Uzina Dinamo, Rruga Memo Meto, Tiranë

Netanyahu është një mallkim mbi shpatullat e Biden

-800-0-fd3cbf65775d6d61f4edf53de1418055

Nga Edward Luce

Avokatët janë mësuar që kurrë të mos i pyesin një dëshmitari një pyetje të cilës nuk i dinë përgjigjen. Kjo logjikë zbatohet edhe në aleancat në kohë luftërash. Joe Biden i ka varur shpresat te një njeri – Benjamin Netanyahu – që është bashkëkrijues i dilemës së kobshme me të cilën përballet tani Izraeli. Problemi me strategjinë shtrënguese të Biden është se ai nuk ka veto mbi veprimet e kryeministrit izraelit. Mjeti që Biden përdor është ndikimi. Çdo gjë rreth Netanyahut sugjeron se bindja në prapaskenë është një metodë që nuk funksionon.

Nëse nuk do të ishte lideri i diskredituar i Izraelit, strategjia e Biden do të ishte e arsyeshme. Izraeli ndihet i lënduar dhe i kërcënuar; përqeshja publike nga mbështetësi kryesor në Uashington vetëm sa do të thellonte ndjesinë e izolimit; dhe kjo do të shtonte gjasat që Izraeli të merrte masa të verbëra që do ta dëmtonin më shumë sigurinë. Fatkeqësisht kjo po ndodh. Politika dashamirëse e Biden po përgënjeshtrohet nga veprimet e Izraelit.

Zyrtarët e Shtëpisë së Bardhë thonë se presioni i Biden e ka detyruar Izraelin të rivendosë shërbimet e internetit në Gaza dhe të lejojë një sasi të kufizuar të ndihmës humanitare të hyjë në enklavë. Është po ashtu e mundur që Forcat e Mbrojtjes së Izraelit do të kishin hyrë në Gaza shumë më shpejt dhe në mënyrë më të armatosur sesa nga ajo që po ndodh. Kundërfaktet janë vështirë të provohen.

Stafi i Biden thotë se qasja e tij po funksionon edhe pse do të jetë e vështirë që bota të bindet për këtë. Por arsyetimi i tyre po shkatërrohet. Rasti për një qasje më të ashpër nga Biden bëhet nga Netanyahu thuajse përditë. Javën e kaluar, Netanyahu citoi profecitë e Isaias në mbrojtje të luftës që po vjen. Kjo ishte një referencë biblike për mbrojtjen e popullit hebre nga Zoti. Gjithashtu shërbeu si një mesazh i koduar për aleatët e Netanyahut në lëvizjen evangjeliste në Amerikë. Një prej tyre, Mike Johnson, është tani kryetar i dhomës së përfaqësuesve në SHBA.

Kjo retorikë e udhëheqësit të Izraelit dhe udhëheqësit de facto të opozitës amerikane e privon Hamasin nga monopoli i errët mbi teokracinë. Në një postim tashmë të fshirë nga rrjetet sociale, Netanyahu foli për një luftë midis “fëmijëve të dritës dhe fëmijëve të errësirës”. Nga këndvështrimi i Biden, këto imazhe janë katastrofike. Më shumë se 3,000 fëmijë palestinezë mendohet se janë vrarë deri tani dhe bilanci me gjasa do të rritet.

Por në kriza ka edhe mundësi. Biden ka theksuar se qëllimi i Amerikës mbetet një zgjidhje me dy shtete. Në teori kjo është errësira para agimit, masakra barbare e Hamasit dhe veprimet hakmarrëse të Izraelit kanë përforcuar idenë se vetëm një shtet palestinez mund të garantojë sigurinë e Izraelit. Alternativat – një shtet laik dy-kombësh, ose status quo – mund respektivisht të hidhen poshtë si fantazi apo të papranueshme. Por puna e jetës së Netanyahut ka qenë që ta pamundësonte zgjidhjen me dy shtete.

Një nga arsyet pse shërbimet e sigurisë së Izraelit u kapën në gjumë më 7 tetor është sepse Forcat e Mbrojtjes ishin të përqendruara në Bregun Perëndimor të pushtuar. Në dy vitet e fundit, territori ka parë dhunën më të ashpër që prej përfundimit të intifadës së dytë në 2005, pasi trupat izraelite kanë kryer mësymje thuajse të përditshme. Kaq e brishtë është situata në Bregun Perëndimor saqë Forcat e Mbrojtjes së Izraelit nuk dukeshin askund kur Hamasi çliroi terrorin e papërshkrueshëm. Kjo neglizhencë i përket Netanyahut.

Deri diku, Netanyahu është udhëheqësi më i keq i Izraelit. Por Biden nuk e ka luksin të presë për verdiktin e historisë. Plani ushtarak i Izraelit për të shfarrosur Hamasin duhet të lidhet me marrëveshjen politike që do të pasojë. Netanyahu pengon zgjidhjen me dy shtete të Biden. Duke supozuar se është i mundshëm, a mundet që eliminimi i Hamasit të ndodhë në një mënyrë që të shtohet mbështetja palestineze për një alternativë jo të dhunshme? Kush do ta administrojë Gazën? Gjasat janë që rrafshimi i disa pjesëve të Gazës nga Izraeli, presioni ndaj Egjiptit dhe shteteve të tjera arabe për të strehuar 2.2 milionë palestinezë si refugjatë dhe tërheqja pas një garnizoni më të fortifikuar, vetëm do të rrisin mbështetjen e palestinezëve për ekstremizmin. Fushëbeteja e radhës për Izraelin do të ishte Bregu Perëndimor.

Në këtë pikë, qasja e Biden mund të kthehet në katastrofë. Vetëm nëse ai mund t’i bëjë presion Netanyahut për të ndryshuar mendjen, Izraeli do të vazhdojë me atë që botës do t’i duket si një dënim kolektiv, edhe nëse merr çdo masë për të minimizuar vdekjet e civilëve. Përgjegjës do të jetë Biden. Ata që e njohin Biden, me të drejtë thonë se qasja e tij është e sinqertë. Është gjithashtu politikë efikase ndaj një partie Republikane që po nxit hakmarrje biblike ndaj palestinezëve. Por kjo nuk e bën të zgjuar. Si një avokat i mirë, Biden duhet të kontrollojë dëshmitarin e tij. Por Netanyahu nuk i jep llogari askujt përveç vetes së tij. Për sa kohë të qëndrojë Netanyahu, presidenca e Biden është peng i një personi që kurrë nuk do t’ia kthejë nderin.

Related Posts

Leave a comment