Përplasja mes njerëzve të Agron Kapllanajt dhe agjentëve të BKH, reagon SPAK: Po kryenin detyrën, u sulmuan pa asnjë motiv

2 Minuta Lexim

Prokuroria e Posaçme ka reaguar në lidhje me incidentin e regjistruar mbrëmjen e djeshme mes disa hetuesve të Byrosë Kombëtare të Hetimit dhe disa të afërmve të ish-kryebashkiakut të Mallakastrës Agron Kapllanaj.

Në njoftim, SPAK konfirmon se hetuesit e BKH-së dhe oficerët e Policisë po ushtronin detyra hetimore të deleguara, në kuadër të një hetimi aktiv të kësaj strukture, kur u sulmuan pa asnjë arsye nga tre persona tashmë të identifikuar dhe të shoqëruar nga Policia e Fierit.

SPAK thekson se të gjitha veprimet e ndërmarra nga Byroja Kombëtare e Hetimit janë kryer në përputhje me ligjin dhe nën mbikëqyrjen direkte të prokurorëve të posaçëm.

Reagimi i plotë:

Byroja Kombëtare e Hetimit konfirmon sulmin që ndodhi mbrëmjen e datës 15 Prill kundër hetuesve të Byrosë Kombëtare të Hetimit dhe oficerëve të Policisë së Shtetit në qarkun e Fierit.

Hetuesit e BKH-së dhe efektivët e Policisë së Shtetit po kryenin detyra hetimore të deleguara, në kuadër të një hetimi të Strukturës së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar.

Mbështetur në informacionin e përcjellë nga Drejtoria Vendore e Policisë, Fier (DVP) dhe verifikimet e kryera, ngjarja ka ndodhur rreth orës 19:20 minuta, në aksin Fier – Patos. Ndërsa hetuesit e BKH-së dhe oficerët e Policisë së Shtetit po kryenin detyrën, janë sulmuar pa asnjë motiv nga persona tashmë të identifikuar dhe shoqëruar në DVP, Fier.

Të gjitha veprimet hetimore dhe proceduriale lidhur me ngjarjen janë duke u kryer nga Prokuroria e Juridiksionit të Përgjithshëm, Fier.

SPAK nënvizon se të gjitha veprimet e ndërmarra nga BKH janë në përputhje me ligjin dhe nën vëzhgimin direkt të prokurorëve të posaçëm.

SPAK u bën thirrje qytetarëve të bashkëpunojnë me institucionet e drejtësisë dhe të respektojnë autoritetin e hetuesve dhe Policisë së Shtetit që veprojnë në zbatim të detyrës së tyre. Integriteti dhe siguria e hetuesve të BKH-së dhe efektivëve të Policisë së Shtetit është thelbësore në angazhimin tonë për të luftuar korrupsionin dhe krimin e organizuar.

Lajme të ngjashme

Shpërndaje këtë artikull