Uzina Dinamo, Rruga Memo Meto, Tiranë

SHTETI ME WHATSAPP NË KOHË PANDEMIE

whatsapp komunikeishen
Prej kohësh më ka bërë përshtypje dhe kam kritikuar në statuset e mia faktin që mjekët po i vizitojnë pacientët nëpërmjet aplikacionit WhatsApp, po i dërgojnë recetat e mjekimeve po nëpërmjet WhatsApp-it dhe, e fundit, edhe ekipet e testimit po i dërgojnë rezultatet e testit nëpërmjet të njëjtit aplikacion.
Nga Erion DASHO *- 
… Skandal ky sepse WhatsApp nuk është një program i çertifikuar mjekësor që të garantojë fshehtësinë e komunikimit midis mjekëve dhe pacientëve. Gjithashtu, WhatsApp nuk ka karakteristikat që kërkon një program telemjeksie. Një indikator më të përshtatshëm për të treguar se në ç’gjendje është katandisur shëndetësia e “rilindur” shqiptare vështirë të gjesh!
Por ditët e fundit është shfaqur një tendencë edhe më shqetësuese! Drejtuesit e shëndetësisë në qendër janë duke komunikuar me vartësit e tyre në rrethe jo nëpërmjet urdhërave dhe udhëzimeve por nëpërmjet WhatsApp-it.
Javën që kaloi, qarkulloi një informacion sipas të cilit drejtorëve të shëndetësisë në rrethe u ka shkuar një mesazh WhatsApp që i kërkon të blejnë vetë pajisje mbrojtëse deri sa të bëhen tenderat nga autoritetet qëndrore.
Ndërkohë u dërgohen “thërrimet e fundit” të pajisjeve mbrojtëse që përkthehen në më pak se 100 maska për qendër shëndetësore!!! Në se përllogarit që një qendër shëndetësore ka një personel prej disa dhjetëra punonjësish (le të supozojmë vetëm 25), kësaj qendre i nevojiten 25 persona x 22 ditë pune x 2 maska = 1,100 maska në muaj.
Pra furnizimi plotëson më pak se 10% të nevojave mujore!  Për viziera nuk bëhet fjalë, kurse kostume sterile njëpërdorimësh përflitet se janë dërguar më pak se numri i vetë qendrave shëndetësore. Ndoshta supozohet të organizohet ndonjë kampionat midis qendrave dhe pastaj midis stafit të një qendre për të përzgjedhur fatlumët që do të përfitojnë kostumet, furnizimi i të cilëve për një rreth numërohet me gishtat e duarve.
Në këto kushte nuk do të ishte çudi që shteti e zëvendëson komunikimin zyrtar me atë jo zyrtar. Asnjë drejtues nuk do të donte të dërgonte urdhëra ku përmenden sasi të tilla qesharake. Do të ishte një përgjegjësi shumë e madhe, në kushtet e përmasave që ka marrë pandemia, rrezikut të cilin i nënshtrohet personeli mjeksor dhe pasojave që mund të ketë lënia e personelit pa mbrojtje përballë virusit.
Në një status pardje, i bëra thirrje kolegëve të flasin hapur për mangësitë e përgjigjes shqiptare ndaj COVID dhe rreth pozitave të vështira dhe të rrezikshme ku është vendosur personeli mjeksor.
Uroj që kolegët të përgënjeshtrojnë këto që kam shkruar më lart, sepse drejtimi i një pandemie me WhatsApp do të ishte colpo di grazia për sistemin shëndetësor shqiptar, në shqip ajo goditja e fundit që ekzekutori i jep të dënuarit me vdekje për ta dërguar pashmangshmërisht në botën tjetër…

Related Posts

Leave a comment