Uzina Dinamo, Rruga Memo Meto, Tiranë

Skandali: Qeveria e Albin Kurtit financoi organizatën “Civilna Zastita” edhe pasi e shpalli terroriste

-640-0-1688804800x900-0-1685338283x1685337893-kosove-152-635

Qeveria e Kosovës me vendim e ka shpallur organizatë terroriste “Mbrojtjen Civile” apo e njohur si “Civilna Zastita”, por i paguan nga buxheti i shtetit afër 500 pjesëtarë të së njëjtës organizatë, duke kryer kështu krim të rëndë sipas Kodit Penal të Kosovës, meqë bazuar në nenin 57 të “Ligjit për Parandalimin e Pastrimit të Parave dhe Luftimin e Financimit të Terrorizimit”, financimi i terrorizmit “është i dënueshëm me burgim nga pesë (5) deri në pesëmbëdhjetë (15) vjet, dhe me gjobë deri pesëqind mijë (500.000) euro”.

Ishte data 29 qershor i këtij viti kur “me qëllim të ruajtjes së sigurisë kombëtare, rajonale dhe globale, rendit kushtetues, stabilitetit si dhe mbrojtjes së interesave shtetërore”, Qeveria e Kosovës mori vendim për shpalljen e “Civilna Zastita” si organizatë terroriste, por vetëm pak ditë më pas anëtarëve të saj u dolën pagat nga Qeveria e Kosovës, njëjtë siç u dalin tash e sa vjet, prejse ishte paraparë me Marrëveshje në Bruksel që ata të inkuadroheshin brenda institucioneve të Kosovës e të shuheshin si strukturë paralele, gjë që nuk ndodhi kurrë.

Ata ishin akomoduar në pozicione të ndryshme në Qeverinë e Kosovës dhe merrnin paga varësisht nga koeficienti i pozitës, sipas ligjit në fuqi, por shumica absolute e tyre asnjëherë nuk kishin kryer funksionet për të cilat ishin angazhuar.

Pagat po ashtu asnjëherë nuk u ndalën dhe vazhduan të jepeshin edhe tash kur zyrtarisht “Civilna Zastita” është organizatë terroriste, shkruan Albanian Post, përcjell Gazeta10.

Vetëm në Ministrinë e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë ishin rekrutuar nga kjo organizatë 25 persona që përshkim të vendit të punës e kanë kryerjen e inspektimeve.

Albanian Post ka arritur të flas me njërin nga ta, që nuk ka pranuar t’i publikohet emri për shkaqe sigurie.

Serbi që merr pagë nga buxheti i Kosovës dhe që është edhe anëtar i organizatës të shpallur terroriste nga qeveria, ka treguar për detyrat që i ka në Veri të vendit dhe direktivat që i merr nga Beogradi. Ai e ka pranuar se organizata është aktive dhe kryen punë që i delegohen nga kryeqyteti serb

“Që nga fillimi jemi të njoftuar me detyrat tona. Unë i përgjigjem kërkesave të Serbisë. Nëse na kërkohet më dal në protesta, kemi detyra të organizimit të logjistikës, dikush është i ngarkuar për ta siguruar ushqimin kur kemi protesta, dikush për bartjen e njerëzve etj etj“.

Ai ka rrëfyer se shtetit të Kosovës nuk i përgjigjet, përveç kur i kërkojnë që të shkojë në qendër në zyre për ndonjë konsultë, por jo më shumë.

“Që pagat të mos na ndalen kur na thërrasin ne shkojmë për konsulta”, pohoi ai përmes telefonit, duke shtuar se “qeveria e tanishme nuk na ka thirrë kurrë”.

“Qeveritë e kaluara po”, tha.

Tregoi edhe një rast specifik kur “kemi pasur një takim me ish-ministrin Endrit Shala, që na i pat dhënë disa detyra dhe përpilimin e disa raporteve“.

Por, nuk është vetëm MINT që ka në stafin e saj anëtarët e “Mbrojtjes Civile”.

Janë edhe një mori institucionesh të Kosovës që kanë rekrutuar stafin e kësaj organizate tashmë të shpallur terroriste nga qeveria.

Në vitin 2015 dhe 2016 në institucionet e Kosovës ishin rekrutuar plotë 483 pjesëtarë të “Mbrojtjes Civile”, bazuar në marrëveshjen e Brukselit, kur Serbia formalisht kishte rënë dakord që kjo organizatë të shuhej.

Pjesëtarët e organizatës terroriste të shpallur nga Qeveria e Kosovës ishin rekrutuar në nëntë ministri dhe 11 agjenci shtetërore.

Në Administratën Tatimore, sipas të dhënave zyrtare, janë të punësuar 15 zyrtarë që janë rekrutuar nga organizata “Mbrojtja Civile”.

Në Doganat e Kosovës 20 zyrtarë të rekrutuar nga “Mbrojtja Civile”; Agjencinë Pyjore të Kosovës 18 zyrtarë; Ministrinë e Kulturës 22 zyrtarë të rekrutuar; në Ministrinë e Ambientit dhe Planifikimit Hapësinor 32; në Ministrinë e Administrimit dhe Pushtetit Lokal ishin rekrutuar 18; Ministrinë e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë 32 zyrtarë; në Ministrinë e Bujqësisë 8 zyrtarë; Ministrinë e Ekonomisë 18 zyrtarë; Ministrinë e Infrastrukturës 32 zyrtarë; Ministrinë e Shëndetësisë 20 zyrtarë; Shërbimin Korrektues të Kosovës 27 zyrtarë; Ministria e Punëve të Brendshme 20 zyrtarë.

Në raportet e Zyrës Kombëtare të Auditorit çdo vit evidentohet se institucionet e Kosovës paguajnë këta zyrtarë përkundër se nuk dalin në punë. Kështu tregojnë edhe të dhënat e raportit të vitit të fundit, 2022.

Siç e tregon raporti, paradoksalisht, në Ministrinë e Punëve të Brendshme të udhëhequr nga Xhelal Sveçla, punojnë 20 pjesëtarë të organizatës terroriste “Mbrojtja Civile”.

“Sipas konfirmimeve nga zyrtarët e ministrisë këta të punësuar nuk kanë hapësira të përcaktuara të punës dhe nuk zhvillojnë asnjë aktivitet në ministri. Buxheti i shpenzuar për pagat e tyre për vitin 2022 ishte 101 mijë e 474 euro”, thuhet në raport.

Raporti nga Zyra Kombëtare e Auditimit shkruan se edhe për 25 veta të tjerë që janë të angazhuar në Ministrinë e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë janë paguar 127 mijë e 298 euro për një vit, derisa ministrisë i tërhiqet vërejtja se “pagesat e punonjësve në mungesë të dëshmive për vijueshmëri në punë dhe në mungesë të angazhimit për kryerjen e detyrave zyrtare, konsiderohen si pagesa të parregullta dhe dëmtojnë buxhetin e ministrisë”.

Përkundër kësaj, MINT vazhdon të paguajë anëtarët e “Mbrojtjes Civile”, apo “Civilna Zastita”.

Një nga ministritë që ka numrin më të madh të të punësuarve që nuk shkojnë kurrë në punë, është ajo e Ambientit dhe Infrastrukturës. Për 64 veta kjo ministri paguan 313 mijë e 899 euro.

Raporti auditorit edhe për këta thotë se “sipas konfirmimeve nga zyrtarët e Ministrisë këta të punësuar nuk kanë hapësira të përcaktuara të punës, nuk kanë objektiva të përcaktuara dhe nuk zhvillojnë asnjë aktivitet në ministri”.

Gjithsejtë pagesa që iu bëhen këtyre anëtarëve të “Mbrojtjes Civile”, të cilët siç ka deklaruar në disa raste edhe kryeministri Kurti, i përgjigjen Aleksandër Vuçiç-it, shkon disa miliona euro në vit.

Ata janë paguar prej vitesh edhe pse nuk kanë punuar, por tashmë paguhen edhe përkundër se i takojnë një organizate terroriste, çka përbënë shkelje të rëndë të ligjit të Kosovës nga vetë Qeveria e Kosovës.

Në një konsultim me avokatin Arianit Koci që zotëron një nga shtëpitë e avokatisë më të mëdha në Kosovë, ai konfirmon se “për këdo që në mënyrë të drejtpërdrejtë apo të tërthortë ofron, kërkon, mbledh ose fsheh, organizon, përgatitë apo vë në dispozicion fonde apo mjete materiale, për të kryer apo kontribuar në kryerjen e veprës penale të terrorizmit parashihet prej pesë deri në pesëmbëdhjetë vjet burgim”.

Koci shton se “për më tepër – që kjo vepër të përbëjë vepër penale – nuk është e nevojshme që veprimi terrorist të ndodh”, por “natyrisht, rastet dallojnë dhe secili i ka specifikat e veta”.

Avokati thotë se nëse Prokuroria do të fillonte një hetim për këtë çështje, që të vije deri te dënimi i përgjegjësve, në këtë rast Qeveria e Kosovës, “së pari duhet vërtetuar me prova konkrete se personat që po vazhdojnë të paguhen nga shteti i Kosovës, a janë pjesëtarë të organizatave që janë shpallë terroriste”.

Prova të tilla, përveç raporteve të auditorit që tregojnë se ata asnjëherë s’kanë dalë në punë, mund të cilësohen edhe deklarimet e vetë zyrtarëve të Qeverisë së Kosovës, të cilët pohonin publikisht se serbët e Kosovës që u bënë pjesë e institucioneve të Kosovës nga strukturat paralele asnjëherë s’kanë shuar aktivitetin dhe kanë vazhduar t’i raportojnë presidentit serb.

Kjo ishte dëshmuar edhe nga rasti i fundit me pjesëtarët e Policisë së Kosovës, të cilët me urdhra politik nga Beogradi zhveshën uniformat, për të vazhduar aktivitetin ilegal dhe tashmë terrorist.

Albanian Post ka provuar të marrë një përgjigje përmes telefonit nga Zëdhënësi i Qeverisë së Kosovës, Përparim Kryeziu, për të kuptuar se si është e mundur që Kosova vazhdon t’i paguajë pjesëtarët e një organizate terroriste dhe përse vendimi i Qeverisë për shpalljen e organizatave terroriste s’ka pasur edhe pikën që u ndërpretë pagesat pjesëtarëve të saj, por kontakti ka qenë i pamundur. Kryeziu, si gjithmonë, nuk u është përgjigjur thirrjeve. /Gazeta10/

Related Posts

Leave a comment