Uzina Dinamo, Rruga Memo Meto, Tiranë

Prapaskenat e negociatave PS-Bardhi, që të gjithë i mohojnë dhe duan t’i mbajnë të fshehta

-800-0-1709839095xcuci-bardhi-397

Duket se PS dhe PD e drejtuar nga Sali Berisha janë më afër se kurrë për zgjidhjen e ngërçit të krijuar në parlament prej datës 5 tetor të vitit të kaluar.

Negociatat kanë ditë që zhvillohen mes kryetarëve të grupeve parlamentare, Bledi Çuçi dhe Gazment Bardhi.

Mësohet se të hënën, kryetarja e Kuvendit Lindita Nikolla ka takuar kreun e grupit të PS Bledi Çuçi së bashku me krerët e grupeve parlamentare të opozitës: Gazment Bardhi, Dashamir Shehi e Mesila Doda për të diskutuar zgjidhjen e situatës së krijuar në parlament.

Bisedimet kanë vijuar ashtu siç ka vijuar edhe aksioni i opozitës për bllokimin e parlamentit qoftë të hënën, qoftë të enjten.

Megjithatë burime pranë PS e PD së drejtuar nga Sali Berisha bëjnë më dije se kompromisi është i mundshëm. Në lidhje me kërkesën e opozitës për ngritjen e komisioneve hetimore mësohet se është rënë dakord që të ngrihen 2 komisione pasi të rishihet objekti.

Por kjo është pjesa më e lehtë e negociatave pasi opozita tashmë e ka goditur ligjin e ri për komisionet hetimore në gjykatën kushtetuese dhe kritikat e saj do të marrin përgjigje nga kjo gjykatë.

Negociata më e vështirë mbetet reforma zgjedhore. PD e drejtuar nga Berisha kërkon të ketë udhëheqjen e kësaj reforme në emër të opozitës, duke i hequr Lulzim Bashës dhe Enkelejd Alibeajt të drejtën e vetos.

Mbetet për tu parë se si do të zgjidhet kjo çështje, tashmë që pak ditë kanë mbetur nga përfundimi i mandatit të komisionit të posaçëm të reformës. Gjithashtu mbetet për tu parë nëse kjo marrëveshje do të vlejë për të gjitha ligjet, që kërkojnë 84 vota njësoj si reforma elektorale.

Kërkesa e 3 e opozitës duket se ka marrë zgjidhje në heshtje, pasi kushti që kryetar  grupit parlamentar të PD të njihet Gazment Bardhi e jo Lulzim Basha duket se është respektuar nga socialistët të cilët deri më tani njohin Bardhi si drejtuesit e grupit të PD.

Prej fillimi të krizës në parlament edhe ambasadorët kryesorë të akredituar në tiranë kanë bërë disa herë përpjekje për të gjetur rrugët e dialogut brenda dy kampeve në parlament. Pasi mazhoranca miratoi ndryshimet në ligjin për komisionet hetimore që u kundërshtuan ashpër nga opozita, ambasadori britanik Alastair King-Smith zhvilloi një takim me Elisa Spiropalin e Klotilda Bushkën nga PS, dhe Gazment Bardhin e Enkelejd Alibeajn në përpjekje për të gjetur rrugën e dialogut e për të kthyer normalitetin në parlament.

Ambasadori i ri i delegacionit të BE gjithashtu ka qenë pjesë e përpjekjeve për dialog mes palëve.

Mbetet për tu parë nëse mazhoranca e opozita do të arrijnë marrëveshjen që kthen normalitetin në parlament apo bllokimi i seancave do të vazhdojë.

Megjithatë duhet thënë se, pavarësisht negociatave, të dyja palët publikisht i kanë mohuar ato, duke u përpjekur t’i mbajnë të fshehta.

Reagimi i Alibeajt

Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Demokratike, Enkelejd Alibeaj ka reaguar pas takimit të kryetares së Kuvendit Lindita Nikolla me krerët e grupeve parlamentare të opozitës Gazment Bardhi, Dashamir Shehi e Mesila Doda për të diskutuar zgjidhjen e situatës së krijuar në parlament.

Teksa i quan diskutime sekrete, Alibeaj i kërkon Partis Socialiste të sqarojë nëse ka vendosur që të bëjë pazar për Reformën Zgjedhore.

“Dy sqarime që publiku ka nevojë t’i dijë lidhur me negociata sekrete apo marrëveshje okulte të përfolura në media: PS duhet të sqarojë nëse ka vendosur të bëjë pazar për Reformën Zgjedhore.

Në media referuar burimeve nga PS dhe grupi i Sali Berishës, është bërë e ditur se ka një dakordësi për të dështuar Komisionin e Reformës Zgjedhore në mënyrë që çështja të kalojë në Komisionin e Ligjeve ku socialistët kanë vendimarrjen me shumicë votash e sidomos ku opozitës i mohohet e drejta e Vetos, si garanci që PS të mos bëjë ligj zgjedhor të njëanëshëm duke peshkuar vota opozitare. Dihet se ata janë kundër votës së diasporës, votimit elektronik, listave të hapura, një zone elektorale.

Nëse kjo është e vërtetë ky është një pazar në kurriz të shqiptarëve dhe për interesa të dy individëve që duan të mbajnë peng Shqipërinë, Rama dhe Berisha. Në emër të PD nuk mund të flasë asnjë i emëruar apo i dëshiruar i Edi Ramës”, deklaroi Alibeaj.

Spiropali i përgjigjet Alibeajt

Ministrja për Marrëdhëniet me Parlamentin Elisa Spiropali ka mohuar që mes PS dhe Rithemelimit ka pasur negociata për reformën zgjedhore dhe ngritjen e komisioneve hetimore.

Në një postim në rrjetin social, Spiropali shkruan se PS nuk ka qenë pengesë për komisionet hetimore, teksa shton se edhe për “Zgjedhoren” opinioni i shumicës është shprehur me kohë.

“Partia Socialiste nuk ka çfarë negocion fshehurazi me opozitat kuvendore. Hamendjet mediatike lidhur me një negociatë sipas disave për të qetësuar harbimin e rrugicës së dëshpërimit apo sipas disa të tjerëve për të vrarë të vetëvrarin Lul janë pa asnjë bazë.

Konkretisht:

Ne kurrë s’kemi penguar ngritjen e komisioneve hetimore, po bazuar në udhërrëfimet e Gjykatës Kushtetuese kemi refuzuar të votojmë për pseudo-komisione në shkelje të Kushtetutës. Çdo kërkesë për komision hetimor brenda kornizës kushtetuese është i mirëseardhur.

Sa për Komisionin e Reformës Zgjedhore opinioni ynë është publik dhe është shprehur ka kohë edhe nga vetë kryeministri. Thelbi është i thjeshtë fare: Komision Bipartizan me shumë Partiskanë ku secili do të nxjerrë nga qeleshja e vet një reformë sipas oreksit të vet, nuk kemi se si gënjejmë veten se bëhet dot”, shkruan Spiropali.

Ministrja për Marrëdhëniet me Parlamentin më tej shton se PS nuk i vjen dot në ndihmë degradimit të opozitës.

“Kështu që edhe po të donim të negocionim gjësendi me rrugicën e dëshpërimit nuk do ta gjenim dot çfarë mund të ishte, ndërkohë që në Parlament ne shkojmë për të votuar ligje, ndërsa opozitat për t’i debatuar ato me ne. Kur opozitat s’duan të debatojnë po të harbojnë, ne votojmë dhe vazhdojmë punët e tjera. Kaq është e gjitha dhe megjithë keqardhjen e madhe për degradimin e opozitave, nuk kemi asnjë mundësi t’u vijmë në ndihmë as atyre që ulërijnë nga pagjumësia, as atyre që flasin në gjumë”, tha Spiropali.

Ervin Salianji flet për takimin sekret të Gazment Bardhit me PS: Tradhti ndaj partisë!

Edhe Rithemelimi ka mohuar të ketë negociata. Madje Ervin Salianji tha se nëse ndodhin negociata me PS, kjo është tradhti.

Salianji u shpreh se asnjë përfaqësues i PD nuk ka pasur asnjë takim me Ramën, ndërsa theksoi se e kundërta do të ishte një tradhti ndaj interesave të demokratëve.

“Nuk ka asnjë takim, të paktën në dijeninë tim të çdo përfaqësuesi të PD me Ramën, do ishte një tradhti ndaj interesave të demokratëve nëse dikush, pa pasur tagër përfaqësimi mund të bëjë lëvizje, por këto janë shashka kur kemi një bashkim në PD.

Pse ta bëjmë me 3 bashkëkryetar le të bëhet me 33, nuk ka logjikë; ka 2 bashkëkryetarë, ai komision është bipartizan, Rama e ka bërë vetëm me partizanët e vet.

Që do të thotë se dy partitë më të mëdha kanë bashkëkryetarët dhe partitë e tjera kanë përfaqësuesit e tyre. Këtu fus edhe formacionin politik që ka 7 deputetë, që duhet të kenë përfaqësuesit e tyre, por nuk mund të sillen sikur janë shumica”, tha Salianji.

Edhe Rithemelimi ka mohuar të ketë negociata. Madje Ervin Salianji tha se nëse ndodhin negociata me PS, kjo është tradhti.

Related Posts

Leave a comment