Uzina Dinamo, Rruga Memo Meto, Tiranë

Ku ka hupë spektatori?

336283590_266647295688577_819439345741922961_n

Dashnor Kokonozi

Për këdo që vjen në Tiranë ka më tepër interes të shohë një pjesë teatrale vendase se sa të huaj. Të paktën për mua. Është mënyra më e mirë për të kapur temperaturën e brendshme sociale. Por në mungesë të tyre ka edhe një mundësi tjetër të tërthortë për të arritur aty: prania e qytetit në forumet artistikë, thënë ndryshe, shkalla e interesit për artin dhe spektaklin e gjallë në veçanti.
Natyrisht që prisja një numër më të madh spektatorësh te monodrama “Gruaja e thyer” e Simone de Beauvoir në skenën e Teatrit eksperimental. Ishte një shfaqje e mirë me regji të Enri Çelës ku e vetme në skenë sublimonte Adriana Tolka. Si njëri edhe tjetra, të panjohur për mua.
Pavarësisht se ata që e kanë paraqitur në media këtë pjesë kanë për tendencë ta mistifikojnë disi duke e paraqitur me terma “ekzistecialë” dhe “ekzistencialistë”, ky teks madhor i Simone De Beauvoir kishte gjetur një ekuivalent të admirueshëm paraqitjeje në këtë skenë modeste shqiptare.
Në vështrim të interpretimit, duket se dora-dorës brezi i ri i aktorve po i largohet deklamimit patetik të trashëguar nga shkolla sovjetike.
Ishte një mbrëmje e butë pranvere dhe ndërsa prisja fillimin e pjesës para sheshit të teatrit, shihja familje të tëra që ngjiteshin nga kodrat e liqenit. Një shëtitje pas një ditë të mërzitshme është një kënaqësi më vete. Këtë e kuptoj mirë edhe pse sheshi para teatrit trishtonte me vetminë e tij, po aq sa edhe salla e shfaqjes.
Kapaciteti i saj nuk ishte më i madh se ai i një “ode burrash”, ku atë natë do të “zhvishej” një grua.
Tek dilja, me habi pashë se rreth e rrotull teatrit me dhjetëra restorante të mëdhenj e të vegjël vezullonin me dritat e tyre. Me një entuziazëm gagantuesk klientët e shumtë përpinin gjithfarësoj pjatash, ku nuk mungonin edhe byrekë të yndyrshëm dhe një ëmbëlsirë që e kisha harruar prej kohësh: hashurja. Thua se fundi i botës ishte lënë për të nesërmen dhe njerzit kishin vendosur të iknin të ngopur.
Ftesa e asaj shfaqjeje për të reflektuar edhe për marrëdhëniet e shoqërisë sonë, kishte ardhur ca me vonesë në Tiranë.
Në ajër ndihet një aromë parfumi të lehtë dekadence.

Related Posts

Leave a comment