Uzina Dinamo, Rruga Memo Meto, Tiranë

Vjosa Park Kombëtar, Rama: Synojmë të zgjerojmë në 30% zonë të mbrojtur të territorit

auto_Capture961678878313

Kryeministri Edi Rama e ka cilësuar shpalljen e Vjosës si Park Kombëtar si një moment historik.

Ky është një moment historik në përpjekjen për mbrojtjen e natyrës dhe për transformimin e mendësisë lidhur me natyrën si një hapësirë e përbashkët ku zhvillimi ekonomik, zhvillimi social dhe trashëgimia për brezat që vijnë si një stafetë e mirëqenies mund të shihet dhe duhet të shihet krejt ndryshe nga sa rëndom jemi mësuar duke e kërkuar tek shfrytëzimi pa kriter dhe pa karar i natyrës. Ky është moment i rëndësishëm për vendin tonë sepse saksionojmë atë që kemi dëshiruar shumë qysh në krye të herës atë për të cilën jemi zotuar dhe atë që për ta bërë realitet na u desh kohë pasi nuk është një vendi i lehtë, është i vështirë për 1001 arsye, shpalljen e Vjosës Park Kombëtar”.

Kryeministri foli edhe për ata europianë, sipas tij, që folën për të mos lejuar shkatërrimin e Vjosës. E për këtë europianë, Rama tha se pasi “zbutën lumenjtë e tyre të egër në Europë, kërkonin mbrojtjen e lumit të Vjosës”

Më vjen shumë mirë që ia dolëm kësaj ndërmarrje sfiduese dhe patjetër që i jam shumë mirënjohës të gjithë atyre që kontribuan për të ardhur këtu, ku dua të veçoj dy njerëz; Mirelën ministren e Turizmit dhe Mjedisit dhe Adelinën, drejtoren tonë të Agjencisë Kombëtare të Planifikimit, të cilat me shumë këmbëngulje dhe durim bashkërenduan shumë forca që u bënë bashkë në këtë proces. Sot ne mbrojmë përgjithmonë lumin e fundit të egër të Europës dhe në këtë rrugë patëm shumë europianë që pasi i zbutën lumenjtë e tyre të egër për t’i shfrytëzuar, u turrën tek Vjosa që ta mbrojnë nga zbutja. Shumë europianë që pasi kthyen tigrat e natyrës së tyre në mace shtëpiake, u turrën drejt nesh që të mos guxojmë të zbusim tigrin tonë. Është kënaqësi që edhe atyre u japim kënaqësi që përmes Vjosës të bëjnë një larje të sipërfaqshme të ndërgjegjies së tyre, ashtu sikundër përmes tyre kemi pasur fatin të takojmë njerëz që janë vërtetë bekimi i këtij planeti, sic është Rajan që shet rroba në gjithë botën, por ka shqetësim për të kontribuar në këtë planet i cili është në udhëkryq, me të cilët jemi të lumtur që të mund të bashkëpunojmë”, deklaroi Kryeministri Edi Rama.

Rama deklaroi gjithashtu se qeveria Shqiptare synon që të zgjerojë në 30% si zonë e mbrojtur territorin e vendit.

Pas këtij vendimi, tha Rama, fillon puna më e vështirë për të kthyer në mirëqenie për qytetarët të gjithë zonën e Parkut Kombëtar të Vjosës.

“Unë shpresoj që të gjithë këta mos ikin tani në drejtim të paditur pasi e garantuan që “tigri” nuk do bëhet mace, por të qëndrojnë këtu me ne për të vazhduar tani që këtë pasuri ta madhe ta kthejmë në mirëqenie, ta kthejmë në burim zhvillimi ekonomik, social dhe ekologjik të qëndrueshëm dhe në një model për të gjithë në Shqipëri dhe përtej Shqipërisë”.

Aktualisht harta e zonave të mbrojtura në Shqipëri zë 21% të territorit dhe synohet që të shkohet drejt 30%.

“Sot Shqipëria ka 21% të territorit zonë të mbrojtur. E kemi gjetur me shumë më pak. Objektivi ynë është që ta çojmë në 30% territorin e vendit tonë që është zonë e mbrojtur. Është një objektiv që është shumë ambicioz. Këtur bëhet e domosdoshme gjetja e partnerëve dhe aleatëve të ditur. Vlera e madhe e shtuar që Patagonia është pikërisht dija, eksperienca e madhe dhe të jetuarit në kërkim të vazhdueshëm të rrugëve me efiçencën më të lartë për të sjellë më shumë ekonomi për njerëzit që jetojnë në këto zona të mbrojtura”, tha ndër të tjera Kryeministri Rama.

Related Posts

Leave a comment