Duke ngritur alarmin në lidhje me pretendimet për zgjerimin e NATO-s në Azi, Kina ka deklaruar se kjo do të “minojë paqen dhe stabilitetin rajonal”.
Mao tha se “përpjekja e vazhdueshme e NATO-s drejt lindjes në Azi-Paqësor dhe ndërhyrja në çështjet rajonale do të dëmtojë në mënyrë të pashmangshme paqen dhe stabilitetin rajonal dhe do të nxisë konfrontimin midis kampeve”.
Reagimi i saj vjen pas raporteve se NATO ishte në bashkëpunim me Japoninë për të hapur zyrën e saj të parë aziatike në Tokio.
Të mërkurën, gazeta ‘Nikkei Asia’ raportoi se NATO në shtrirjen e saj në Azi-Paqësor do të hapë zyrën e saj të parë aziatike në Japoni.
Gazeta japoneze raportoi se zyra e ndërlidhjes në Tokio “do të lejojë aleancën ushtarake të kryejë konsultime periodike me Japoninë dhe partnerët kryesorë në rajon, si Koreja e Jugut, Australia dhe Zelanda e Re, ndërsa Kina shfaqet si një sfidë e re, krahas fokusit të saj tradicional ndaj Rusisë”.
Ndërkohë, Pekini akuzoi SHBA-në për shndërrimin e Tajvanit në një “fuçi baruti”.
Duke iu referuar vizitës të 25 kontraktorëve të mbrojtjes amerikane në vendin ishull këtë javë, zv/ministrja kineze e Punëve të Jashtme, Hua Chunying, shkroi në twitter se, “SHBA-ja po e kthen Tajvanin në një fuçi baruti. Ajo për të cilën realisht interesohet qeveria amerikane nuk janë banorët e Tajvanit, por mbushja e xhepave të tregtarëve amerikanë të armëve”.
Ajo tha se kompanitë amerikane të mbrojtjes kanë diskutuar “prodhimin e më shumë dronëve dhe armëve për ishullin”.
Kina e konsideron Tajvanin si “provincën e saj të shkëputur”, ndërsa Taipei këmbëngulë për pavarësinë e saj që nga viti 1949.