Uzina Dinamo, Rruga Memo Meto, Tiranë

Françesko Krispi, Bismarku dhe Shqipëria

Conference between Otto von Bismarck (1815-1898) and Francesco Crispi (1819-1901) in Friedrichsruhe, October 1887, Germany, 19th century

Beqir Skreli

Në ç’cep të Shqipërisë ndodhet Italia
Para 25 vjetësh, një ditë kur ishim në Institutin e Gjuhës (DLI) në San Antonio, Texas, miku im A. M. më prezantoi me një shokun e tij officer Italian. Italiani qëlloi shakaxhi dhe kur e mori vesh që edhe unë isha nga Shqipëria pyeti:
– Në ç’vend të Italisë bie kjo Shqipëria?
– Në fakt, ia ktheva, pyetja duhet bërë pak më ndryshe. Duhet thënë : Në ç’cep të Shqipërisë ndodhet kjo Italia?
Italiani u gajas së qeshuri.
– Ti mund të qeshësh, i thashë, po nuk e di a do të jesh në gjendje të më përmendësh ndonjë emër italiani që ka qenë kryeministër i Shqipërisë.
– Nuk di, tha ai që nuk e priste këtë pyetje. Nuk di të ketë pasur.
– Në rregull atëhere, unë po të them një emër shqiptari që ka qenë për shumë vite kryeministër i Italisë.
Ky është Françesko Krispi.
Have a nice day, my friend!
Françesko Krispi dhe Shqipëria
Arbëreshi Francesko Krispi (1818-1901) është një nga figurat më madhore të historisë politike italiane të shekullit të XIX-të, një nga arkitektët e bashkimit të Italisë krahas gjigandëve të tille si Garibaldi dhe Xhuzepe Mazini, dy herë kryeministër, kryetar i dhomës së deputetëve, ministër i brendshëm, ministër i jashtëm.
Vëmëndja e Krispit për Shqipërinë, shkruan redaktori i tre vëllimeve të tij me kujtime, nuk ishte e shkëputur prej origjinës të familjes së tij e cila kishte emigruar nga Shqipëria në shekullin e pesëmbëdhjetë dhe pas shumë peripecish ishte vendosur në Palazzo Adriano në Siçili.
Mendimin e Krispit për Shqipërinë e gjejmë të shprehur më qartë në një shënim të tij të 1 Majit 1900:
“Kohët e fundit flitet se diplomacia vjeneze po mendon pushtimin e Shqipërisë. Ky është një supozim vërtet i çuditshëm. Shqipëria nuk është sllave. Shqiptarët janë një komb me personalitet të veçantë, me gjuhën dhe zakonet e tyre që tregojnë një origjinë pellazgjike.
Në këto kushte, është e natyrshme, që në përputhje me dëshirën e madhe që ky vend ushqen prej një kohe të gjatë, Shqipëria të lejohet të shpallë pavarësinë e saj. Do të ishte një gabim i rëndë të kërkosh përfshirjen e saj në vendet sllave të Evropës.
Shqipëria i rezistoi pushtimit turk më gjatë se çdo vend tjetër. Në qoftë se në shekullin e XV-të, pas vdekjes së Kastriotit u detyrua të dorëzohej dhe të pranonte zgjedhën otomane, ajo kurrë nuk u pushtua me të vërtetë dhe në këtë shekull ajo është e para që rrezikoi duke u ngritur në një rebelim të fuqishëm.
Heronjtë më të shquar të luftës për emancipimin e Greqisë ishin shqiptarë. Sikur Greqia të kishte pasur fuqi asimiluese, ky popull, aspiratat politike dhe fetare të të cilit kanë kaq shumë gjëra të përbashkëta me grekërit, ndoshta mund të ishte pjesë e Greqisë sot. Në vend të kësaj, shumë shqiptarë zgjodhën të vijnë këtu dhe të vendosen në jugë të Italisë dhe në Siçili.
Në momentin aktual, Austria nuk do të kishte ndonjë përfitim nga aneksimi i Shqipërisë kurse Italia do të pësonte një dëm të pariparueshëm; nga ky aneksim asaj nuk do t’i mbetej asnjë gjurmë nga ndikimi i saj në Adriatik.
Natyrisht, një fyerje e tillë ndaj pretendimeve dhe të drejtave tona të shenjtëruara nga një traditë e lavdishme dhe e vjetër, është e papranueshme për ne.
Shqipëria ka të gjithë elementët thelbësorë për formimin e një shteti të pavarur. Për këtë, në të vërtetë, ajo është më e pajisur edhe se Serbia e Bullgaria. Duke i dhënë asaj autonominë, Evropa s’do bënte gjë tjetër veçse të tregonte qyterimin e saj. Marrdhënjet e ngushta dhe miqësore që kanë mbijetuar për më shumë se pesë shekuj midis Italisë dhe Shqipërisë e kanë sjellë atë më afër nesh sesa ndaj Austrisë dhe aneksimi i saj nga kjo perandori nuk do të sillte gjë tjetër veçse do të shtontë mosmarrveshjet dhe pështjellimin e gjuhëve që tashmë mbisundon në Austri.”
Merrni Shqipërinë!
Përveç “thirrjes së të parëve” qëndrimi i Krispit ndaj Shqipërisë kushtëzohej kryesisht nga interest pragmatiste të politikës italiane.
Në prag të Kongresit të Berlinit, në vjeshtën e vitit 1877, me cilësinë e kryetarit të dhomës së deputetëve, Krispi ndërmori një tur në disa vende të Europës (Francë, Gjermani, Angli, Austri) ku u takua me personalitetet europianë më të shquar të kohës. Më 17 shtator ai takoi “kancelarin e hekurt” princin Otto von Bismark kurse më 5 tetor sekretarin britanik të punëve të jashtme lordin Derby.
Në ditarin e Krispit gjejmë këtë shënim në lidhje me një bisedë të tij me Domeniko Farinin, presidentin e Senatit Italian, më 26 tetor 1896.
“Më 1877 siç mund ta dini, ne ishim kundër aneksimit austriak të Bosnjë-Hercegovinës. Këtë qëndrim të qeverisë italiane unë iua shpreha Derbit dhe Bismarkut, të cilët në një mënyrë të mënjëhershme që më la pa frymë, mu përgjigjën:
Merrni Shqipërinë!
Natyrshëm pyeta: E ç’të bëjmë me të?
“Është gjithmonë një garanci.” tha Derbi
“Në qoftë se nuk ju pëlqen Shqipëria merrni një provincë tjetër turke në Adriatik.” shtoi Bismarku.
Duke qenë se kisha paraqitur mbrojtjen e Italisë si motiv për refuzimin tim që Bosnja dhe Hercegovina t’i jepeshin Austrisë, kuptimi vërtetë i fjalëve të këtyre dy shtetarëve ishte i qartë për mua…”
Krispi nuk ishte i kënaqur me këtë propozim. Nuk dihet se cili do të kishte qenë qëndrimi i tij po të kishte qenë në post në kohën kur Kongresi i Berlinit ia dha Austro-Hungarisë Bosnjën dhe Hercegovinën.
Sidoqoftë, është fakt që si ministër, në marrveshjet e mëvonshme me Austro-Hungarinë dhe me Anglinë, ai e konsideronte të padiskutueshme pavarësinë e Shqipërisë në qoftë se një ditë ajo do të shkëputej nga Perandoria Ottomane.

Related Posts

Leave a comment