Uzina Dinamo, Rruga Memo Meto, Tiranë

Karafilët e varreve

download (5)

Dashnor Kokonozi

Hera e sjell që ndokush mëson për origjinën time dhe me dashamirësi afrohet e më rrëfen se dikur ka vizituar Shqipërinë.
Bisedat e tyre kanë një pikëtakimi: moskuptimin përse ngado që shkonin, i detyronin të vizitonin varrezat e dëshmorve?
Pothuaj pa përjashtim, në çdo qytet ku zbarkonin ata i detyronin të kalonin para një numri të pafund varresh! Dhe gjithçka shoqërohej me një liturgji funeralesh nga jeta e heronjve biblikë që preheshin aty.
Nga fundi i vizitës, për persona të veçantë, dushe të tilla varrezash, siç i quante dikur P. Neruda, bëheshin shkas tronditjesh të forta, çekuilibrimi emocional, krizash pagjumësie, aluçinacionesh funebër.
Te varrezat e fundit të gjithë ndiheshin të pushtuar nga ankthi, të deprimuar.
Shumëkush kujtohej se me vete kishe marrë ilaçe për të gjitha format e diareve, por asgjë për ta mbrojtur nga ai lloj depresioni funeral dhe litanirash me heronj mitikë.
Në dhjetë ditë ata qenë të detyruar të shikonin shumë më tepër varreza se sa kishin patur rast të shkonin gjatë gjithë jetës në vendin e tyre. Një ankth të tillë nuk e përligjte as qëndrimi falas në Shqipëri.
Shkrimtari dhe psikanalisti i njohur parisian, Jean Luc Tourenne (autor i një romani të shkëlqyer për Ahmet Zogun), me të cilin i kthemi shpesh anës komike të historisë komuniste të Shqipërisë, dikur më tregoi detaje krejt të veçanta, të panjohura për mua të vizitës së tij shqiptare.
Diku nga mesi i viteve ’80, pasi kishte parë varreza si ato të Korçës, Durrësit, Lushnjes etj., atë dhe grupin e tij i kishin vënë në rresht dhe po i drejtonin midis rruginave të varrezave të Shkodrës. Ishte vetëm nëntëmbëdhjetë vjeç dhe i kishte ardhur në majë të hundës, duke lundruar përmes varresh me të cilat nuk e lidhte asgjë.
Në Shkodër vendosi të mos ndiqte pas drejtuesin e grupit. Qëndroi në anë të një parcele dhe nisi të vështrojë rrotull, duke vrarë mendjen përse ndodhej aty.
Diku i zunë sytë një vajzë të re, e cila po nxitonte të vendoste nga një karafil të kuq mbi çdo varr. (Duket e bënin sa herë vinin të huajt, por atë ditë ajo ishte ca e vonuar)
Ecte e përkulur dhe e përqendruar në atë që bënte. Dikur ngriti kokën dhe ndeshi të riun francez. Në fillim pati një çast habie dhe stepjeje, së fundi i buzëqeshi.
Dhe pastaj ndodhi ajo që as Jean- Luc nuk e priste askush. Vajza vështroi kalimthi rrotull dhe me një lëvizje të hijshme ia la në dorë djaloshit francez të gjithë tufën e karafilave që i kishte mbetur. Dhe iku.
Jean Luc qe mrekulluar.
I thashë se në moshën e tij edhe unë do të bëja interpretime të ndryshme të atij gjesti aq të bukur, por sot kam interpretim tjetër.
Në të vërtetë ajo vajzë ishte shpirti i vërtetë i Shqipërisë, të cilin regjimi kërkonte të mbante të lidhur pas idealesh të një kohe tjetër, idealesh që ai regjim i kishte shkeluar vetë që të nesërmen e përfundimit të luftës.
Me atë vajzë, fare pa u gabuar mund të identifikohej e gjithë rinia e atij vendi të shtypur, të poshtruar e të ndrydhur, por që instinktet vitale i kishte ruajtur të gjalla për t’i shfaqur me aq dinjitet në fillim të viteve nëntëdhjetë.

Related Posts

Leave a comment