Uzina Dinamo, Rruga Memo Meto, Tiranë

Kolaboracionizmi horizontal.

376620543_692469062747933_4551423889193324882_n
 Nga Dashnor Kokonozi-
E kisha dëgjuar këtë shprehje shumë kohë më para se të shkoja në Francë, por pa i kapur mirë thelbin. Tek lexoja një libër për Rezistencën që më tërhiqte shumë, mësova për një numër grash e vajzash franceze (mendohet nga 20.000-40.000) të cilat janë martuar, kanë patur lidhje apo që edhe thjesht « kanë shkuar në shtrat me armikun ».
Ky është kolaboracionizmi horizontal. U quajtën edhe “laviret e boshëve”.
Pjesa më e madhe e francezëve do ta marrin vesh një gjë të tillë pas Çlirimit, atëhere ku filloi procesi i qethjes së tyre në publik.
Në fillim ajo çka ndodhi u cilësua si trajtim i merituar, por këto tridhjetë vjet kam vënë re se si ka evoluar mendimi për një akt të tillë. Sot ky proces analizohet në mënyrë më kritike, gjithnjë e më tepër opinioni nuk pajtohet me ndëshkimin dhe poshtërimin barbar që iu bë atyre.
Kjo e gjitha qe thjesht për t’ju paraqitur atmosferën e romanit të shkëlqyer të Julie Héraclès “Ju nuk dini asgjë për mua” (𝑽𝒐𝒖𝒔 𝒏𝒆 𝒄𝒐𝒏𝒏𝒂𝒊𝒔𝒔𝒆𝒛 𝒓𝒊𝒆𝒏 𝒅𝒆 𝒎𝒐𝒊).
Eshtë romani i saj i parë.
Julie thotë se ia ka frymëzuar vetëm një fotografi e Robert Kapës (ajo që është në kopertinën e librit).
Eshtë një fotografi mjaft e njohur, emblemë e atij procesi dhe njihet me emrin “E qethura e Chartres”. Në qendër është një grua që sapo e kanë qethur dhe qyteti e ndjek nga pas duke sharë e poshtruar, sa kohë që ajo mban në dorë një fëmijë, fryt i lidhjeve me “gjermanin e saj”.
Pas luftës ata u quajtën “fëmijët e boshëve”, por kjo është histori tjetër.
Do të desha të përkthej edhe ndonjë fragment, por posti zgjatet shumë dhe nuk e lexon njeri.
Robert Kapa, që gjithnjë ndodhej në çastin e duhur në vendin e duhur e ka bërë këtë foto më 16 gusht 1944.
Pak vite më vonë ai do të ndodhet në çastin e duhur në Indokinë, por në vendin e gabuar, mbi një minë…
Por edhe kjo është një tjetër histori.

Related Posts

Leave a comment