Uzina Dinamo, Rruga Memo Meto, Tiranë

Përfundon marshi më i madh në Kosovën e pasluftës: Kërkohet drejtësi për krerët e UÇK-së

-640-0-1680456508x337567179-1694387840991018-1066041330553902662-n-373 (1)

Me mijëra qytetarë nga e gjithë Kosova kanë zbarkuar ditën e sotme në Prishtinë. Kërkesa e tyre ishte e qartë: drejtësi për krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës që po akuzohen në Hagë.

Të gjitha sheshet duke nisur nga ai “Skënderbeu” deri te “Zahir Pajaziti” në Prishtinë, ishin të gjitha të mbushura me qytetarë.

Organizimet me autobusë ishin nga të gjitha komunat. Nga secila lagje e secili fshat. Mesazhi ishte i qartë: Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi, Jakup Krasniqi e të tjerët që po mbahen në Hagë, kanë mbështetje të madhe në popullin e Kosovës.

Madje, këtë marsh tejet të madh po del se e ndiqnin live edhe vetë liderët e UÇK-së që janë në Hagë.

“Në këto momente ata janë duke na përcjellur drejtpërdrejt nga Haga çlirimtarët tanë. Bashkimi jonë është ajo që i duhet Kosovës. Vetëm kështu ja kemi dalë gjithmonë ta mbrojmë të vërtetën, dhe ta kërkojmë të drejtën”, tha Krasniqi.

Kryetari i PDK-së, Krasniqi, kujtoi sfidat që ka kaluar ndër vite Kosova.

“Si popull e si komb kemi bërë marsh të gjatë historik. Prej kërkesave legjitime për barazi e liri. Deri te lufta e lavdishme e UÇK-së. Dhe këtë marshim të popullit na e kujton edhe ky bashkim i yni sot. 42 vjet më parë, po më 2 prill, rrugët e Prishtinës ishin mbushur që kërkonin Kosovën republikë si përgjigje ndaj shtypjes dhe popullit tonë. 24 vjet më parë po më 2 prill, rrugët e Prishtinës u mbushën me burra e gra, pleq e fëmijë, këtë herë të dëbuar me dhunë nga shtëpitë e tyre nën kërcënimin e armëve të Policisë e ushtrisë së Serbisë”, ka thënë ai.

“Po, ne po kërkojmë drejtësi. Sepse për krimet e panumërta ndaj qytetarëve tanë, mijëra kriminelë serbë nuk kanë dalë para drejtësisë. Kërkojmë drejtësi, sepse drejtësia është virtyti që e vulos të vërtetën e popullit tonë”, theksoi ai.

Dy organizatorët e platformës “Liria ka emër” që e kanë organizuar “Marshin për Drejtësi” kanë mbajtur fjalimet e tyre para mijëra qytetarëve në sheshet e Prishtinës.

Ismail Tasholli ka sjellur një rrëfim në fëmijërinë e tij, që sipas tij, dëshmoi se sa ishin të rëndësishëm ushtarët e UÇK-së.

“Unë kam qenë 13-vjeç kur për herë të parë kam pa në uniformë ushtarin e UÇK-së. Axha Nagip. Si fëmijë nuk arrija ta kuptoja krejt peshën e asaj që po ndodhte për një gjë ishte e qartë për mua atë botë, si në filma epik ishte një betejë mes të mirës dhe të keqes. Mes lirisë dhe robërisë. Mes jetës dhe vdekjes. Unë sikurse të gjithë moshatarët e kam ndjerë në palcë pabarazëinë, mbylljen e shkollave, dëbimin nga shtëpia. E ushtari i lirisë e kishte marrë trajtën e një super-heroi magjik. Ata në Hagë do të na kthehen fitimtar e faqebardhë. Ne sot u bëmë bashkë dhe siç e shihni doli dielli”, tha Tasholli.

Kurse, Eliza Hoxha deklaroi se plaga e Kosovës vazhdon të mbetet e hapur.

“Sot 24 vite më parë Prishtina ishte shndërruar në qytet fantazmë. Lumi i njerëzve të dëbuar nga shtëpitë e tyre kishin mësyer stacionin e vjetër të trenit. Gjatë këtyre dy javëve e kam rijetuar historinë tonë. Në dhimbjen e Ferdonijes, në guximin e Vasfijes. E kam parë e ndjerë se sa e gjallë e ndjerë vazhdon të jetë plaga jonë dhe thirrja jonë për drejtësi”, tha Hoxha.

Kryetari i Shoqatës së Familjarëve të Personave të Pagjetur, Bajram Qerkini, ka folur para masës së madhe në protestën për krerët e UÇK-së në Hagë.

Ai ka folur i emocionuar, teksa ka çuar edhe një mesazh për ata që kanë dilema për luftën e UÇK-së.

“Mashallah me dalë me fol para kësaj mase kaq të madhe. Mashallah e keni bërë më të bukur Prishtinën me iu tregu atyne që nuk po marrin vesh se Liria ka emër. Ky popull është hala i fortë. Sikur që jemi edhe na të fortë. Ju jeni ata që na keni shpëtu”, tha Qerkini, raporton Nacionale.

“I kemi 11 mijë viktima. Vetëm ju e dini çka do të thotë me i shpëtu krejt ato familje prej tmerrit. Në vend që sot të flasim për zhvillimin të flasim për llogaridhënien e atyre që kanë bërë këtë krim kanë bërë këtë masakër, ne përkujtojmë jo vetëm se po na e kana po pse është drejtësi dikund në botë se pa drejtësi po na mbahen në Hagë pa pikë faji”, tha Qerkini.

Ai përmendi me emër të gjithë pjesëtarët e UÇK-së të akuzuar nga Specialja.

“Hashim Thaçi, profesorin Jakup Krasniqi, kryetarin e Kuvendit, Kadri Veselin. Rexhep Selimin. Të gjithë ata që janë padrejtësisht në Hagë”, tha ai.

Related Posts

Leave a comment