Uzina Dinamo, Rruga Memo Meto, Tiranë

Shkupi refuzon kërkesën e Ukrainës për dhurimin e pajisjeve ushtarake

-800-0-bcbe71b19c601cd532d924f088e00b51

Ministria e Mbrojtjes e Maqedonisë së Veriut, ka refuzuar një kërkesë të Ukrainës për ndihmë ushtarake, të nisur para një muaji.

Ministrja e Mbrojtjes, Sllavjanka Petrovska, tha të enjten se kërkesa është refuzuar, pasi ndihma e kërkuar nga Kievi shfrytëzohet prej forcave të armatosura maqedonase.

“Kësaj radhe nuk ishim në gjendje t’i përgjigjemi pozitivisht kërkesës së re të Ukrainës për dhurimin e pajisjeve ushtarake nga Maqedonia e Veriut. Pajisjet e kërkuara janë të nevojshme dhe përdoren nga forcat e armatosura”, ka thënë Petrovska, pa saktësuar se çfarë konkretisht kanë kërkuar autoritetet ukrainase.

Megjithatë, ajo tha se Shkupi është i gatshëm për trajnime të reja të ushtarëve ukrainas në territorin e Maqedonisë së Veriut.

“Për momentin, Republika e Maqedonisë së Veriut, ushtria dhe ministria, mbeten të hapura, nëse në të ardhmen do të ketë nevojë për trajnim shtesë të një numri të pjesëtarëve të tyre. Por, në këtë moment nuk kemi njoftim, gjegjësisht nuk kemi kërkesë konkrete se sa pjesëtarë të ushtrisë ukrainase, dhe çfarë lloj trajnimi do të kryhet”, tha Petrovska.

Maqedonia e Veriut, në dy raste tjera u është përgjigjur pozitivisht kërkesave nga Ukraina, duke dhuruar avionë dhe tanke të prodhimit rus, që nuk përdoreshin nga ushtria e Maqedonisë së Veriut.
Sipas të dhënave të Ministrisë së Mbrojtjes së Maqedonisë së Veriut, i gjithë armatimi, që i dhuruar Ukrainës për mbrojtje prej pushtimit rus, kap vlerën e 24-30 milionë eurove.

Maqedonia e Veriut i dhuroi Ukrainës, 12 helikopterë Mi-24, tanke T-72 dhe avionë luftarakë Su-25 të prodhimit sovjetik.

Shumë prej tyre ishin jashtë përdorimit prej vitesh.

Prej nisjes së luftës së Rusisë në Ukrainë, më 24 shkurt 2022, Maqedonia e Veriut i ka miratuar të gjitha vendimet e Bashkimit Evropian për sanksione ndaj Moskës.

Presidenti rus, Vladimir Putin e quan luftën si “operacion special ushtarak” për të çmilitarizuar Ukrainën.

Perëndimi është përgjigjur ndaj Rusisë, duke goditur ekonominë e këtij shteti me sanksione të ashpra.

Si pasojë e luftës kanë vdekur mijëra persona dhe miliona të tjerë janë zhvendosur nga shtëpitë e tyre./REL

Related Posts

Leave a comment