Uzina Dinamo, Rruga Memo Meto, Tiranë

Një burrë si Vili!

314806602_525084782819696_2622017357529347926_n

Dashnor Kokonozi

E kam ndjerë gjithnjë veten me fat që kam njohur Vilin. Akoma më me fat që kjo ka ndodhur në kohë të hershme, kur isha thuajse kalama.
Alternativa: Po qe se nuk doja një palë këpucë të reja për vitin e ardhshëm shkollor, nuk kishte problem, mund të rrija gjithë ditën duke luajtur në rrugë, por ama nëse doja… Në një kantjer do të kishte gjithnjë punë për mua.
Aty ndodhi ajo njohje e rëndësishme. Në atë kantier ndërtimi, ku shef kantieri ishte im atë. Aty ai pranonte dhe u jepte pune edhe shumë të dënuarve që nuk i pranonin gjetiu. Tamam aty, unë gjysmë i dënuar nga pasioni im për këpucë të reja, njoha Vilson Gjonçaj, një vërtet i dënuar.
Vili ishte aktori i shkëlqyer i humorit të trupave të ndryshme profesioniste të Tiranës, autor i skeçeve të panumërta dhe i skenarëve të shfaqjeve të suksesshme.
E dënonin për disa nga aventurat skenike më të pabesueshme që ndodhnin në skenat shqiptare. Dhe gjithnjë i ishte mirënjohës atij kantieri, që e pranonte, siç më tha edhe pak ditë më parë. Përndryshe, mundësia tjetër do të ishte ndonjë pus miniere.
Vili usta, unë çirak.
Natyra e tij plot humor, eleganca dhe gjestet prej fisniku, aftësia për të qeshur me gjithçka edhe në hallin më të madh, ironia e tij holle ndihmonte atë t’i bënte ballë vrazhdësisë së kohës, por edhe në të tjerët, të mbanim kokën mbi ujë.
E kujtoj veten të ulur diku, i deprimuar e gati në të qarë që nuk isha në një fushë lojërash me shokët e mi, kur Vili që më shihte kalimthi, linte gjithçka dhe afrohej. Përmes syve të mi të mbushur me lot, bëhesha dëshmitari dhe spektatori i vetëm e i privilegjuar i interpretimit të disa prej roleve dhe skeçeve të mrekullueshme nga një aktor i madh të cilin edhe regjisorë si Pirro Mani e aktivizonin në shfaqje të shënuara që kanë lënë gjurmë në teatrin shqiptar si, Arturo Ui dhe që e kam parë thuajse çdo natë (herë me biletë dhe herë pa biletë).
Qaja e qeshja njëherësh!
Vili i përkiste një shkolle mjaft interesante interpretimi. Kurrë nuk e “përqeshte” rolin e tij, qoftë edhe në komedi. Ishte diçka si Mihal Popi qe luante aq seriozisht në komedi, sa inatosej kur shihte spektatorët që qeshnin me të.
Kështu e shpjegoj një ngjarje që i ndodhi Vilit, pas një shfaqjeje ku kishte rolin e Mit’hat Frashërit, në skenën e Teatrit të Durrësit.
Perdja kishte rënë dhe ai po hiqte grimin, kur i thanë se e kërkonte një grua. Del dhe menjëherë sheh një grua që i hidhet në qafë dhe e përqafon duke qarë.
– Kam punuar të shtëpia e zotni Mit’hatit – i thotë, në vesh, – më nxorre mallin, ka qenë tamam si ty. M’u duk se ishe vete ai, të keqen nona, të keqen.
Dhe iku duke qarë…
Në një rast tjetër do të flas për një episod të jashtëzakonshëm dhe që më ka mahnitur gjithë jetën, se e kam ditur prej dekadash. Atë kur Vili, në përfundim të një monologu, del jashtë në pas skene dhe ndërsa po behej gati të ndërrohej për një rol tjetër, nuk dinte ç’të bënte me një palë mustaqet që i kishin mbetur në dorë. Diku sheh se kishin zhvendosur një bust të Enver Hoxhës. I afrohet dhe ia ngjit atij mustaqet nën hundë duke pyetur dikë që ishte aty, nëse i ngjante vërtet Stalinit…
Pastaj, ka edhe gjëra të tjera, të rrezikshme fare, ku jeta dhe arti i tij prej aktori dhe imitatori brilant, bëhen një. Është rasti kur Vili, që i kishte ardhur në majë të hundës sepse ia ngatërronin gjyshin me një tjetër të arratisur dhe kjo qe bërë pengesë serioze për t’i nxjerrë të bijës të drejtën e studimit, vihet të imitojë zërin e një “të madhi” dhe merr në telefon në sesionin përkatës duke kërkuar llogari përse nuk ia nxirrnin të drejtën e studimit asaj vajzës së Gjoçajve… Puna u rregullua ne vend!
Pa pikë dyshimi, aty ai ka luajtur rolin e jetës së tij. Mbase ka luajtur edhe … me jetën e tij!
Edhe sot më merret fryma kur e kujtoj, më tha një ditë.
Të përqafoj dhe të uroj vite të gjata jete, i dashur Vili!

Related Posts

Leave a comment