Uzina Dinamo, Rruga Memo Meto, Tiranë

Nga kjo jetë e bukur dhe e shkurtër…

Stefan-Capaliku

Stefan Capaliku

(Një përrallë për fëmijë nga 7 deri në 77 vjec)
Jam Arta. U bënë shumë kohë që banoj këtu, në shtëpinë e madhe të familjes Skuraj. Kjo është një familje e vjetër dhe që më ka pasur gjithmonë për zemër. Janë kujdesur për mua sa më s’ka. Por ja që vjen një ditë dhe gjallesa plaket. Kështu e ka kjo jetë, kjo jetë e bukur dhe e shkurtër.
Unë ndoshta edhe mund t’ia kisha hedhur edhe për ca kohë të tjera, por ja që, për fatin tim të keq, dje, kaloi këndej pari Gjergji. Ai m’u afrua, më preku, ma këqyri me vëmendje lëkurën, e mandej shkoi menjëherë te plaku i Skurajve dhe i tha:
-Ndre! Arta duhet prerë!
Ah, se harrova t’ju them që në krye se unë jam pemë. Një pemë e lartë, me trung të madh, kurorë të gjërë dhe që, me thënë të drejtën, ia kam marrë frymën disa pemëve të tjera, më të vogla. Sa keq! Sa turp që më vjen!
Ndre Skuraj u mendua një copë herë. Si duket i dhëmbi ajo çfarë Gjergji, pylltari, i tha. Po Gjergji vazhdoi në të vetën dhe arriti t’ia mbushë mendjen.
-E çfarë mund të bëjmë me Artën mandej? Ti e di mirë o Gjergj se mua nuk më bën zemra që t’ia djeg as trupin e as degët – kështu foli mendueshëm Ndre Skuraj, edhe pse e dinte mirë që po afrohej një dimër i egër.
-Do ta çojmë te fabrika e letrës në qytet. Nga Arta do dalë një letër speciale.
Kjo zgjidhje i pëlqeu Ndre Skurajt. Megjithatë iu lut Gjergjit, që ta pyeste vetë Artën, se cila do qe dëshira e saj e fundit.
Dhe Gjergji iu afrua ngadalë pemës plakë dhe duke ia ledhatuar trungun i pëshpëriti se, së bashku me Ndrenë, kishin vendosur që trupin t’ia çonin te fabrika e letrës.
– Por, Gjergj Skuraj, që i është bërë shpirti copë që po ndahet prej hijes tënde, më ka thënë që ta dëgjoj prej teje dëshirën e fundit.
Atbotë u duk se Arta uli kryet dhe përshëndeti botën dhe ashtu me kryet e ulur i tha Gjergj pylltarit:
-Më pëlqen ideja që të më bëni letër. Më pëlqen shumë. Veçse kam një porosi: i thoni atyre zotërinjve që të shkruajnë mbi mua një libër të mirë.

Related Posts

Leave a comment