Uzina Dinamo, Rruga Memo Meto, Tiranë

Kuvendi rinis punën me ligjet kontroverse për lojërat e fatit e zonat e mbrojtura

-800-0-d0d950580fe0c911ff0abab36a7fb0da

Në kalendarin e punimeve për periudhën 15 janar – 2 shkurt 2024 të miratuar të enjten pa praninë e opozitës në Konferencën e Kryetarëve parashikohet votimi në seancë plenare me datë 8 shkurt i projektligjit “Për lojërat e fatit” një propozim i ardhur nga Këshilli i Ministrave që në korrik.

Dispozitat e reja ligjore që propozojnë rikthimin e basteve online më shumë se 5 vite nga ndalimi i tyre me ligj nga qeveria.

Ligji u miratua pa ndonj debat thelbësor në komisionin e Ligjeve por ato shkaktuan kundërshtime dhe debat në komisionin për Ekonominë dhe Financat, duke bërë që të shtyhej disa herë futja e tij në seancë plenare.

Qeveria argumenton se me anë të ligjit të ri tenton ta formalizojë aktivitetin e basteve pasi pranoi se nuk e ka kontrolluar dot funksionimin e tij në mënyrë të paligjshme gjatë kësaj periudhe.

Sipas propozimeve të reja, bastet sportive do të lejohen vetëm online, e drejta për ta ushtruar këtë aktivitet do jepet vetëm për 10 operatorë dhe përzgjedhja e tyre do të bëhet nëpërmjet një komisioni të veçantë e kriteresh të forta.

Ligji u kundërshtua nga opozita, nga shoqata e basteve dhe atyre për mbrojtjen e lojtarëve. As vetë deputetët socialistë nuk kanë arritur të gjejnë konsesus mes tyre në komisionin e ekonomisë, ku po diskutohem ndryshime të mundshme mbi propozimet fillestare të qeverisë.

Ndërkohë, në kalendarin 3-javor të nisjes së sesionit të ri mazhoranca parashikon votimin më 15 shkurt të nismës ligjore të deputetëve të PS-së, e cila i hap rrugë shkatërrimit të mëtejshëm të Zonave të Mbrojtura natyrore me lejimin e investimeve turistike dhe ekonomike brenda tyre.

Aktivistët e mbrojtjes së mjedisit e cilësuan një “zhvillim skandaloz” dhe kundërshtuan njëzëri nismën.

Propozimet parashikojnë heqjen e neneve që përbëjnë thelbin e ligjit aktual, ku përjashtohen mundësitë e shfrytëzimit me “aktivitete intensive nga ana e njeriut” dhe ndryshim i formës së menaxhimit të tyre duke lënë bashkive në administrim jo me pak se 20% të sipërfaqes së zonave te mbrojtura qe jane ne territorin e tyre.

Në kalendarin e ri të punës nuk parashikohet diskutimi i nismave për reformën zgjedhore dhe pse një vendim i Gjykatës Kushtetuese i ka lënë afat deri në 14 janar Kuvendit për të ndryshuar ligjin për garantimin e votës për diasporën.

Projektligjet dhe zgjedhjet e drejtuesve në institucionet e pavarura që kërkojnë shumicë të cilësuar votash do të hasin në vështirësi për t’u miratuar, nëse opozita nuk i rikthehet pjesëmarrjes në jetën parlamentare.

Edhe ky sesion pritet të nisë në një situatë tensionuar me të cilën u përshkruan javët e fundit të sesionit parardhës, ku opozita protestonte duke tentuar bllokimin e seancave, pasi mazhoranca refuzoi kërkesat e saj për hetim parlamentar të qeverisjes.

Ndërkohë PS ndërmori një sërë vendimesh në mënyrë të njëanshme, si ndryshimi i rregullores parlamentare duke ashpërsuar masat ndëshkimore për prishje të seancave dhe ndryshimin e ligjit për komisionet hetimore. (BIRN)

Related Posts

Leave a comment