Uzina Dinamo, Rruga Memo Meto, Tiranë

NJË DITË PA ANIJEN TIME! KUSH ËSHTË URDHËRDHËNËSI?

667B5FF6-01EA-4DEB-83D7-8855791158DC

Nga Thoma NIKA-

Në kalendarin tonë ka një ditë që paraquhet “Dita pa makinën time”. Kjo, në emër të dëshirës për të dhënë provën se sa të vullnetshëm jemi për t’i thënë, qoftë në një ditë të vetme “stop ndotjes” që vjen nga makinat me djegje karburanti. Statistikat shpesh tregojnë se pikërisht në atë ditë, më 22 shtator, “harrojmë” ta kthejmë këtë dedikim në një betim dhe ta mbajmë atë. Shpesh edhe ajo ditë nuk bën dallim nga ditët me zhaurimë dhe ndotje që vjen prej makinave, të cilat ndodh t’i përdorim “për zakon moderniteti”, pa patur një arësye të fortë dhe një nevojë të plotë.
Për detarët dhe lundrimtarët nuk ka në kalendar një “ditë pa anijen time”. Edhe po të kishte, e sigurt është, që duke qenë të gatuar njëlloj me “tokësorët”, do të kishin vepruar po njëlloj. Por ka një ndryshim thelbësor që bën dallimin: nëse Toka ka ligje që më së shumti thyhen, Deti ka ligjësi, të cilat bën aventurë t’i injorosh. Dhe vetëm i respekton.
Nuk ka në kalendar “ditë pa anijen time”. E megjithëkëtë, e sotmja, 21 gushti, ishte e tillë.
Të ishe një frekuentues plazhesh në Sarandë, kishe një det që të kënaqte me pastërtinë dhe qetësinë e valës, të cilën jo çdo ditë e gjen. Buzëdeti dhe gjiret e shumtë të Jonit, ishin me një det vaj dhe me ujë valë.
Ndërsa çdo mjet lundrimi mbeti në spirancë. Jo për defekt. Jo për mungesë turistësh, që do të donin plazhin ta bënin në Krorëz, Kalome apo në gjire të tjera ekzotike, të cilat Saranda i ka me shumicë, në të dy krahët e saj: për nga Bregu apo për nga Qefali e Ftileja.
“Urdhërdhënësi” i stop lundrimit ishte dallgëzimi i rritur në det të hapur. Vetëm “Delfini” i orareve të pasmesditës u pa të çante valët, për të mos ndërprerë lundrimin drejt Korfuzit fqinjë. Zanatçinjtë thonë se “Delfinët” kanë fuqinë e duhur motorrike dhe aftësinë dallgëthyese edhe në Mezokanal.
Të gjitha anijet e tjera i ke në spirancë, në një paradite fundjave të pazakontë, me lëvizje të ngrirë, në spirancë.
Nuk do të ishte keq, sikur edhe ligjet e bëra për lëvizshmërinë në tokë, të kishin referencë në ligjësi si këto të detit, që do t’i bënin automatikisht e lehtësisht të zbatueshme. Ah, sikur!

Related Posts

Leave a comment