Uzina Dinamo, Rruga Memo Meto, Tiranë

Një kujtim për Minella Borovën

271496287_327128739281969_4225763592258562169_n
Nga Dashnor KOKONOZI-
Tek hapa llogarinë time në fb, ketu e plot një vit më parë, mbeta pa mend tek shihja se sa shumë nga miqtë e mi të vjetër kishin vdekur. Miq jo virtualë, jo nga ata që kur u mbetet hatri kthehen e të fyejnë.
Qe një ndjenjë e madhe trishtimi, se vërtet ishin shumë. Aq shumë sa nis e dyshon se mbase edhe ti vetë ke vdekur dhe nuk di gjë. Tamam një ndjesi të tillë pata kur mësova se edhe Minella Borova kishte ikur.
As nuk e mbaj mend kur e kam njohur. Mbase kur ishte student dhe vinte shpesh te një teto e tij në pallatin ku banoja unë, te rruga e Durrësit.
Asokohe rrija ende ulur te shkallët e pallatit, pa të drejtë të largohesha shumë. Që atëherë Minellën e mbaj mend të rregullt, me kostum e kollare dhe flokët e krehura bukur. Kurrë nuk e kam shpjeguar përse gjithmonë ndalonte të më jepte dorën.
Asnjëherë nuk isha njohur me të. As miq të përbashkët nuk kishim. Ai ndalonte, përshëndeste me një përkulje të shpejtë të kokës dhe më zgjaste dorën. Unë ngrihesha dhe rrija gatitu.
Qe fillimi i një miqësie mjaft të gjatë.
Pastaj kujtoj bisedat me të pas dënimit të dramës Njolla të murrme”.
Në vitet e pastajmë shiheshim rregullisht në klubin e Teatrit popullor. Aty gjithnjë mbetej ndonjë bisedë përgjysmë dhe linim takimet për të nesërmen.
Unë punoja në Radio, ndërsa ai ishte pedagog i Institutit të Arteve. Takoheshim rregullisht te Muzeu arkeologjik dhe ngjiteshim lart të “Kisha”. Sebepi ishte për një kafe, por qejfi ishte t’i fusnim një dorë të share!
Herën e fundit, mbase në pranverë 1987, tek ngjiteshim te kafja duke ecur përgjatë një shtegu të bukur pas universitetit, ai ndaloi dhe më tha:
– E dëgjon?
– Jo, i thashë i habitur.
– Ke të drejtë, prandaj të pyeta.
– Për çfarë?
– Për atë që nuk dëgjon.
– Minella, ma ndiz ca kandilin, i thashë, çfarë është kjo gjë e padëgjueshme që paskam të drejtë që nuk e dëgjoj?
– Zogjtë, bre! Eshtë pranverë dhe nuk dëgjohen fare.
– Mbase nuk janë në qejf sot.
– Ore, ti bën sikur nuk kupton?
– Sinqerisht, nuk po kuptoj asgjë.
– Nuk të ka rënë në sy se as zogjtë nuk kthehen më në këtë vend?Kanë ikur edhe ata që nuk shtegtojnë kurrë!
Shpresoj që shqetësimi i tij të mos merret si i natyrës orintologjike.

Related Posts

Leave a comment