Uzina Dinamo, Rruga Memo Meto, Tiranë

ÇFARË GROPE FINANCIARE KËRKON TË MBUSHË QEVERIA ME ALARMIN PËR KRIZËN E ENERGJISË

EDI RAMA BELINDA BALLUKU OSHEE

Nga  Xhovan SHYTI –

Si kurrë më parë, ditën kur gjithë shqiptaria ishte duke shijuar  pushimin e perëndishëm të javëmbylljes, kryeministri Edi Rama, doli në komunikim të jashtëzakonshëm mediatik me taksapaguesit për ti alarmuar lidhur me krizën energjitike globale, që mund ta detyroj qeverinë e drejtuar për të tretën herë shterueshëm prej tij të rrisë çmimin. Por duke mos thenë asgjë më shumë lidhur me një strategji të qeverisë për ta përballuar me sa më pak dhimbje këtë situatë rritjeje me të cilën sipas tij ” … Dhe Shqipëria është e përfshirë dhe e detyruar që të përballet”.

“KRIZA E JASHTËZAKONSHME ENERGJITIKE një fatkeqësi e re natyrore e kombinuar me faktorë gjeopolitikë e manovra tregtare, një tjetër sfidë e rëndë që nuk e kemi zgjedhur vetë, por të cilën do ta përballojmë ME VENDOSMËRI, BESIM, DURIM dhe SUKSES…

Pas tragjedisë nga pandemia të cilës njerëzimi po i paguan koston e rritur ndjeshëm falë vaksinimit masiv, kjo krizë e re na vendos me detyrim në një sprovë të re, po aq të fortë sa tërmeti dhe pandemia.

Dukuria e rritjes së çmimit të gazit dhe rritja e çmimeve të tjera të karburantit qëndroi sot para të gjitha vendeve për një siluetë të vështirë që bota ka përpara. Rritja e kërkesës ka rritur edhe çmimin. Duke vënë në vështirësi edhe kolosët prodhues…

Është rritur çmimi i gazit me 200%. Çmimi i naftës ka shkuar nga 60 dollar për fuçi në 80 dollar. Dhe mund të arrijë deri në 100 dollar. Është thuajse trefishuar. Temperatura e kësaj krize po rritet kudo, ulja e temperaturave po afron nevojën për ngrohje. Rritja e çmimeve, të naftës e ushqimeve po qendrojnë si silueta. Dhe Shqipëria është e përfshirë dhe e detyruar që të përballet”, – ka raportuar, ndër të tjera Rama.

Në këtë komunikim të “jashtëzakonshëm” të kryeministrit Rama i Tretë përveç alarmit panikues për taksapaguesit, që jetojnë ndershmërisht me djersën e ballit, dhe termave të përgjithshëm të shprehura nëpërmjet ligjëratave: “ … Detyra jonë është të mbrojmë shtresat më në nevojë, konsumatorët familjarë dhe biznesin e vogël”, apo: ” Siç i’a dolëm me tërmetin dhe pandeminë do t’ia dalim dhe me energjinë. Pavarësisht vullnetit tonë, këto vitet e fundit u bënë si ajo fjala nga lufta dolëm dhe në luftë do të shkojmë. Asnjë frikë, asnjë pasiguri, vetëm besim se më e mira do të bëhet, se Shqipëria do të synojë majat në këtë dekadë të re që sapo kemi hyrë”, – nuk pati asgjë më shumë se ky frymëzim piktoresk. Asnjë strategji konkrete që të ngrejë shpresën dhe ngjallë optimizmin e shtresave në nevojë pjesa më e madhe e të cilave u ndje e braktisur nga Rama 2 në krizën e tërmeteve dhe pandemisë Covid-19.

Ndezja e sirenës alarmuese prej të qenit Kryeministër për të tretë herë ishte fare e panevojëshme për faturëpaguesit e energjisë, por i vonuar ishte dhe raportimi rreth krizës energjitike, krizë që ka trokitur në portat gjithëbotërore prej muajsh duke na përfshirë dhe ne në sektorët e karburanteve e gazit, çmimet e të cilave prej muajsh rrjedhin lirisht në pandalshmëri.

Gjë që don të thotë se dijeninë për këtë gjemë të paralajmëruar ditën e pushimit të perëndishëm kryeministri  Rama i Tretë e ka pasur shumë kohë më parë. Pasi axhanset  nëpërmjet të cilave ai informohet rreth situatës gjithëbotërore nuk janë si mediat tona anemike që presin çdo publikojnë homologet e huaja për ti grabitur ndonjë cop lajmi të përkthyer e shkruar keq.

Duke qenë se kryeministri Rama i Tretë ka patur dijeni, si për krizën e energjisë, ashtu dhe për atë të gazit e karburanteve, çmimet e të cilave aktualisht janë ritur pabesueshëm, pyetjet që lindin janë:

Përse ky komunikim i jashtëzakonshëm alarmues informimi i Kryeministrit nuk është bërë që atëherë?

Dhe çfarë strategjie ka hartuar qeveria për ta përballuar këtë krizë të paralajmëruar, me sa më pak dhimbje mbarëpopullore?

Sepse përveç të tjerave kriza energjitike po nxjerr zbuluar dhe sabotimin e përfolur për motive aferash e korrupsioni zyrtar të investimeve, mbështetëse të projekteve të refuzuara private alternative të prodhimit të energjisë si nga era (eolike), apo nga panelet diellore (fotovoltaike).

Por, kriza ka konfirmuar dhe mungesën e përgjegjësisë së kabineteve Rama i Dytë, Rama i Tretë për të hartuar strategji përballimi me sa më pak dhimbje të kësaj krize të enegjisë. Strategji që po të ishte prezente do të kishte zenë vend kryesor në komunikimin e tij të djeshëm publik, që përveç konstatimit të krizës mbarëbotërore, alarmit dhe “pikëllimit” Kryeministror nuk përmbajti asgjë të re, përveç lajmit të rritjes së pritëshme edhe tek ne të çmimit të energjisë në ditët vijuese.

Në reagim të këtij komunikimi alarmuese të kryeministrit Edi Rama i Tretë, Endri Shabani, drejtuesi i Nisma Thurje, përmes një postimi në rrjetet sociale, vlerësonte se rritja e çmimit të energjisë në Shqipëri nuk vjen nga bursat ndërkombëtare, por nga fakti se Edi Rama qeveris me një grup oligarkësh.

Sepse, sipas Shabanit: Shqipëria prodhon 8.5 mln MWH energji elektrike dhe konsumon 7.5 mln MWH, ndërkohë që eksportohet gaz, krom, naftë, energji, ujë dhe shumë burime të tjera natyrore.

“Do të ishte më e sinqertë që Rama të deklaronte se rritja e çmimeve në Shqipëri vjen për faktin se ai fitoi zgjedhjet, pasi tashmë dihet se ai qeveris me një grup oligarkësh me të cilët vjedh Shqipërinë për të fituar zgjedhjet dhe fiton zgjedhjet për të vjedhur Shqipërinë”, – ka qenë vijimi i deklaratës së Shabanit, që zbulon diçka mbi atë që fshihet pas rritjes së çmimit. Por nuk ndriçon gropën financiare që ka projektuar të mbush qeveria me rritjen e çmimit të energjisë.

Ajo që e zbulon të vërtetën lakuriqe të asaj çka fshihet pas krizës së vonuar energjitike shqiptare dhe paralajmërimit alarmues të Edi Ramës për rritje të pritëshme të çmimit të energjisë është Edit Harxhi, ish zv. ministre e Jashtëme dhe kandidate rivale për kreun e PD-së, në zgjedhjet e fundit brendapartiake.

Në reagimin e saj znj. Harxhi ndriçon edhe gropën që ka projektuar të mbushë qeveria Rama 3 me të ardhurat financiare që do të rrjedhin nga rritja e këtij çmimi, tejet rëndues për xhepat e taksapaguesve më të varfër të kontinentit.

“Rritja e çmimit të energjisë elektrike dhe karburanteve që po arsyetohet nga Kryeministri, si pasojë e krizës botërore të energjisë, nuk është gjë tjetër veçse keqmenaxhim i burimeve tona dhe financave publike. Kjo qeveri nuk ka financuar në sektorin energjitik prej 8 vitesh, madje ka mbyllur një numër të konsiderueshëm të HEC-eve të vogla private… Kriza në Shqipëri pritej para zgjedhjeve, por u financua nga buxheti i shtetit për arsye elektorale. Korrupsioni galopant, shfytëzimi i parasë publike për luks, gjëndja shumë e rëndë e KESH dhe OSSHE si dhe detyrimet miliona euro të dy institucioneve ndaj buxhetit të shtetit, keqmenaxhimi i burimeve natyrore të vendit, si dhe klientelizmi në këto sektorë kanë sjellë këtë situatë të mjerë”, – vlerëson Harxhi në postimin në faqen e vet në facebook.

©Copyright: Arberia News.net

 THEKSOJMË: Shkrimi është ekskluziv i “Arbërianews.net”, dhe gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”. Shkrimi mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Arbëria News.net” si dhe vendosjen në pjesën fundore të linkut të burimit. Nëse kjo nuk konstatohet çdo shkelës  i ekskluzivitetit referuar Nenit 178 të Ligjit Nr/ 35/2016, do të mbajë përgjegjësi.

Related Posts

Leave a comment