Uzina Dinamo, Rruga Memo Meto, Tiranë

Parlamenti britanik gjykon se shumica e kërkesave shqiptare për azil janë të pabaza

-640-0-9b1b504266a21db8e291b5c74e95e48d

Komisioni për Punët e Brendshme në parlamentin e Mbretërisë së Bashkuar publikoi të hënën raportin mbi hetimin e tyre mbi shkaqet e emigrimit të shqiptarëve me gomone, në të cilin vërehet se shumica duket se shkojnë në Angli “për arsye ekonomike”, ndonëse një pjesë e vogël janë viktima të trafikut të qenieve njerëzore dhe kanë nevojë për mbrojtje.

Statistikat e mbledhura nga hetimi tregojnë se gjatë vitit 2022, 12 mijë deri në 15,500 shqiptarë kaluan kanalin La Manche që ndan Francën nga ishujt Britanikë me gomone për të kërkuar azil në Angli, shumica dërrmuese e të cilëve janë meshkuj të rritur. Gjatë vitit 2021, vetëm 800 shqiptarë kishin kapërcyer kanalin me gomone. Situata duket se është kapërcyer tashmë dhe fluksi është ndërprerë. Në shkurt të këtij viti mbërritën vetëm 50 emigrantë shqiptarë.

“Shqipëria është një vend i sigurt, nuk është në luftë dhe është vend kandidat për anëtarësim në Bashkimin Evropian,” shkruhet në deklaratën mbi raportin të publikuar në faqen e internetit të parlamentit të Mbretërisë së Bashkuar. “Nuk  ka bazë të qartë që  të pranojë në mënyrë rutinë mijëra aplikime për azil nga shtetasit shqiptar,” thuhet në konkluzionet e hetimit.

Sipas konkluzionit të hetimit, arsyeja kryesore e emigrimit të shqiptarëve në Mbretërinë e Bashkuar lidhet me kushtet më të mira të jetesës atje dhe jo me ndonjë lloj persekutimi politik në Shqipëri.

Qeveria shqiptare ka nënshkruar marrëveshje për riatdhesim të shpejtë të azilkërkuesve si dhe për transferimin në burgjet shqiptare të shqiptarëve të burgosur për krime të ndryshme në Mbretërinë e Bashkuar.

Një e treta e shqiptarëve do të ikë

Raporti vëren gjithashtu se rreth 40% e popullsisë shqiptare sakaq ka emigruar, por ka ende shumë që dëshirojnë të emigrojnë. Raporti citon një anketim të kryer nga Sëiss Contact në Shqipëri, ku 35% e popullsisë rezidente në Kukës deklaruan se duan të ikin dhe nga ata që duan të ikin, 59% preferojnë Mbretërinë e Bashkuar.

Arsyet e emigrimit, sipas pjesëmarrësve në anketim, janë kostot e larta të jetesës, mungesa e punës në Shqipëri, varfëria e mungesa e shërbimeve bazë. Katër në dhjetë pjesëmarrës thanë se ishin “shumë dakord” me deklaratën se “për të rinjtë nuk ka opsion tjetër veç emigrimit me çdo kusht”.

Emigrimi po than Shqipërinë nga forca punëtore duke krijuar perspektivën e një krize afatgjatë ekonomike dhe shoqërore. Të 15 mijë shqiptarët e larguar vitin e kaluar përbëjnë një në çdo pesëdhjetë qytetarë meshkuj të moshës 15-40 vjeç, ndërsa vlerësimet e  sugjerojnë se popullsia në grupmoshat e reja po tkurret në mënyrë dramatike nga emigrimi duke sjellë për rrjedhojë, një deficit të pritshëm në zgjerim në skemën e pensioneve gjatë dekadës së ardhshme.

Related Posts

Leave a comment