Uzina Dinamo, Rruga Memo Meto, Tiranë

Kriza e COVID-19 në Kinë tregon se sa të rrezikshme mund të jenë diktaturat

-640-0-1672068816xchina-546

Kina ofron një rast studimi të shkëlqyer se si nuk duhen menaxhuar fazat e fundit të një pandemie. Pasi iu përmbajt për një kohë të gjatë objektivit fantazmagorik “Zero Covid”, Byroja Politike e Partisë Komuniste Kineze, e trembur nga një gjendje gati revolucionare në mesin e popullatës, u kap nga paniku dhe i dha fund thuajse menjëherë të gjitha kufizimeve të mëparshme tejet të ashpra në lidhje me pandeminë.

Rezultati ishte i parashikueshëm: një rritje e madhe e rasteve me COVID-19, që po kërcënon ta dërrmojë ekonominë e vendit dhe akoma më shumë, sistemin e tij shëndetësor të pazhvilluar si duhet. Në një vend me 1.4 miliardë banorë, kjo është e barabartë me shumë viktima, edhe nëse lloji i virusit që qarkullon tani po shkakton një formë relativisht të butë të sëmundjes.

Ka parashikime se gjysma e popullsisë së Shangait, rreth 25 milionë, do të infektohen së shpejti, dhe e njëjta gjë mund të ndodhë në të gjithë vendin. Dhe problemi është se duke punuar bazuar në keqkuptimin se COVID-19 mund të eliminohej vërtetë me testime dhe karantina të mjaftueshme, qeveria kineze nuk arriti ta shfrytëzojë kohën e blerë nga bllokimet për të vaksinuar qytetarët e saj.

Shkalla e përgjithshme e vaksinimit, rreth 60 për qind, është e dobët, dhe te disa grupe, si për shembull të moshuarit, numri i atyre që kanë marrë një dozë përforcuese është shumë i ulët. Kur sëmuren rëndë, gjasat janë që të mos kenë një shtrat në repartet e kujdesit intensiv.

Bllokimet kanë marrë fund aq shpejt dhe testimi i detyrueshëm është braktisur aq shpejt, saqë askush – përfshirë autoritetet kineze dhe Organizatën Botërore të Shëndetësisë – nuk e di se çfarë po ndodh aktualisht. Pasoja tjetër e kësaj vale gjigante të COVID-19 është se Kina, ashtu si çdo komb tjetër, do të përballet me një presion të vazhdueshëm ekonomik dhe social përmes efekteve të COVID-it të gjatë.

Dhe kjo do të dëmtojë jo pak aftësinë e ardhshme të Kinës për t’u rritur ekonomikisht, ofruar vende pune dhe ushqim për popullsinë e saj. Investimet dhe sektori i eksportit janë ndikuar tashmë negativisht nga një valë armiqësie perëndimore ndaj shtypjes së brendshme të presidentit Xi dhe ekspansionit të tij të jashtëm.

Ndërprerja e re e aktivitetit ekonomik nga kjo valë e re e COVID-it do të bindë akoma më shumë kompanitë transnacionale perëndimore që të “rishikojnë” praninë e tyre në Kinë dhe të zhvendosin prodhimin në Indi, Vietnam dhe Indonezi.

Asnjëra nga këto zhvillime nuk është një lajm i mirë për Kinën, dhe duke pasur parasysh se Kina është ekonomia e dytë më e madhe në botë, ajo as nuk do të jetë në gjendje të ndihmojë pjesën tjetër të botës që ta kalojë recesionin ekonomik. Eksportet e çdo gjëje – nga makineritë gjermane tek artikujt e modës luksoze italiane – do të preken nëse ngec tregu kinez.

Amerika mbetet e varur në mënyrë të rrezikshme nga fakti se Kina është mjaft e fortë për të blerë bonot e saj të thesarit. Në atë që është ende një ekonomi e globalizuar, nëse Kina preket nga i ftohti – pjesa tjetër e botës ‘teshtin’ dhe disa i kap ‘pneumonia’.

Tri vjet pasi u zbuluan rastet e para të një sëmundjeje të re misterioze në Vuhan, Kina është detyruar të kalojë nga politika e “Zero COVID” te të “jetuarit me COVID”. Është e mundur që variante dhe nënvariante të reja dhe më të rrezikshme mund të evoluojnë gjatë kësaj rritjeje të madhe dhe të papritur të infeksioneve, ku me qindra miliona qenie njerëzore mund të jenë gati për të përjetuar përsëritjet ekzistuese të koronavirusit.

Siç e zbuluam në vitin 2020, është thjesht e pamundur të parandalosh që virusi të kalojë kufijtë ndërkombëtarë. Dhe bota po pret me frikë atë që mund të dalë ende nga Kina. Jo se është shumë e dobishme për botën të shohë miliona të vdekur dhe industrinë kineze në kolaps.

Por ia vlen të theksohet se sistemi i errët dhe represiv i qeverisjes së Kinës, ka qenë një faktor i rëndësishëm në kapitullimin e saj përfundimtar shkatërrues ndaj COVID-19. Në Perëndim, edhe konspiracionisët më të rrezikshme mbi COVID-in, janë relativisht të lirë që të përhapin dezinformatat e tyre në internet.

Shkencëtarët, autoritetet e shëndetit publik, drejtuesit e kompanive farmaceutike dhe qeveritë vihen para përgjegjësisë nga media dhe përfaqësuesit e zgjedhur nga qytetarët. Vendimet mbi këtë çështje shqyrtohen me imtësi, dhe gabimet ekspozohen dhe korrigjohen.

Natyrisht, në Kinë ekzistojnë pak procese të tilla, pasi atje aftësia e shtetit për të imponuar vullnetin e tij mbi popullin mendohet, të paktën nga Partia Komuniste Kineze, si një burim force në rivalitetin e saj me Perëndimin demokratik që cilësohet “dekadent” dhe “i padisiplinuar”. COVID-19 ka treguar se sa dëm mund t’i bëjë një vendi jo vetëm koronavirusi, por edhe diktatura.

Related Posts

Leave a comment