Uzina Dinamo, Rruga Memo Meto, Tiranë

KPK u nda në vlerësimin e prokurorit Enklid Gjini

-800-0-9f2575d73f09ecc4bc47072280b7d5bb

Pakica e Komisionit vlerëson se prokurori i Tiranës, Enklid Gjini ka kryer deklarim të pasaktë për një automjet, si dhe se ka ndërmarrë hapa për ta fshehur atë dhe vlerën – pasuri e cila nuk trajtohet në asnjë radhë të vendimit prej 51 faqesh të shumicës. Ndryshe nga shumica që nuk ka gjetur problem në ansjë prej kritereve, pakica çmon se subjekti ka mungesë të burimeve të ligjshme, se ka kryer deklarim të pamjaftueshëm për pasurinë, si dhe se ka cënuar besimin e publikut tek drejtësia me hetimet e kryera në një çështje.

Nga Edmond Hoxhaj

Prokurori i Tiranës, Enklid Gjini u konfirmua në detyrë më 10 korrik nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit, KPK, me shumicë votash. Shumica e trupit gjykues e përbërë nga relatorja Firdes Shuli dhe anëtari Olsi Komici konkluduan se Gjini kishte arritur nivel të besueshëm për pasurinë dhe pastërtinë e figurës, si dhe nivel kualifikues për profesionalizmin. Kryesuesja Xhensila Pine ka dalë në pakicë, duke çmuar se prokurori Enklid Gjini duhej të ishte shkarkuar pasi ka mungesë të burimeve financiare të ligjshme për të justifikuar pasuritë; se ka kryer deklarim të pasaktë dhe të pamjaftueshëm e ndërmarrë hapa për të fshehur pasurinë; si dhe se në vlerësimin tërësor të çështjes, ka cënuar besimin e publikut tek drejtësia.

Enklid Gjini e nisi karrierën në sistemin e drejtësisë në vitin 2004 dhe punon prej gati dy dekadash si prokuror në Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Tiranë.

Mendimet ndryshme për pasurinë

Pine evidenton në mendimin e pakicës, se subjekti ka shpjeguar në përgjigjet e pyteësorit nr.q se ka deklaruar në vitin 2008 përdorimin e një automjeti, me prokurë të posaçme, me qëllim blerjeje. Ai ka paraqitur prokurën e vitit 2008, me anë të së cilës një shtetase me moshë 68 vjeçe në atë kohë, autorizonte subjektin dhe bashkëshorten e tij të kryenin çdo veprim për zhdoganimin e automjetit dhe ta përdornin vetë pa asnjë lloj kufizimi brenda dhe jashtë vendit.

Nga verifikimet ka rezultuar se subjekti shënuar në deklarimin periodik vjetor të vitit 2008 se e ka blerë këtë automjet në vlerën 200 mijë lekë. Sipas Pines, vlera nuk provohet nga asnjë dokumentacion ligjor provues për blerjen apo vlerën e automjetit, duke mbetur deklarative.

Në vitin 2016 subjekti ka deklaruar se e ka nxjerrë jashtë përdorimit mjetin në fjalë, për shkak të amortizimit. “Nxjerrja nga qarkullimi e këtij automjeti nuk rezulton e provuar me ndonjë akt ligjor dhe mbetet vetëm deklarative, në kushtet kur automjeti, i përdorur nga subjekti nga viti 2008, nuk ishte regjistruar asnjëherë dhe nuk ishin kryer procedurat e zhdoganimit të tij në Republikën e Shqipërisë”, citohet në vendimin e pakicës dhe argumenton se në kushtet kur mjeti nuk ishte future asnjëherë në qarkullim, ishte e pamundur të nxirrej nga qarkullimi e të provohej me dokumentacion një gjë e tillë.

Kryesuesja Pine vlerëson se subjekti vijonte të kishte të drejtën e përdorimit të këtij automjeti edhe në kohën e plotësimit të deklaratës “veting” dhe se kishte detyrimin ligjor që ta pasqyronte. Sipas pakicës, Gjini ka bërë deklarim të pasaktë, duke mos e deklaruar përdorimin e këtij automjeti.

“Përtej këtij konkluzioni, rezultoi se subjekti nuk shpjegoi se përse nëna e një oficeri policie, e cila në kohën e hartimit të prokurës së posaçme kishte moshën 68 vjeç, duhet të blinte një automjet të cilin, disa ditë pas futjes në territorin e Republikës së Shqipërisë do t’ia linte në përdorim me të drejta të pakufizuara dhe pa afat subjektit të rivlerësimit dhe bashkëshortes”, vëren Pine dhe shton se Gjini nuk shpjegoi se përse nga momenti i marrjes së prokurës në tetor të vitit 2008, ai nuk lidhi kontratën e shitblerjes me pronaren e këtij automjeti.

Deklarimi e subjektit se kontrata nuk është realizuar pasi pronarja e automjetit jetonte jashtë, nuk është gjetur i mbështetur në të dhënat e sistemit TIMS për këtë shtetase. Sipas Pines, pas dhënies së prokurorës ajo ka pasur vetëm disa udhëtime disaditore jashtë territorit të Shqipërisë.

Po ashtu, pakica shprehet se Gjini nuk shpjegoi se përse ai nuk realizoi regjistrimin e automjetit apo pagimin e detyrimeve doganore, pavarësisht se pronarja e këtij automjeti e kishte autorizuar atë me prokurën e posaçme.

“Ai nuk shpjegoi se si e ka përdorur një automjet për një periudhë të gjatë disavjeçare, në shkelje të praktikave normale, pa kryer procesin e regjistrimit të këtij automjeti, në kundërshtim me parashikimet e ligjit nr. 10 076, datë 12.2.2009, ‘Për sigurimin e detyrueshëm në sektorin e transportit’, për pagimin e detyrimeve doganore dhe regjistrimin e mjetit pranë DRSHTRR-së, sipas parashikimit të Kodit Rrugor të Republikës së Shqipërisë”, konstaton Pine.

Në analizë të rrethanave dhe provave, Pine vlerëson se nuk mund të injorohen e të konsiderohen si joekzistente – marrëdhënia e subjektit të rivlerësimit me automjetin; faktin se marrëdhënia e pronares me këtë automjet nuk krijon bindjen se ajo është pronarja de facto, pasi nuk e ka përdorur asnjëherë vetë; se prokurori Gjini nuk e provoi vlerën e blerjes së këtij automjeti nga pronarja e tij apo mundësinë financiare të saj; si dhe faktin se subjekti nuk ka paguar detyrimet doganore dhe regjistrimin e mjetit sipas parashikimit të Kodit Rrugor të Republikës së Shqipërisë.

Sipas Pines, këto rrethana të çojnë në konkluzionin se subjekti i rivlerësimit jo vetëm ka kryer deklarim të pasaktë në deklaratën “veting” pasi nuk e ka pasqyruar këtë mjet, por edhe ka ndërmarrë hapa për ta fshehur këtë pasuri dhe vlerën reale të saj.

Në vendimin e shumicës rezulton të mos jetë shënuar asnjë e dhënë lidhur me verifikimin e kësaj pasurie, për të cilën pakica konkludon një sërë problemesh penalizuese.

Shumica nuk ka gjetur probleme as në mospasqyrimin në deklaratën “veting” të përdorimit të një automjeti, të blerë më vonë prej bashkëshortes së tij, pasi ishte plotësuar deklarata në kuadër të procesit të rivlerësimit kalimtar.

“[…]Referuar periudhës dyjavore të përdorimit të mjetit deri në plotësimin e deklaratës Vetting, faktit që në periudhën para blerjes së mjetit policat e sigurimit tregojnë pronar shtetasin A. K., faktit që në sistemin TIMS nuk rezultuan udhëtime të subjektit apo bashkëshortes së tij me këtë automjet, si dhe, faktit që automjeti i dhënë në përdorim u ble nga bashkëshortja e subjektit, pretendimet e subjektit u vlerësuan të arsyeshme dhe nuk ngrihen dyshime për shkak të mosdeklarimit të përdorimit të mjetit në deklaratën Vetting”, arsyeton shumica.

Por Pine vëren se nuk ka paur ndonjë revokim të kontratës së përdorimit të mjetit dhe për rrjedhojë, subjekti vijonte ta mishte të drejtën e përdorimit të makinës edhe në kohën e plotësimit të deklaratës “veting” ku kishte detyrimin ta pasqyronte një rrethanë të tillë. Sipas Pines, mosdeklarimi i përdorimit të këtij mjeti e bënë deklarimin e subjektit të pasaktë e të pamjaftueshëm.

KPK është ndarë edhe në vlerësimin e një apartamenti 2+1 në Tiranë, të blerë për 40 mijë euro, me burim 10 mijë euro të dhuruara nga gjyshja e cila i ka siguruar nga shitja e pasurive dhe qiradhënia; si dhe me burime kursime nga pagat.

Ndryshe nga shumica që ka vlerësuar se subjekti kanë pasur mjaftueshëm burime për pagesën e kësteve të apartamentit, Pine në pakicë çmon se nuk është provuar shlyerja e detyrimeve për të ardhurat e gjyshes nga qiratë.

Sipas Pines, arsyetimi i shumicës së trupit gjykues nuk mbështetet nga parashikimet ligjore në fuqi, pasi nuk është një nga rastet kur qiramarrësi person fizik, tatimpagues shqiptar, mban në momentin e pagesës tatimin mbi qiranë dhe ka detyrimin ta paguajë atë në organin tatimor si një tatim përfundimtar. Ajo sqaron se është provuar se qiramarrësi është një përfaqësi diplomatike e një shteti të huaj dhe jo tatimpagues shqiptar. Pine vlerëson se vetëm provueshmëria e pagimit të tatimit mbi të ardhurat nga qiradhënëja do të legjitimonte marrjen në konsideratë të tyre si burim krijimi për dhurimin e deklaruar, që gjë nuk është provuar.

Shumica ka konsideruar në analizë edhe dhurime nga prindërit e bashkëshortes të deklaruara nga subjekti gjatë hetimit administrativ, por Pine çmon se ato nuk mund të përfshihen në analizë përderisa nuk janë pasqyruar në deklaratën “veting”.

Në përfundim, Pine vlerëson se subjekti gjendet në kushtet e mungesës së burimeve financiare dhe deklarimit të pamjaftueshëm për këtë pasuri.

Po ashtu, Pine vlerëson se subjekti nuk ka pasur mundësi financiare as për vlerjen e një apartamenti tjetër 1+1 në Tiranë. Sipas saj, trupi gjykues duhet të merrej në konsideratë se vlera e paguar për apartamentin ishte sipas kontratës në çmimin 1.9 milionë lekë ishte shlyer jashtë zyrës noteriale më datë 21 nëntor 2007. Ajo sjell në vëmendje se të dhënat bankare dëshmojnë edhe një agesë tjetër 20 mijë euro të kaluar më 7 dhjetor 2007 dhe vlerëson se duhej të ishin konsideruar të dyja këto shuma në analizën financiare, prej nga do rezultonte bilanc negativ.

Ndërsa shumica, bazuar në shpjegimet e subjektit, shprehet se ka krijuar bindjen se në total për këtë pasuri janë shpenzuar 30 mijë euro, aq sa është përcaktuar çmimi në deklaratën e datës 25 tetor 2007, përpiluar pranë NBG Bank.

Sipas shumicës, 20 mijë euro janë paguar me gredi bankare në vitin 2007 dhe 10 mijë euro në 2008-ën, prej nga ka rezultuar se Gjini ka pasur burime të ligjshme.

“[…]Komisioni nuk gjen shkak për penalizim të subjektit për shkak të redaktimit të deklaratës së datës 25.10.2007. Por, edhe nëse shuma 10.000 euro do të konsiderohej e paguar nga subjekti në këtë datë (mbi shumën 30.000 euro shpenzuar realisht për blerjen dhe investimin në pasuri), balanca negative prej 411.716 lekësh nuk është e atij niveli që të penalizojë subjektin e rivlerësimit”, konkludon shumica.

Figura

Shumica ka çmuar se prokurori Gjini ka arritur nivel të besueshëm për pastërtinë e figurës duke e përmbysur raportin e dytë të Drejtorisë së Sigurimit të Informacionit të Klasifikuar, që bazuar në informacionet për implikim në veprimtari korrutive, kishte konkluduar papaërshtatshmëri.

Pine në pakicë rendit argumentet e saj të kundërta. “[…]Kam vlerësuar se Komisioni duhet të vijonte kërkimin mbi gjetjen dhe vënien në dispozicion të fashikullit lidhur me procedimin penal nr. ***, viti 2005, si dhe çdo procedim tjetër të regjistruar për shtetasin S. L., jo vetëm si individ, por edhe si funksionar shtetëror pranë Ministrisë së Punës Sociale dhe Shanseve të Barabarta, në detyrën e Drejtorit të Përgjithshëm, në Shërbimin Kombëtar të Punësimit, nga data 19.6.2003 deri në datën 12.12.2005, për të mundësuar verifikimin dhe arsyetimin lidhur me të dhënat që referoheshin në informacionet lidhur me figurën e subjektit të rivlerësimit”, shprehet ajo.

Në vijim Pine vëren se nga analiza e akteve të një procedimi penal tjetër, të vitit 2015, rezultonte se vendimi i pushimit ishte marrë nga subjekti në kundërshtim me provat e administruara gjatë hetimit. Ajo argumenton se, nga akti i ekspertimit autoteknik u provua shkelja e rregullave të Kodit Rrugor nga ana e personit që i atribuohet vepra penale dhe nga akt-dëshmia mjekoligjore është provuar pasoja e ardhur, plagosja e rëndë.

“[…]Ndryshe nga sa arsyetohej në urdhrin e regjistrimit të procedimit penal për veprën penale “shkelje e rregullave të qarkullimit rrugor”, parashikuar nga neni 290/2 i Kodit Penal ndaj personit që i atribuohet vepra penale, nё vendimin e pushimit arsyetohej mbi mungesën e veprës penale të parashikuar nga neni 290/1, e cila kërkonte si pasojë plagosjen e lehtë të disa personave, në kuadër edhe të çmuarjes së shpjegimeve që ka dhënë subjekti, kam arritur në konkluzionin se informacionet që disponoheshin në ngarkim të subjektit të rivlerësimit, z. Enklid Gjini, sipas kërkesave të shkronjave “b” dhe “c” të nenit 37 të ligjit nr. 84/2016, ishin të bazuara në fakte dhe rrethana konkrete”, thekson Pine.

Sipas saj, edhe nëse ky konkluzion nuk do të ishte i mjaftueshëm për të arritur në një konkluzion lidhur me kontrollin e pastërtisë së figurës së subjektit, ai cenonte pastërtinë e figurës së subjektit dhe shkallën e besueshmërisë së tij.

“Rrethanat që përmban praktika e procedimit penal, analizuar në funksion të këtij kriteri vlerësimi dhe praktikat e procedimeve penale, analizuar në funksion të denoncimeve, referuar gjetjeve të dërguara me rezultatet e hetimit dhe shpjegimeve të dhëna nga subjekti, kanë dëshmuar se subjekti i rivlerësimit ka krijuar kushtet e klimës së pandëshkueshmërisë në sytë e publikut, duke cenuar besimin e publikut te drejtësia”, vlerëson pakica.

Related Posts

Leave a comment