* Enver Hoxhaj
Nuk besoj se ka ndonjë shkrimtar në fund të shek. XX dhe në fillim të shek. XXI, i cili ka ndikuar si ata shkrimtarët e mëdhenj të shek. XVIII e XIX në lirinë dhe pavarësinë e shteteve, të kombeve, sikurse ka ndikuar Ismail Kadare.
Roli i tij ka qenë shumë dimensional. Unë do të përmend tre-katër, që si i ri, si intelektual e kam parë një ndikim të tillë të Kadaresë në Kosovë.
Së pari, në kohë të shtypjes serbe dhe regjimit sllav, Ismail Kadare ka qenë për të gjithë ne në Kosovë burim frymëzimi: për të gjithë ata që kanë qenë mësimdhënës, arsimtarë, akademikë; ata të cilët kanë ndërtuar jetë kulturore, jetë shkencore; ata që kanë themeluar Universitetin e Prishtinës, Institutin Albanologjik e Akademinë e Shkencave.
Kadare ka qenë burim i frymëzimit, por jo vetëm për ta. Ka qenë burim i frymëzimit edhe për luftëtarët e lirisë, edhe për Hashim Thaçin që mbahet sot në mënyrë të padrejtë në Hagë, për Kadri Veselin, Rexhep Selimin, Jakup Krasniqin, për të gjithë themeluesit e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Për studentë, për veprimtarë, Kadareja ka qenë burim i frymëzimit tonë dhe standardi i fundit moral dhe i të menduarit, se si ne e kemi parë veprën dhe qëndrimin që ka pasur në raport me shqiptarët, në raport me Kosovën.
Së dyti, në një kohë të ndryshimit të madh gjeopolitik, të rënies së Murit të Berlinit pas vitit 1989, në një kohë që edhe sot po duhet të kemi një orientim sa më të drejtë gjeopolitik, sepse ka një përmbysje të madhe gjeopolitike, Ismail Kadare ka qenë prej të parëve me veprën e tij që i ka dhënë kuptim historisë, gjeografisë, identitetit, kulturës. Ju e dini që gjeopolitika është të gjitha këto nga pak.
Prandaj edhe qëndrimin e tij, angazhimin e tij intelektual, ne e kemi parë si yllin polar, se nga të orientohemi politikisht. Orientimin tonë pro-perëndimor, mbi të gjitha e kemi bazuar edhe në veprimin tonë politik në Kosovë.
*Fjala e ish-ministrit të Jashtëm të Kosovës, Enver Hoxhaj në promovimin e librit të Bedri Islamit “Kadare i oborrit apo i lirisë”/liberale/