Uzina Dinamo, Rruga Memo Meto, Tiranë

PËRGJIGJE PËR KË BIEN KAMBANAT…

download (37)

Zija Cela

– Ranë në Paris, por u dëgjuan në Tiranë –

Ashtu ndodhi, nga Parisi mikja ime Caterina ma bëri të ditur po atë ditë se Yves Michalon mbylli sytë. Dhe ndjeva menjëherë si peshojnë në zemër lajmet e rënda të mortit.
Kurrë s’ishim takuar, madje ende s’e kishim shkëmbyer një fjalë. Por i vlerësoja letrat e tij dhe vepren e tij jetesore që, siç do të shkruante atje Luan Rama, prirej nga fryma e lirisë. Pas romanit “Le Pousse-caillou”, për të cilin u vlerësua me çmimin e Akademisë Franceze për letërsinë, kishte botuar «Pasioni i Saint-Juste», «Boulevard de l’Absolu» e më pas romanin e njohur «Në mbretërinë e bretkocave një mëllenjë e bardhë na shfaqet».
Kur Sebastien Grigourt më tha se “Djalli Komik” (Le Diable comique), romani im i perkthyer mjeshtërisht prej tij, ishte tashmë në redaksinë e Fauves-Michalon, pata vetiu një si shkrepje. Pse shkrepje, po them më mirë një përndezje, një qejf a kërkesë shpirtërore. Nisa t’i shkruaja një letër këtij personaliteti me dëshirën që, si kolegu për kolegun, mundësisht ta lexonte edhe vetë romanin para botimit. E doja kete kontakt me shkrimtarin, botuesin dhe intelektualin e shquar. Por pastaj i fola vetes, a kam të drejtë, sa është e arsyeshme kjo kërkesë obliguese?!… Dhe hoqa dorë nga letra. Më ruajti Zoti, sepse pastaj mora vesh se Michalon vuante nga një sëmundje e pashërueshme.
Pak pas botimit të romanit vitin e shkuar, më erdhi kjo foto nga Parisi. Yves Michalon po lexonte “Le Diable komique”. M’u bë sikur kishte diçka mistike mes nesh. A thua pa e njohur kurrë atë këtkesën time shpirtërore kishte përjetuar ndoshta të njëjtën dëshirë, të njëjtën marrëdhënie?! Dhe në atë kohë pak jetë i kishte mbetur. Vallë, arriti ta çonte deri në fund?! Vallë, mos ishte libri i fundit që lexoi në botën e këtejshme?!
Pak ditë më vonë, gjatë ceremonisë mortore, do të binin kambanat e kishës Saint Sulpice. Atje s’isha, por deri këtu i kam dëgjuar. Dhe të jesh i sigurt, Yves Michalon, unë e di përgjigjen e pyetjes për kë bien kambanat, unë e jetoj atë përgjigje dhe shkruaj për jetën e vdekjen. E meqë vdekja ndan por edhe bashkon, një ditë patjetër do të takohemi matanë. Atëherë unë, bash si kolegu kolegut e bash si burri burrit, do t’ju shpreh drejtpërdrejt respektin e thellë sa vetjak, aq edhe për gjithë sa bëtë ndaj letrave shqipe. Dhe ju e dini mirë, i shtrenjti mik, se ashtu si vetë Shpirti, mirënjohja andej është eterne.

*
Shkrimtari, poeti dhe eseisti Luan Rama, ish-ambasadori ynë në Paris, me mirësinë e vet të njohur do të më dëshmonte kështu në një ese të paharrueshme: “Lajmin e hidhur para katër ditësh e mora nga Zija Çela. Ndjeva dhimbje në zërin e tij për humbjen e një miku. Donte të ngushëllonte familjen, miqtë, bashkëpuntorët e tij e për më tepër të një botuesi që deri në orët e fundit të jetës punoi dhe për letërsinë shqiptare, që ajo të gjente vendin e saj në botimet franceze. Një fotografi e romanit «Le Diable Comique» («Djalli komik») i Zija Çelës…”
Dhe në mbyllje të esesë: “Duke shkuar nën «Kantikën e Simeonit» dhe në vargjet biblike : «Ajo që ti ofrove në këtë jetë do të mbijetojë – ai që humb jetën një ditë do ta gjejë», poshtë asaj kubeje madhështore dhe kambanave që do të binin, Michalon linte pas jo thjesht kujtime, por shëmbullin e kurajos, dinjitetit, humanizmit, çka ishin thelbi i jetës së tij. Duke kaluar para arkivolit, mendova mungesën që do të ndjejnë dhe shkrimtarët shqiptarë, dhe ja pse, në emër të Zija Çelës, preka arkivolin aty ku poshtë prehej balli, për t’i lënë një përshëndetje të tij të fundit.”

Fotografia e Zija Cela
Fotografia e Zija Cela

Related Posts

Leave a comment