Presidenti i SHBA-së Donald Trump, presidenti francez Emmanuel Macron, kryeministrja italiane Giorgia Meloni dhe kryeministri britanik Keir Starmer janë disa nga partnerët më të afërt të politikës së jashtme tëkancelarit gjerman Friedrich Merz. Por marrëdhëniet janë zhvilluar shumë ndryshe , disa shumë më mirë, të tjera më keq nga sa pritej.
Me Emmanuel Macron nuk po gjendet gjuha e përbashkët
Në fillim të qershorit, një projekt prestigjioz franko-gjerman (FCAS) dështoi.Pas nëntë vitesh negociatash, Franca dhe Gjermania i dhanë fund përpjekjeve për të ndërtuar një avion luftarak të përbashkët si pasues i Eurofighter.
“Simbolikisht, kjo tregon se bashkëpunimi franko-gjerman dhe vullneti politik për integrim më të fortë në mbrojtje kanë dështuar,” thotë Linn Selle nga Shoqata Gjermane për Politikën e Jashtme. “Është një sinjal shumë i keq për bashkëpunimin evropian.”

Merz kishte premtuar të ringjallte marrëdhëniet me Francën, por kjo nuk ka ndodhur plotësisht. Marrëdhëniet janë ftohur ndjeshëm. Ata shpesh nuk bien dakord për tregtinë, financat dhe buxhetin e BE-së. Madje, fundin e projektit FCAS nuk e shpallën bashkë – Berlini e surprizoi Parisin.
Giorgia Meloni pragmatiste e djathtë
Pas dështimit të FCAS, Italia u përpoq të afrohej më shumë me Gjermaninë në një projekt alternativ avionësh luftarakë (GCAP).
Marrëdhëniet me Italinë dikur ishin në hije të atyre me Francën. Kur Meloni erdhi në pushtet në 2022, qeveria gjermane e asaj kohe mbajti distancë, pasi partia e saj konsiderohej e djathtë ose madje ekstreme nga shumë qarqe.
Por që nga ardhja e Merz në pushtet në maj 2025, kjo ka ndryshuar. Jo sepse Merz ndan të njëjtat ide politike, por sepse Meloni është treguar pragmatike, sidomos në konfliktet me SHBA-në dhe çështje të tjera ndërkombëtare.
Gjermania dhe Italia ndajnë interesa të përbashkëta: më shumë konkurrencë dhe më pak burokraci në BE.Sipas Linn Selle, të dy liderët kanë një qasje pragmatike dhe vendet e tyre janë të ngjashme ekonomikisht dhe politikisht. Megjithatë, Italia nuk ka gjasa të zëvendësojë rolin e Francës për Gjermaninë.
Me Donald Trump pa miqësi, pavarësisht përpjekjeve
Merz është përpjekur shumë të ruajë marrëdhënie të mira me Trump. Ai ka shprehur vetëm kritika të kujdesshme për veprimet e SHBA-së në skena ndërkombëtare dhe ka bërë disa vizita në Shtëpinë e Bardhë.
Sipas ekspertëve, një arsye është bindja e Merz se SHBA duhet të mbetet aleat përballë kërcënimit nga Rusia.
Por marrëdhënia u tensionua pas kritikave të Merz për strategjinë e SHBA-së në konfliktin me Iranin.Trump reagoi ashpër ndaj tij publikisht, duke e kritikuar Gjermaninë.

Ekspertët vlerësojnë se është e vështirë të parashikohet sjellja e Trump dhe se mbështetja e tepërt tek ai mund të jetë e rrezikshme.
Keir Starmer në përpjekje për afrim me BE-në
Britania ka dalë nga BE, gjë që Merz e konsideron negative. Por kryeministri Keir Starmer po përpiqet për një afrimitet më të madh me BE-në, gjë që mirëpritet nga Merz.
Edhe pse vijnë nga parti të ndryshme, ata kanë krijuar një marrëdhënie të fortë bashkëpunimi, sidomos në mbështetje të Ukrainës.
Të dy janë pragmatistë dhe ndajnë qëndrime të përbashkëta për politikën ndërkombëtare. Gjithashtu, Merz ka një orientim të fortë anglosakson dhe dëshiron lidhje më të ngushta me Britaninë.
Megjithatë, të dy përballen me presion të madh politik nga e djathta në vendet e tyre. Partitë e tyre në disa raste janë pas konkurrentëve të djathtë në sondazhe.
Në SHBA dhe Itali, politikanë të tillë janë tashmë në pushtet. Marrëdhëniet e Merz me Trump dhe Meloni tregojnë se në të ardhmen ai mund të ketë të bëjë me politikanë të ngjashëm edhe në Francë dhe Britani.



