Uzina Dinamo, Rruga Memo Meto, Tiranë

Shtëpia që do duhej ta blinte Kosova…

2848219842332232502

Enver Robelli-

Gazeta amerikane “Wall Street Journal” dhe revista mujore “Washingtonian” njoftuan këto ditë se është nxjerrë në shitje shtëpia e Madeleine Albright, ish-sekretares amerikane të shtetit. Albright ka qenë diplomate kyçe e administratës së presidentit Bill Clinton gjatë viteve vendimtare të çlirimit të Kosovës. Çmimi i shitjes është 4 milionë dollarë. E ndërtuar rreth vitit 1853, Albright e bleu këtë shtëpi nga fundi i viteve 1960-të. Shtëpia gjendet në Georgetown, një lagje e njohur e Washingtonit. Në këtë adresë Albright priti diplomatë dhe ekspertë të politikës së jashtme. Duke e pasur parasysh rolin e saj të pazëvendësueshëm në historinë e re të Kosovës, do të ishte mirë që këtë shtëpi ta blinte shteti i Kosovës. Meqë Kosova së fundi ka blerë ndërtesën e ambasadës në Washington, gatishmëria për të blerë një tjetër patundshmëri në kryeqytetin amerikan me gjasë nuk është e madhe. Por nuk është e thënë të ndajë shteti para. Shtëpinë e Madeleine Albright mund ta blejnë dy-tre apo më shumë biznesmenë shqiptarë dhe t’ia lënë në dispozicion shtetit të Kosovës. Pastaj mund të bëhet qendër kulturore e Kosovës në SHBA. Ose, në bashkëpunim me Shqipërinë, mund të hapet në këtë shtëpi një muze i diasporës shqiptare në SHBA, ku mund të prezantohen biografi personalitetesh të rëndësishme – nga Faik Konica e Fan Noli deri te aktivistët e palodhshëm e zemërgjerë të viteve 1980-të e 1990-të, të cilët dhanë kontribut thelbësor për informimin dhe sensibilizimin e opinionit amerikan për çështjen e Kosovës. 4 milionë dollarë 4 biznesmenë të fuqishëm shqiptarë i bëjnë gati për 4 orë ose 4 ditë. Ose ndoshta del ndonjë organizatë joqeveritare serioze dhe nisë një aksion (crowdfunding), ku shqiptarët nga mbarë bota mund të kontribuojnë për ta blerë ndërtesën – për shembull: 500 mijë shqiptarë nga 8 euro (ose dollarë apo franga) dhe mbaroi puna…
Copyright: E.R. & Koha

Related Posts

Leave a comment