Uzina Dinamo, Rruga Memo Meto, Tiranë

Marketingu i dyshimtë i kujtesës së përbashkët..

309234270_490482299613278_4798143485210637928_n

Dashnor Kokonozi

Kur hera e sjell të hyj në Shqipëri nga Korfuzi, gjithmonë “zbres poshtë për t’u ngjitur lart”. Shkurt, nga viti në vit, shkoj të vizitoj Butrintin më parë.
Kështu edhe këtë verë që iku.
E vizitoj rregulltish që prej pesëdhjetë vjetësh. Në një farë mënyrë kam ndjekur edhe evolucionin e atij siti arkeologjik.
Më shumë se kudo ky “evolucion” vihet re te çmimi i biletës së hyrjes, se nuk shoh shumë ndryshime të tjera. Është zbuluar vetëm 5% e Butrintit thuhej atëherë, po aq thuhet edhe sot.
Vizitorët futeshin gjithndej, edhe aty ku nuk duhej, gjendja e konservimit dukej e diskutueshme, gurët lëviznin në shumë vende. Kur ia thashë këtë dikujt m’u përgjigj se kjo punë nuk bëhet më mirë pa dyfishuar çmimin e biletës.

E me gjithë këtë evolucion të pandalshëm ( sot bileta kushton 10 euro) nuk sheh askënd që të të vijë e të shpjegojë gjësendi. Të paktën për ata që kanë nevojë. Për Butrintin kjo është jetike. Se ta themi midis nesh. Në Butrint nuk gjen vepra arkitektonike a arkeologjike që të lënë pa frymë. Aspak. Dhe kjo duke filluar me të shumë përmendurin teatër. Është tipik I provincave të ndikuara nga kultura greko-romake. Si ai gjen me qindra përqark Mesdheut.
E njëjta gjë mund të thuhet edhe për gjithçka tjetër, baptisterin, bazilikën, muret rrethuese etj.
Por Butrinti ka një sekret : kjo është historia e tij dhe fakti se është një qytet i tërë nën dhé, bashkë me institucionet e tij, jetën e përditshme, lidhjet sociale, lidhjet me jashtë, strukturat mbrojtëse dhe ekonomike etj.
Kjo është magjia e vërtetë e Butrintit, por këtë nuk ka askush që t’ua shpjegoje vizitorëve.

I shihja turistët e huaj që silleshin si dhi të humbura dhe më vinte keq për ta. Çfarë mund të kuptosh nga një rrënojë po qe se aty nuk ka dikush që ta shpjegojë kuptimin dhe historinë e saj?
Dhe të gjithë paguanin 10 euro.
Veçse, siç kuptova më vonë, për ata që janë mbi 60 vjeç, bileta kushtonte 5 euro. Por ky mbetet një sekret i madh i personelit. Biletashitësit shihnin të moshuar që zhvendoseshin edhe me dy bastunë në dorë, të tjerë në karroca me rrota dhe me qafën të paralizuar anash, thua se e kishin bërë niet të mos vdisnin pa parë Butrintin, por askush nuk u kujtonte të drejtat e tyre.
Askush edhe te muzeu, lart!
Pashë një klasë nxënësish kosovarë që kishin ardhur ta vizitonin dhe më preku lehtësia që kanë brezat e sotëm të vizitojnë atdheun e tyre.
Por që ata të kuptonin trashëgiminë tonë, kujtesën tonë të përbashkët, kjo është histori tjetër.

Në muze nuk kishte as edhe një njeri që t’u shpjegonte përmbajtjen e stendave dhe artefakteve të ekspozuara.
Dhe ata morën të bëjnë atë që do të bëja edhe unë po të isha në moshën e tyre: të luanin kukamçefti duke u fshehur pas shtatoreve të brishta që mezi qëndronin më këmbë, vraponin gjithandej, preknin me duar gjithçka, shkurt bënin gjithçka bëjnë zakonisht fëmijët në oborrin e shkollës.

Se nuk kishte shpjegues të muzeut por nuk kishte as roje të tij!

Në hyrje, biletaprerësit vazhdonin t’u faturonin padrejtësish më shumë se gjysmës së vizitorëve, çmimin e dyfishtë.
Shkurt, bënin atë që dimë të bëjmë më mirë, u nxirrnin gjuhën nga pas viktimave të tyre.

Fotografia e Dashnor Kokonozi

Related Posts

Leave a comment