Uzina Dinamo, Rruga Memo Meto, Tiranë

PS tërhiqet nga draftet ‘për lustracionin’ pas shqetësimeve të BE

-640-0-40f4448b984e29dd38d1619ff1803402 (1)

Një letër e ambasadores së Bashkimit Europian në Tiranë për Komisionin e Ligjeve nxiti mazhorancën që të tërhiqej përkohësisht nga votimi i dy projektligjeve të saj që ndalonin ish-bashkëpunëtorët e Sigurimit famëkeq të regjimit të Enver Hoxhës që të bënin karrierë politike.

Drejtuesja e delegacionit të BE-së, Christiane Hohmann, shkruante se kjo çështje lidhej me shtetin e së drejtës dhe të drejtave të njeriut dhe i kërkonte Komisionit të Ligjeve që të sigurohej që nisma të tilla të ishin në përputhje me standardet e Komisionit të Venecias dhe opinionet që ky i fundit ka dhënë për të njëjtën çështje në vitet 2009 dhe 2018.

“[Komisioni] Të sigurojë që nismat aktuale ligjore të jenë plotësisht në përputhje me parimet dhe kriteret kryesore të nënvizuara nga Komisioni i Venecias në opinionet e tij të përmendura më sipër dhe të përmbajnë të gjitha masat mbrojtëse të nevojshme,” sugjeron ambasadorja e BE-së.

Letra e Hohmann i referohej nismave të PS-së për ndryshime në ligjin “Për garantimin e integritetit të personave që zgjidhen, emërohen ose ushtrojnë funksione publike”, i ashtuquajtur ligji i dekriminalizimit dhe në ligjin për partitë politike, duke parashikuar heqjen e mandatit të deputetit për personat që ka qenë bashkëpunëtor me ish-sigurimin e shtetit dhe ndalimin e ish-spiunëve për t’u zgjedhur kryetar të një partie politike.

Letra u bë publike nga deputeti i opozitës, Gazment Bardhi gjatë debatit në komision, ku po diskutoheshin dhe 2 projektligje të ngjashme të propozuara nga deputetët e opozitës.

Ai akuzoi kryetaren e komisionit, Klotilda Bushka se me vetëdije kishte tentuar të shmangte shqetësimin e BE-së, duke mos e shpërndarë letrën për të gjithë anëtarët e komisionit.

“Si e kuptoj unë shqetësimin e delegacionit të BE, kërkesa e tyre është që para se të ecim me iniciativa të tilla që prekin shtetin e së drejtës dhe të drejtat e njeriut, do të duhet patjetër që ne ti drejtohemi Komisionit të Venecias për një verifikim të këtyre nismave,” tha Bardhi.

Edhe deputeti Oerd Bylykbashi, i cili ishte nismëtar i njërës prej nismave të lustracionit propozoi që të kërkohej një opinion i ri nga “Venecia”, duke i cilësuar propozimet e socialistëve si dispozita ligjore që binin ndesh me Kushtetutën dhe parimet themelore të shtetit të së drejtës.

Bushka u mbrojt duke bërë të ditur se letra e BE-së i ishte vënë në dispozicion relatores së nismave të PS-së, Ermonela Felaj, që ajo të kishte parasysh nëse nismat përmbushnin standardet e opinioneve të mëparshme të Venecias.

Ndërkohë, Felaj i mbrojti nismat, duke i cilësuar të vonuara, por të nevojshme. Ajo këmbënguli për miratimin e nismave duke kërkuar konsesusin e opozitës për të gjetur pikat e përbashkëta mes nismave dhe ndryshimet e nevojshme, bazuar në opinionet e mëparshme të Venecias.

Edhe Bushka propozoi ndërprerjen e diskutimeve dhe realizimin e një konsultimi mes nismëtarëve përtej Komisionit të Ligjeve që të hartohet një nismë që bashkon palët.

“S’do bëjmë 3 ligje për një gjë, na duhet një ligj dhe qëllimi është që të bëhet sipas standardeve,” tha ajo duke ftuar deputetët që të ulen e të gjejnë një zgjidhje.

Nëse palët nuk gjejnë konsensus deri të enjten, kur është parashikuar votimi i tyre në seancë plenare, projektligjet pritet të tërhiqen ose të rrëzohen pasi për miratimin e tyre duhet shumicë e cilësuar.

Iniciativat e socialistëve u dorëzuan vitin që shkoi në Kuvend, pasi AIDSSH njoftoi Kuvendin se një email anonim kishte hedhur dyshime se një politikan i lartë me inicialet I.M kishte qenë bashkëpunëtor i ish-Sigurimit.

Autoriteti i Dosjeve kërkoi në atë kohë të drejtën për të riverifikuar figurat e zyrtarëve të lartë që kishin marrë “çertifikatë pastërtie” nga dy komisione të ngritura në vitet pas rënies së komunizmit, “Mezini”, “Bezhani”.

I dyshuari kryesor, ish-presidenti Ilir Meta, aktualisht kryetar i Partisë së Lirisë, i hodhi poshtë akuzat dhe e cilësoi inciativën një sulm politik duke hapur një betejë ligjore me AIDSSH-së.

Pavarësisht kritikave se po përdorej si instrument politik për të sulmuar figura të opozitës, Kuvendi miratoi në tetor 2022 ndryshimin në ligjin e autoritetit duke lejuar rihapjen e dosjeve të komisioneve “Mezini”, “Bezhani”, nga verifikimi i të cilëve Meta kishte dalë “i pastër”.

Në më shumë se 3 dekada pas rënies së sistemit komunist Shqipëria nuk ka arritur të kryejë një lustracion të plotë dhe të dënojë krimet e shkuara pavarësisht disa nismave ligjore. Ligji i fundit për lustracion u miratua nga parlamenti në vitin 2008 dhe më pas u shfuqizua nga Gjykata Kushtetuese pas padisë së Partisë Socialiste.(BIRN)

Related Posts

Leave a comment