Uzina Dinamo, Rruga Memo Meto, Tiranë

Rritet siguria për festat e fundvitit, Policia e Shtetit publikon planin e masave

-640-0-07b6a329eadafc1e28e2ca5759123d48

Strukturat e Policisë së Shtetit kanë shtuar vigjilencën dhe gatishmërinë për të garantuar mbarëvajtjen e festave të fundvitit.

Policia ka bërë me dije se, për garantimin e rendit dhe të sigurisë, parandalimin dhe goditjen e paligjshmërive, janë të angazhuara Forcat e Sigurisë Kombëtare, drejtoritë vendore të Policisë dhe ato kufitare, Forcat e Posaçme Operacionale dhe Policia Kriminale.

Ndër të tjera theksohet se për netët festive të Krishtlindjes dhe të ndërrimit të viteve, por dhe gjatë gjithë ditëve të fundvitit do të ketë rritje të prezencës policore në shëtitore, pedonale, objekte kulti dhe sheshe publike, në të gjitha bashkitë e vendit, për të garantuar mbarëvajtjen e festimeve.

Masa shtesë janë ndërmarrë edhe për të parandaluar futjen në Shqipëri, të lëndëve piroteknike dhe përdorimin e kundërligjshëm të tyre.

Për të eliminuar radhët e gjata në hyrje, janë marrë masa, janë shtuar sportelet dhe burimet njerëzore në të gjitha pikat e kalimit kufitar.

Po bashkëpunohet me homologët në pikat tokësore, me qëllim krijimin e lehtësirave ligjore, shmangien e radhëve të gjata dhe për sigurimin e lëvizjeve të njëtrajtshme, në të dyja anët e kufirit.

Njëkohësisht është rritur kontrolli si në pikat e kontrollit kufitar, ashtu edhe në kufirin e gjelbër, me qëllim parandalimin dhe goditjen e krimeve ndërkufitare.

Masa janë marrë edhe në drejtim të parandalimit të ngjarjeve rrugore, duke shtuar monitorimet në të gjitha akset rrugore, me makina inteligjente, radarë automatikë dhe me patrulla të lëvizshme, me mjete të pauniformuara, me qëllim parandalimin e aksidenteve rrugore.

Ndërkohë, vijon kontrolli ndaj subjekteve që tregtojnë fishekzjarrë dhe lëndë të tjera piroteknike, duke bashkëpunuar me PMNZH-në dhe me strukturat e tjera ligjzbatuese.

Për të parandaluar ngjarjet kriminale, janë shtuar shërbimet dhe patrullimet në afërsi të bankave, zyrave të këmbimit valutor, tregjeve dhe objekteve të tjera, ku administrohen vlera monetare dhe materiale.

Forcat e Sigurisë Kombëtare janë shpërndarë në porte, aeroporte, pika kalimi, në qendra të mëdha urbane dhe në akse rrugore, duke bashkëpunuar me strukturat vendore dhe janë në gatishmëri të plotë për të ndërhyrë në çdo moment, në rast së është e nevojshme.

Related Posts

Leave a comment