Uzina Dinamo, Rruga Memo Meto, Tiranë

“A e ka pranuar Kurti Asosacionin brenda paktit franko-gjerman?”

-1200-630-634d5b6f648f2

Sebastia Zonja

“A e ka pranuar Kurti Asosacionin brenda paktit franko-gjerman?”

1. Zgjidhja e situatës në veri të Kosovës

Situata e tensionuar në veri të Kosovës, sipas meje, ka një zgjidhje shumë të thjeshtë, mjafton pak politikë e mirëmenduar dhe e koordinuar.

Ndërsa ishte në opozitë, Albin Kurti foli për dialog nga poshtë me serbët. Kontrolli i territorit nga ana e Prishtinës, për krejt hapësirën që mbulon republika, është qasja parësore që ka çdo shtet në botë. Nuk mund të lejosh enklava brenda shtetit.

Por krahas policisë në veri vjen edhe politika. Nuk duhet të përdorësh vetëm njërin nga instrumentet pa përdorur edhe tjetrin.

Nisja e dialogut në Prishtinë me serbët është një hap i domosdoshëm për të kontrolluar proceset që nesër mund të minojnë integritetin territorial.

Duke e pasur parasysh se historia ka treguar se ata që do të ulen përballë nisen me prapavijë nga Beogradi, mençuria është që bisedimet të vijonë për të treguar se Prishtina është duke ndërtuar procese dialogu, por ato minohen hap pas hapi nga Beogradi.

Sot, në pozita më të pafavorshme në arenën ndërkombëtare është Serbia, ndërsa ruan aleancë fluide me Rusinë. Dobësia e saj duhet shfrytëzuar me kujdes nga diplomacia shqiptare për të çuar presionin amerikan dhe evropian atje, jo në Prishtinë.

Retorika e fortë me opozitën e dëmton edhe më shumë situatën ku ndodhemi. Nuk ndihmon. Nuk jemi në fushatë zgjedhore, por përpara një problemi që kërkon zgjidhje të ngutshme.

2. Asosacioni në propozimin franko-gjerman

Neni 9: Kosova dhe Serbia pajtohen se Traktati i tanishëm nuk duhet të ndikojë te traktatet dypalëshe dhe shumëpalëshe ndërkombëtare dhe në marrëveshjet që tashmë janë arritur ose që lidhen me to.

Dy pjesëmarrësit e rëndësishëm të Rambujesë, Chris Hill dhe Aleksandr Bocan Kharchenko, sot, pas kaq vitesh janë dy diplomatë të rëndësishëm në Beograd, respektivisht ambasadori amerikan dhe ambasadori rus.

Dy persona kaq të rëndësishëm të vendeve anëtare të Këshillit të Sigurimit, jo më kot janë në të njëjtën kohë, pas kaq vjetësh, në Beograd.

Amerikanët janë duke kërkuar zbatimin e Asosacionit për Kosovën. Marrëveshja e firmosur mes palëve në vitin 2013, sot është protokolluar në Organizatën e Kombeve të Bashkuara. Garant për këtë marrëveshje kanë dal amerikanët dhe evropianët. Siç edhe e dimë, marrëveshjet ndërkombëtare mund të rinegociohen nëse të dyja palët e ndërmarrin hapin për ta çelur atë çështje, në të kundërt, mekanizmat e presionit nga vendet e fuqishme rriten ditë pas dite.

Unë anoj më shumë nga shkolla e realizmit gjeopolitik, ku, sipas kësaj shkolle, më i forti bën ligjin. Për të kundërshtuar rendin ndërkombëtar amerikan sot, edhe Kina po e pyet veten mirë, një nga vendet më të fuqishme në botë. Amerikanët nuk i marrin fare parasysh kërkesat e Rusisë për rendin ndërkombëtar, pasi nuk është aktor i fuqishëm sipas tyre. Ne nuk kemi mjete për t’i bërë presion amerikanëve që të pranojnë ndryshime të njëanshme në marrëveshjet ndërkombëtare. As serbët nuk kanë. Ndaj, zgjidhjen duhet ta gjejmë duke përdorur maturinë dhe jo retorikën me tradhëtarë.

Çështja e Asosacionit duhet shtruar për diskutim mes të gjithë aktorëve politikë. Hashim Thaçi përdori një taktikë tjetër për t’i ikur atij, duke shkuar në tezën e ndarjes së Kosovës. Deri më tani kemi dy zgjedhje: ose ndarje, ose Asosacion. Hashim Thaçi e bëri zgjedhjen e tij. Ajo ra. Sot nuk e dimë nëse Kurti e ka pranuar Asosacionin brenda propozimit franko-gjerman, apo ka ndonjë alternativë tjetër.

Me amerikanët nuk bëhet shaka. Retorikën mund ta përdorësh për publikun, por kur ulesh në tavolinat e rëndësishme ndërkombëtare, duhet të tregosh se di të mbash qëndrim prej lideri që i jep zgjidhje situatave të ndërlikuara.

3. Anëtarësimi në NATO

Topi është në fushën e Kurtit. Kërcënimi i butë i të Dërguarit Special amerikan Escobar duhet marrë parasysh. Në intervistën e tij të fundit për “Zërin e Amerikës” ai parashtroi se: “Ne kemi qenë po ashtu shumë të qartë me palën serbe se pajtohemi që çështja e Asociacionit të komunave me shumicë serbe duhet të jetë në rendin e ditës. Unë kam biseduar më një gamë të gjerë zërash brenda Kosovës që e mbështesin këtë dhe janë të vullnetshëm të ndihmojnë Kosovën të përmbushë detyrimet ndërkombëtare për këtë çështje”, tha zoti Escobar. Mund të mos na pëlqejë, por kërcënimi qëndron në këtë paragraf dhe duhet të merret parasysh.

Në krahun tjetër, ai kishte edhe një ofertë: “Pikëpamja jonë për Ballkanin Perëndimor është se rajoni duhet të jetë i integruar në komunitetin e vendeve demokratike perëndimore që do të thotë anëtarësim në Bashkimin Evropian për të gjithë, anëtarësim në NATO për ata që duan…”

Serbia e ka bërë të qartë se nuk do që të anëtarësohet në NATO. Ftesa është për Kosovën. Ajo po vjen nga një zyrtar i lartë i Departamentit të Shtetit.

Edhe pse u bë “luftë” për Demarkacionin me Malin e Zi, pas realizimit të tij, fqinji ynë u bë pjesë e NATO-s.

Edhe pse u dhunua parlamenti maqedonas dhe pati protesta të forta nga opozita për zgjidhjen e çështjes së emrit me Greqinë, pas dhënies drejtim të këtij problemi, Maqedonia u fut në NATO.

Anëtarësimi në NATO i Kosovës nuk ka pse të kalojë drejtëpërdrejtë nga njohja e pesë vendeve anëtare të BE-së që s’e njohin. Mjafton që ato të mos vendosin veto, sepse NATO është organizëm ushtarak, jo politiko-ekonomik si Bashkimi Evropian.

Si përfundim, në rendin e sotëm ndërkombëtar, ndoshta edhe në ato më herët, fuqia përcakton edhe të drejtën. Do të donim të ishte ndryshe, por nuk është. Amerikanët kanë bombarduar Beogradin, kanë dhënë pavarësinë e Kosovës, kanë futur Shqipërinë në NATO dhe sot po ndërtojnë premisat për të shtruar rrugën për në Bashkimin Evropian. Ata janë superfuqi, duam apo s’duam. Nuk e dëgjojmë që të kenë përplasje me fuqi të tjera evropiane, sepse evropianët bëjnë diplomaci nëpër tavolina dypalëshe e shumëpalëshe, pa lënë mudësinë që diplomacia e tryezave politike të bëhet nëpër mitingje dhe mediume televizive.

Maturia dhe diplomacia është me e rëndësishme se retorika dhe propaganda.

Related Posts

Leave a comment