Uzina Dinamo, Rruga Memo Meto, Tiranë

NË PIKËN E QEJFIT, SHPIRTRAT E MEDHENJ HAPEN SI HORIZONTI…

366745602_1353954048548880_1213872523119303261_n
Nga Zija Cela-
Si dhe sa e lexojnë shkrimtarët njëri-tjetrin? Ka autorë që lexojnë dhe shprehen për të tjerët. Ka autorë që lexojnë, por nuk flasin për të tjerët. Ndërsa një palë, megjithëse kolegët nuk i lexojnë, gjithandej i mohojnë dhe vetëm i mohojnë. Nga vreri i zi këta janë të gatshem të mohojnë edhe Zotin, vetëm e vetëm pse i la pergjysmë si shkrimtarë. Zakonisht, prej kësaj skote asnjëri nuk përfundon si shkrimtar i mirë.
Sa interesant është komunikimi midis kolegëve, në rastet kur korrespondenca ekziston. Shpirtrat e mëdhenj janë si horizonti që pason horizontin dhe, ndërsa hapësira zgjeron kufijtë, e madhërishmja nis e zotëron aty.
E gjej këtë shenjë edhe në letrën e mëposhtme të kolegut, që merr shkas nga një roman në doreshkrim. Është shkruar nga Mehmet Kraja, një autor i mirënjohur, prozator i përmasave madhore, i cili qëndron me dinjitet në ballë të letërsisë shqipe, duke sjellë kontribute të shquara në zhvillimet e romanit bashkekohor. Por i njohur gjerësisht edhe si polemist i flaktë, logjik dhe argumentues, i papajtueshëm ndaj çdo kompromisi që shkel interesin publik. Mehmet Kraja, tashmë, është gjithashtu Kryetar i Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës, si dhe anëtar i Akademisë në Tiranë.
Çfarë rastësie! Bash pardje (nganjëherë uratat të ndjekin vërtet), pra bash pardje kam marrë një letër tjetër përgëzimi nga Kraja. Por ajo i përket romanit “Pilisama Selfie”, atij që kam shkruar së fundmi, dorëshkrimin e të cilit Kraja sapo e ka lexuar dhe, ndoshta, letrën do ta postoj për lexuesit herë tjetër. Miqtë e kujtojnë se “Banka e Ankesave”, botuar nga Onufri, u përurua në dhjetorin e kaluar gjatë Panairit të Librit.
Pershendetje mik Zija,
U perpoqa të lidhem me ty në viber, t’i dërgova nja dy mesazhe, por e shoh se nuk i ke marrë. Më anë tjeter, të shoh hera-herës në fb, çka më bën të kuptoj se e ke ndalur telefonin dhe je duke bërë pushim për merak!
Sikundër mund të të shkojë ndër mend, me ta marrë romanin “Banka e Ankesave”, e printova, sepse të tillë e lexoj më mire. Dhe e lexova jo me nguti, as duke i vënë vetes ndonjë detyrim, por për pikën e qejfit, ngadalë, duke shijuar secilën fjali, secilin paragraf. E perfundova para dy ditësh dhe, siç e kemi bërë zakon, i shkrova nja tre paragrafe të shkurtë, duke u përpjekur të bëj një kondensim mendimesh, në menyrë që të jem i saktë dhe joinflator. Kjo më shkaktoi pak mundim, më shumë se po të kisha shkruar gjatë e gjatë. Tani këtë tekst të shkurtë po ta dergoj, pa obligim që ta përdorësh, por edhe nëse e përdor, je i lirë të bësh çfarë të duash me të. Besoj se idetë aty janë të qarta. Për mua kjo ka rëndësi… Dhe ka rëndësi të them saktë, pa ekuivoke: je romancier i mbaruar dhe ta kam lakmi për lehtësinë me të cilën e bën “rrëmujë” këtë botën tonë të dhjerë!
Urime mik! Tani bëj një pushim se e ke hak.
m.k.
(Ato tre paragrafet e kondensuara u botuan në kopertinën e “Bankës së Ankesave – z.ç.)

Related Posts

Leave a comment