”.
Unë u besoj më shumë detajeve se sa tërësisë që thotë shumë e asgjë, njëkohësisht.
M’u duk shenjë e pasigurisë së strukturës regjisoriale, rimarrja e një “truku” të vjetër të Teatrit Popullor (I pazëvendësueshmi” i Buxhelit më duket), që e kujtoj nga një shfaqje e gati 45 vjetëve më parë. E kam fjalën për “Lojën e kungulleshkës”, që në mënyrë thuajse të papërligjur e gati absurde i ngatërrohet Cehovit nëpër këmbë në një nga skenat “gala” në mos gallatë të aktit të dytë (po nuk gabova) që zgjatej deri në mërziti. Imitime të tilla të suksesshme të një kohe tjetër, thirren në ndihmë atëherë kur mjetet regjisoriale nuk ofrojnë shumë garanci suksesi.
Teatri ka tashmë një sërë figurash interesante aktorësh, që në vite kanë krijuar profilin e tyre. Neritan Liçaj e Alfred Trebicka e ilustrojnë mirë këtë vazhdimësi, por edhe Luli Bitri. Gert Ferra (Mihain Borkin) i jep nur e sharm skenës.
Për rolin e Ivanovit të interpretuar nga Dritan Boriçi, nuk kanë vlerë termat ishte “mirë” apo “keq” në atë rol. Ai e kishte konceptuar ashtu siç e ka parë të arsyeshme, por Ivanovi i tij për mua ishte anksiogjen, repulsiv, deprimues. Më ngjallte shqetësim kur e shihja, i kontraktuar, me supet e ngrira dhe kurrizin e harkuar. Ai që në fillim vuri një lloj maske të zymtë betoni mbi fytyrë dhe nuk e hoqi deri në fund. Vij në teatër të harroj hallet e mia e jo të ngarkohem me ato të të tjerve.
Nuk e pashë të evoluonte shpirtërisht si rol. As vetë performanca e E. Zaharia, veçanërisht në pjesë e dytë kur e kapi veten me mire, nuk e tundi vendit.
Për mendimin tim në këtë shfaqje, një aktor fshihte një tjetër, madje disa të tjerë, që ishin aty në trupë dhe që mund ta sublimonin artin e Çehovit.

Related Posts

Leave a comment