Uzina Dinamo, Rruga Memo Meto, Tiranë

PLAZH I PLLAKAVE: JO MË MONUMENT NATYRE

323783921_6037788132956014_5585925985123630120_n

Thoma Nika

Bërja do kohën e vet, relativisht të gjatë. Ndërsa zhbërja vjen sa të mbyllësh e të hapësh sytë. Sidomos kur shteti mbyll sytë dhe vonon t’i hapë. Ka vonesa që janë fatale, pasi ndodh që kur shteti del nga gjumi i thellë, sheh se Monumentit që “mbrohej nga shteti”, i ka mbetur vetëm tabela. Monumenti është zhbërë ose rrënuar pa kthim, kur “mbrojtja nga shteti” nuk ka çfarë mbron më.
Këto po mendoja sot, i ngacmuar nga memorja e një statusi për Plazhin e Pllakave të Sarandës, që kisha postuar në 4 janarin e 8 viteve të shkuara. Nuk mbahet mend sa kohë u desh që natyra ta formonte e ta sillte Plazhin e Pllakave të Sarandës, si një mrekulli natyrore dhe ta lerë si një shenjë identitare dhe si materje të memorjes së brezave. Atyre nuk u duhej as shezlong e as çadër, përpara pllakave të lëmuara, të përqafuara e të përkëdhelura nga valët e detit, si të dashuruarit.
Ishin kohëra kur Plazhi i Pllakave shtrihej buzë ujërave blu të Jonit, në një hapësirë të gjerë, sa syri asnjëherë nuk e rrokte dot të tërën. Monumentet e nëntokës (arkeoligjisë) ishin dhe janë me shumicë në këtë rajon, ndërsa monumenti i dhuruar nga Natyra ishte vetëm ky Plazh, i shtruar natyralisht me pllaka guri. Këtij peizazhi të gurtë dhe të ujtë, iu sul privati dhe, në më të shumtën, Pllakat i mbuloi betoni e mbi to mbinë vila e diskoteka, mbinë çadra, shezlongë e banakë. Mijëra metrakatrorët u katandisën në 500 metra. Po të mos kishte dalë dikush, në emër të nostalgjisë për këtë shenjë memoriale, mbase furia çmendarake e ‘97-ës nuk do të kishte lënë “të gjallë” asnjë pllakë nga Pllakat. Shtetit i doli “narkoza” dhe, duke dashur t’i verë një kufi zhbërjes totale, me VKM-në e dhjetorit 2002, e merr “në mbrojtje” Plazhin e Pllakave, duke e zyrtarizuar si Monument Natyre.
Ndërsa 20 vite më pas, viti 2021, me sa duket, duke parë se “kokoshi është katandisur një thelë”, duke parë se pas sulmesh pa fund, nuk ka mbetur gjë për të mbrojtur, e hoqi Plazhin e Pllakave nga lista e Monumenteve të Natyrës. E kjo mësohet të mos ketë qenë heqja e vetme. Nga kjo listë Shqipërisë tani i mungojnë monumente me vlera të konsiderueshme shkencore, ekologjike, kulturore, didaktike etj. Të njëjtin “fat” patën disa tarraca detare (Kusbabait, Dajtit etj.), liqeni akullnajor i Gramozit; Fortesa e Kelmendit, disa forma dhe shpella karstike etj.
Plazhi i Pllakave të Sarandës, ndonëse shfaqet sot si një fytyrë e rrudhur e gjymtyrë e mpakur, mbetet një fragment i dashur dhe një aset i memorjes së qytetit, i “hipotekuar” në kujtesën e disa brezave.
Mund të jetë një imazh i bazen uji dhe natyra

Related Posts

Leave a comment