Uzina Dinamo, Rruga Memo Meto, Tiranë

DASH: Të zbatohet marrëveshja mes Kosovës dhe Serbisë

-640-0-1677658946xdash-253 (2)

SHBA-ja pret që Kosova dhe Serbia të përmbushin të gjitha pikat e marrëveshjes që është rënë dakord në negociatat e mëparshme, përfshirë formimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe. Këtë ka deklaruar për Zërin e Amerikës Departamenti i Shtetit.

“Fokusi ynë është në zbatimin e marrëveshjes për normalizimin e marrëdhënieve mes dy vendeve, në mënyrë që t’i ndihmojmë ata të zhvillojnë marrëdhënie më paqësore, të parashikueshme si fqinjë, të cilat do të mundësojnë stabilitet, siguri dhe prosperitet më të madh në rajon.

BE-ja pret që të dyja palët të përmbushin zotimet dhe zbatimin e marrëveshjeve të mëparshme nga dialogu, duke përfshirë edhe Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe, gjë që u konfirmua nga të dy liderët në takimin e 18 marsit në Ohër”, thuhet në përgjigjen me shkrim të DASH-it, duke shtuar se SHBA-ja mbetet e angazhuar në mënyrë aktive në mbështetjen e Kosovës dhe Serbisë në zbatimin e aneksit.

Ndonëse marrëveshja për Asociacionin u nënshkrua në vitin 2013 dhe u konfirmua me propozimin evropian dhe aneksin e Ohrit, nuk ka pasur përparim në këtë çështje gjatë muajit të kaluar.

Beogradi kërkon formimin e AKS-së si kusht për pjesëmarrjen e serbëve në zgjedhjet lokale në veri të Kosovës.

Edhe Ambasadori amerikan në Serbi, Christopher Hill,  tha se është koha për të formuar Asociacionin e komunave me shumicë serbe në Kosovë.

“Këtë javë bëhen 10 vjet prej nënshkrimit të Marrëveshjes së Brukselit, dhe është koha që të formohet Asociacioni. Ajo se çfarë mund t’ju garantoj është që nuk do të dorëzohemi derisa të ndodhë”, u ka thënë Hill gazetarëve.

Sipas tij, serbët duhet të kenë besim në marrëveshje të tilla, sepse nëse nënshkruhen, ato me patjetër duhet të zbatohen.

“Një tjetër arsye, ndoshta edhe më e rëndësishmja, është që këto komunitete në Kosovë duhet ta dinë se çfarë e ardhme i pret, sepse ato nuk janë formuar dje, ato kanë qenë në Kosovë për vite. Dua vërtet t’ju siguroj që do ta trajtojmë këtë detyrim me seriozitetin më të madh”, ka thënë ai.

Kosova dhe Serbia kanë nënshkruar marrëveshjen për formimin e Asociacionit më 2013 dhe më pas për parimet e tij më 2015.

Më 2015, Gjykata Kushtetuese e Kosovës ka gjetur që disa parime të marrëveshjes nuk janë në përputhje me kushtetutën, por që mund të harmonizohen.

Megjithatë, Qeveria aktuale në Kosovë ka refuzuar formimin e asociacioneve njëenitike, duke thënë se mund të dëmtojnë funksionalitetin e Kosovës.

Pas presionit të komunitetit ndërkombëtar, Kosova është zotuar për të krijuar një “nivel të vetëmenaxhmit” për serbët.

Related Posts

Leave a comment