Uzina Dinamo, Rruga Memo Meto, Tiranë

“Do t’i marrin zvarrë qeveritarët e…”/ Paloka: Rama korruptoi opozitën e ndërkombëtarët! Alibeaj kërkoi shkrirjen e PD

Paloka-rama

Edi Paloka investoi për të mos lejuar përçarjen e PD-së, por bashkimin e saj. Ndonëse tentativa e parë dështoi, kreu i Këshillit Kombëtar të PD-së apelon që në zgjedhjet lokale të 15 majit duhet të shkohet me një kandidat të përbashkët.

Paloka thotë për gazetën “Panorama” se unifikimi i PD-së është i nevojshëm dhe se PD nuk ka luksin që të humbasë as edhe një votë të demokratëve. Por, sipas tij, ata që për inat të Berishës shkojnë e shtrihen në shtratin e Ramës, nuk i lidh asgjë me demokratët.

Edi Paloka përmend se ndër vite janë shkëputur grupime që kanë formuar me pas dhe parti të tyre, por sipas tij në fund kthehen të gjithë në PD. Nëse duam rrëzimin e Edi Ramës, shprehet ai, s’ka rrugë tjetër veç bashkimit. Kreu i Këshillit Kombëtar të PD-së thotë se durimi i njerëzve po mbaron teksa garanton se qytetarët do t’i marrin zvarrë qeveritarët e korruptuar

Z.Paloka, viti që sapo erdhi e gjen PD-në në dyert e gjykatës për çështjen e vulës së partisë. Kush po e mban peng PD-në?

Paloka: Se kush ka interes dhe po përpiqet që të mbajë peng opozitën, është më se e qartë. Ai është Edi Rama. Për fat të keq, në këtë tentativë të tij ka gjetur bashkëpunëtorë te disa që janë zgjedhur deputetë me votën e demokratëve. Alibeu e dërgoi në gjykatë çështjen e vulës së PD-së me bindjen dhe vetëdijen që gjykatat kontrollohen nga Edi Rama dhe në këto kushte ato do të marrin një vendim në interes të Ramës, pra, duke i dhënë vulën e PD-së Alibeut edhe pse jashtë çdo logjike juridike e morale, sepse sot e di kushdo se kush e përfaqëson e kush e drejton PD-në. Një gjykatë normale dhe e pavarur as nuk do ta pranonte një çështje të tillë, por interesi i Ramës i imponohet.

Pra, me apo pa marrëveshje direkte me Ramën, që në momentin e parë Alibeu ka vepruar me koshiencë të plotë se do të bashkëpunojë me Ramën për përçarjen dhe shkatërrimin e PD-së. Faktet dhe qëndrimet e Alibeut në Parlament kanë treguar dhe më pas se bashkëpunimi me Ramën dhe mëkëmbësin e tij, Balla, nuk ka munguar sa herë i është dashur Ramës. Ai që shpall tabu bashkëpunimin me Sali Berishën, deputetët e PD-së dhe demokratët që e kanë zgjedhur, nuk e ka aspak problem të bashkëpunojë hapur me Ballën dhe Ramën, përkundrazi, siç e përmenda, e ka bërë sa herë i ka interesuar Ramës.

Në mars 2022, demokratët u përballën me sfidën e parë elektorale të ndarë nga njëri-tjetri. Të ndarë apo të bashkuar në zgjedhjet e 15 majit?

Paloka: Zgjedhjet e pjesshme të 6 marsit, për të qenë të sinqertë, ishin më tepër një përballje brenda vetë PD-së sesa një garë elektorale me kundërshtarin. Sidoqoftë, ato zgjedhje i vunë përfundimisht vulën faktit që jo vetëm anëtarësia, por dhe zgjedhësit e PD-së dhe opozitës, ishin në krahun e PD-së së Sali Berishës dhe jo të atyre që formalisht mbanin vulën e PDsë. 6 marsi do të duhej të kishte mbyllur çdo diskutim brenda PD-së, duke u dhënë fund edhe mashtrimeve se “shumica e demokratëve ishte me L.B” se “me Berishën është vetëm një pakicë e zhurmshme” apo dhe më tej “se tani që larguam Berishën, Amerika do i japë fitoren L.B…”.

Të gjitha këto pallavra e mashtrime që synonin të mbanin demokratët të lidhur pas dështimit, më 6 mars u shkërmoqën. Por ndryshe nga sa duhej të ndodhte, prapë një pjesë e deputetëve të PD-së nuk reaguan, diku për interesa të ngushta e diku nën joshje apo presion nga dyshja Rama-Kim. Po përveç sfidës brenda PDsë, 6 marsi tregoi dhe diçka tjetër; që pavarësisht raporteve të shumicës dhe pakicës, PD-ja do e kishte të vështirë të fitonte e përçarë në zona ku votat që përcaktojnë fituesin mund të jenë dhe disa qindra. Unë ju kujtoj, për shembull, që edhe në një qark si ai i Durrësit, më 25 prill, vetëm për 120 vota do të kishim një barazim në numrin e deputetëve 7-7. Pra, bashkimi i PD-së është i nevojshëm.

Është e vërtetë që pas 6 marsit shumica absolute e demokratëve, përfshi dhe ish-drejtues apo deputetë, i janë bashkuar PD-së dhe Berishës, po prapë ne nuk kemi luksin të humbim as edhe një votë të demokratëve. Prandaj edhe dalja së bashku e me një kandidat të vetëm do ishte në interes të demokratëve. Po dhe në këtë rast, Alibeu duket se po kryen shërbimin e tij ndaj Ramës duke nxjerrë kandidatë që e pranojnë vetë se po dalin vetëm për të dëmtuar PD-në sepse as nuk e mendojnë që mund të fitojnë. Por, pavarësisht kësaj, unë jam i bindur që PD do të fitojë bindshëm në zonat e demokratëve dhe nuk do të jenë pak.

Përgjatë vitit që lamë pas, demokratët patën vetëm një nismë për bashkim, atë për daljen me 1 kandidat në zgjedhjet vendore të 14 majit, duke ua besuar procesin e negocimit ju dhe Gazment Bardhit. Pse kjo tentativë dështoi…?

Paloka: Sapo ju shpjegova që dalja me një kandidat ishte një detyrim për PD-në me qëllim që të merrte fitore absolute. Në këtë kuadër u zhvilluan dhe bisedimet me z.Bardhi. Unë personalisht jam investuar që në fillime për të mos lejuar përçarjen e PD-së e më pas ribashkimin e saj, por pa sukses, pasi nga njëri krah mungonte totalisht vullneti për këtë. Rasti i zgjedhjeve lokale e solli që dhe një herë të bisedohej për një lloj bashkëpunimi, të paktën për të dalë me një kandidat të përbashkët. Përpara se të uleshim në bisedime formale me z.Bardhi, në fakt kishim zhvilluar dhe bisedime paraprake me deputetë të tjerë.

Meqenëse, siç thashë, unë kisha tentuar vazhdimisht të mbaja apo ribashkoja deputetët e PD-së, zoti Berisha më kërkoi që të isha unë që të zhvilloja bisedimet edhe për këtë rast. M’u duk se gjeta të njëjtin vullnet për bashkëpunim edhe te deputetët, me të cilët bisedova dhe me z.Bardhi. Për fat të keq, bisedimet u prishën papritur atëherë kur dukej se diçka do konkludonim, të paktën kjo ishte përshtypja ime. Se çfarë solli këtë ndërprerje nuk jam i sigurt, por fakti është që dy ditë më pas ishte data e gjyqit dhe mendoj që dikush ka ndërhyrë për ti prishur bisedimet, dikush nga dyshja Rama-Kim.

A ka shanse të tjera për të dalë me një kandidat?

Paloka: Sigurisht, nëse Alibeu tërhiqet nga shërbimi që po i bën Ramës. Vetë kandidatët e Alibeut, por dhe deputetë në krah të tij e kanë pranuar dhe publikisht se qëllimi i tyre nuk është fitorja në zgjedhje, pra me vetëdije kërkojnë thjesht të dëmtojnë PD-në. Ata e dinë shumë mirë se këto zgjedhje do t’i diskreditojnë përfundimisht dhe do të jenë fundi politik dhe moral i tyre. E fakti që duke e ditur këtë, prapë marrin përsipër “të vetësakrifikohen” vetëm për të dëmtuar PD-në, tregon se diçka e fortë i mban peng.

Në muajin janar priten të tjera negociata për një bashkim të plotë të demokratëve para zgjedhjeve lokale të 14 majit. A është një hap drejt unfikimit dreka përbashkuese e iniciuar nga deputeti Xhelal Mziu?

Paloka: Ftesa e z.Mziu për të gjithë deputetët e PD-së ishte iniciativë personale e tij, por sigurisht kishte një qëllim pozitiv. Që brenda deputetëve të PD-së ka mendime dhe qëndrime të ndryshme, nuk duhet të jetë arsye për të qëndruar të ndarë. Siç përmenda dhe më lart, nuk mund të jetë tabu për deputetët e PD-së që të ulen me njëri-tjetrin, ndërkohë që nuk e kanë këtë problem me Ballën e Ramën… Po siç e ndoqët edhe në një rast të tillë, krejt njerëzor e të natyrshëm (se fundja bëhej fjalë për një drekë të përbashkët) reagimi i Alibeut ishte jashtë çdo konceptimi.

Një njeri që pretendon se ka vuajtur pasojat e persekutimit nga një regjim kriminal e paranojak, reagoi me terma të denja të asaj kohe kur paranoja e diktatorit shihte kudo kurthe e armiq. Edhe për Alibeun, ftesa e z.Mziu paska qenë një kurth armiqsh, ku ai për fat të mirë nuk ra… Ky është mjerim njerëzor sepse kështu ai fyeu dhe deputetët e tjerë që normalisht morën pjesë në atë drekë, pa ndryshuar në qëndrimet e tyre

Në negociata priten të përfshihen ish-ministra të PD-së. Sipas jush, kush janë të duhurit që mund të bashkojnë dy grupet kundërshtare në PD?

Paloka: Çështja e bashkimit të grupit të deputetëve nuk varet nga kush do të negociojë për këtë. Ajo është çështje vullneti dhe të qenit të lirë. Kush nuk është i lirë, po e mbajnë peng, nuk mund të negociojë. Të tjerët e kanë tashmë të gjithë hapësirën që duke mbajtur mendimet dhe qëndrimet e tyre ndryshe, të bashkohen mbi bazën e asaj që duhet të na bashkojë dhe që është qëllimi i përbashkët si deputetë të PD-së dhe opozitare.

Kush nuk e do Sali Berishën për kryetar të PD-së, ka kohën dhe mundësinë që të bindë demokratët që të votojnë dikë tjetër në zgjedhjet për kryetarë e po kështu për gjithë forumet drejtuese apo dhe kandidatët e PD-së në zgjedhje. Kjo nuk ka pse të na ndajë. Por nëse “për inat” të Berishës, shkojmë e shtrihemi në shtratin e Ramës, atëherë nuk i lidh më asgjë me demokratët e do mbeten në histori njësoj si “Kërperata 2”. Veçse dua të kujtoj dhe një herë këtu një fakt që tregon sesa hipokritë janë qëndrimet e atyre që sot flasin për “parime” e thonë se nuk mund të jenë në një grup me Sali Berishën e shpallur “non grata”.

Hapni kronikat e mediave dhe shihni kronikën e Kuvendit të 17 korrikut. Është disa muaj pasi Berisha është shpallur “non grata” dhe të gjithë ata janë në këmbë duke brohoritur Berishën. Pra, vetëm për parime nuk bëhet fjalë, përkundrazi. Tani rëndom dëgjon pikërisht ata që parime nuk kanë fare, të bërtasin se “nuk i shkelin parimet për askënd”. Ç’të shkelin, kur nuk kanë hiç?!

Kreu demokrat Sali Berisha zgjodhi më 4 dhjetor kandidatët e tij në të gjitha bashkitë, ndërsa Enkelejd Alibeaj miratoi kandidimin nën logon e PD-së të kandidatëve në disa bashki. Sa do ta dëmtojë PD-në kjo ndarje me 15 maj nëse deri atëherë nuk arrihet dakordësia mes palëve për bashkim?

Paloka: E përmenda dhe më lart, në zona ku kryetari i bashkisë mund të përcaktohet nga pak vota, sigurisht që ndarja e dëmton PD-në dhe për fat të keq ky është dhe qëllimi i atij që po sajon kandidatë në emër të PD. Po unë jam po kaq i bindur që në zonat e njohura si demokrate, PD do të fitojë bindshëm, pavarësisht kandidatëve të Alibeut që në ato raste thjeshtë do diskreditohen rëndë.

A është e riparueshme thyerja brenda PD-së?

Paloka: Për arsye të ndryshme, nga PD në vite janë shkëputur grupime që kanë formuar me pas dhe parti të tyre. Rezultati i atyre partive është i njohur. Demokratet kanë vazhduar të qëndrojnë bashkë dhe në fund shumica e atyre partive, i janë bashkuar prapë trungut, PD-së. Edhe në këtë rast, demokratët e thjeshtë, anëtarët e PD-së e kanë zgjedhur shpejt pozicionin e tyre. Pjesa tjetër, me pak përjashtime, besoj do bashkohet shumë shpejt. Nuk kemi rrugë tjetër nëse duam të rikthejmë demokratët në pushtet e të largojmë të keqen që po sundon.

Lulzim Basha dhe Enkelejd Alibeaj a duhet të krijojnë një parti të tyre?

Paloka: Ka një fakt interesant; në një nga mbledhjet e fundit që bëmë si grup parlamentar dhe si kryesi, përpara se të ndaheshim, unë pata një debat pikërisht me Alibeun. Debati zhvillohej për situatën e krijuar në PD pas vendimit të Bashës për largimin e Berishës. Alibeu që ishte dhe nënkryetar i PDsë, me qetësinë më të madhe, deklaroi se nëse kishte ardhur koha që PD të shkrihej, atëherë le të shkrihej dhe të krijohet një parti tjetër

Sa mbështetje gjeti te deputetët e tjerë…?

Paloka: Unë e kundërshtova me forcë këtë ide, që me sa dukej nuk ishte e rastësishme sepse u mbështet dhe nga të tjerë drejtues. Ideja se PD e kishte kryer misionin dhe duhej të pushojë së funksionuari, ka kohë që dëgjohet nga Rama dhe pasuesit e partisë 80-vjeçare… Ajo që rezulton interesante, është se pikërisht ky Alibeu që mendonte se PD duhej shkrirë, sot është kapur fort pas së vetmes gjë që i ka mbetur nga PD, vulës së saj. Në fakt, logjika normale, nëse e sheh që nuk e gjen me veten te një grupim, do ishte të shkëputeshe dhe të bëje grupimin tënd.

Por me ndryshimet e fundit të bëra ne statutin e PDsë, ne kemi krijuar mundësinë që edhe kush mendon ndryshe dhe ka qëndrime ndryshe nga shumica, ka të drejtën të organizohet në fraksion brenda partisë dhe të përpiqet të fitojë shumicën duke e bërë shumicën të mendojë si ty. Po kurrsesi nuk mund t’i imponohesh shumicës, për më tepër duke përdorur pushtetin e Ramës mbi gjykatat.

Çfarë po e mban në pushtet kaq gjatë Edi Ramën…?

Paloka: Nëse në Shqipëri do të zhvilloheshin zgjedhje të lira atëherë Rama do kishte ikur prej kohësh. Një qeveri që ju ka bërë vetëm të zeza shqiptarëve, një qeveri ku skandali zë skandalin normalisht nuk do të mund të mbyllte as një mandat të saj. Çfarë e mban atëherë Ramën? Mund të duket paradoksale por është pikërisht korrupsioni që e ka mbajtur deri tani. E vetmja “aftësi” e Ramës është korrupsioni. Rama korrupton të varfrit në zgjedhje duke u blerë votën me paratë që u ka vjedhur. Rama korrupton ndërkombëtare, korrupton dhe deputetë të opozitës. Të gjitha këto janë evidente besoj dhe janë historia e Ramës në këto vite që qëndron në pushtet. Karota dhe shkopi. Prandaj Rama tërbohet e njëkohësisht e zë frika kur përballë ka njerëz që as nuk joshen e as nuk tremben. Ai e di që në atë moment ka ardhur fundi i tij.

Të mundësh një regjim të instaluar nga hallka më e fundit dhe deri në majën e shtetit, a është një mision i vështirë, i pamundur…?

Paloka: Në vazhdim të asaj çfarë thashë dhe më lart; po është një mision i vështirë të rrëzosh një qeveri që kontrollon të gjitha pushtetet dhe që qëndron në këmbë nëpërmjet korruptimit. Por sigurisht nuk është e pamundur. E përmenda më lart, Ramën e tmerron fakti që tani ka përballë njerëz që as nuk i josh e as nuk i tremb dot. Aty “fuqia” e tij mbaron dhe fillon fundi i tij.

Pse kaq shumë abuzime të qeverisë me fondet publike…? Pse nuk ndalojnë pagesat për inceneratorët apo rilindjen urbane? Ku po shkojnë paratë e shqiptarëve?

Paloka: Korrupsioni dhe vjedhja e kësaj qeverie nuk mund të ndalet edhe kur është diskretituar plotësisht sepse në mënyrë paradoksale, atje qëndron “fuqia” e saj. Ramës i duhet të vjedhë shqiptarët që të vazhdojë të sundojë e të jetojë në luks e pastaj po me milionat e vjedhura të ketë mundësi të blejë votën dhe shpirtin e tyre, të korruptojë opozitën dhe ndërkombëtarët që të mbyllin gojën e sytë. Prandaj dhe kur skandali ka shpërthyer keq si me inceneratorët apo Portin e Durrësit, Rama nuk mund të ndalet. Për këtë i duhej dhe reforma Soros në drejtësi. Soros është në fakt shembulli dhe ideatori i gjithë regjimeve që mbijetojnë mbi korrupsionin jo vetëm në Shqipëri, deri sa durimi i njerëzve mbaron dhe i marrin zvarrë qeveritarët e korruptuar.

Si është e mundur që me gjithë skandalet e saj, lidhjet me afera korruptive dhe krimin e organizuar, maxhoranca socialiste vazhdon të qeverisë e patrazuar nga asgjë, madje edhe me mbështetjen e ndërkombëtarëve?

Paloka: E thashë më lart, Rama me ndihmën e strukturave korruptive dhe një sistemi të tërë të ngritur nga kryespekulanti Soros, ka arritur të korruptojë edhe ndërkombëtarë. Jo në pak raste, skandalet që kanë plasur kanë vërtetuar se si funksionarë të lartë të institucioneve ndërkombëtare janë korruptuar. Katari ishte rasti më i fundit, po në shumë raste është vërtetuar se shumë senatorë, kongresmenë amerikanë po dhe eurodeputetë, rezultojnë në listëpagesat e George Soros që paguan qindra milionë dollarë për mbrojtjen e interesave të tij.

Cila është alternativa që mund të sjellë ndryshimin…?

Paloka: Ka vetëm një alternativë për përmbysjen e kësaj qeverie dhe është Fronti i Shpëtimit të Shqipërisë. Kush kërkon të shpëtojë vendin, nuk ka asnjë alternativë tjetër veçse t’i bashkohet opozitës në këtë Front. Kush bën gjoja si kundërshtarë i qeverisë, po nuk bashkohet e ca më shumë e sulmon këtë Front me justifikime të ndryshme, nuk është gjë tjetër veçse një shërbëtor i blerë nga Rama si shumë të tjerë. Vota mbetet baza e ndryshimit, po sigurimi i votës së lirë mbetet detyra e opozitës dhe ajo do të garantohet me çdo mënyrë.

Related Posts

Leave a comment