Uzina Dinamo, Rruga Memo Meto, Tiranë

SARANDË-KORFUZ ME BIÇIKLETA??

293369843_1003977026926766_1017695725522201574_n
Thoma Nika
Sapo rash në kontakt me këtë ide fantastike, të hedhur për konsum publik dhe me shumë shans për të patur zhvillim, nga thellësia e viteve të Shqipërisë “kuti konserve”, më rierdhi në kujtesë ajo thënia e vargëzuar: Rrugë e re ndërkombëtare/ Çukë-Korfuz me kamardare”.
Sot ky mund të duket një vargëzim pa kuptim, por në të djeshmen e para viteve ‘90, kaptimi i brigjeve ishte një ëndërr e çmendur dhe një lojë e rrezikshme me jetën. Prapëseprapë, sa e sa djem e burra të rinj, ia shaluan ëndrrës për ta “tradhtuar Atdheun” përmes notimit nëpër Kanalin “e mallkuar” të Korfuzit. Dikush ia doli me kamardare, dikush duke notuar milje të tëra, me trupin e lyer me graso, për t’u rezistuar ujërave të ftohta dhe natës pus dhe kallkan. Të tjerë, më të shumtët, dështuan dhe e pësuan. Prozhektori i kufirit, patrulla detare, plumbin që në ujë, apo zvarritjen e trupit për së gjalli në rrugët e Sarandës…
E prapë lajmet e arratisjes së radhës drejt Korfuzit, asnjëherë nuk munguan.
Një matematicien i quajtur Petro, që rropatej nëpër Sarandën e mbase 60 viteve më parë, i marrë nga një shumicë si “i luajtur mendsh”, me sytë e ëndrrës shihte dhe fliste si “përçart”, për një urë që do të ndërtohej e do të bashkonte brigjet e Sarandës me ato të Korfuzit përballë. Matematicien kishte qenë, por të tërë i thoshnin inxhinjer Petrua. Nuk mbeti njeri pa dëgjuar për marrëzinë e Petros “së marrë”. Por ja që ai nuk paskësh qenë një fantazist i çartur, por ishte parakoha e tij dhe jona.
Me gjasë, këtij “paradoksi” i kaloi parakoha dhe i erdhi Koha. Koha kur idetë për ekonomi dhe turizëm përtej kufijve, vijnë edhe në trajtën e propozimeve dhe ofertave për zhvillim, duke “çarë” male me tunele e duke ngritur ura për të bashkuar brigje.
Superlajmi i një viti më parë (29 korrik 2021) ishte lidhja e segmentit final të Urës që bashkoi zyrtarisht dy vijat bregdetare të Kroacisë. U përjetua si shumë solemn përurimi i hedhjes së segmentit 165 të urës me konstruksion të çeliktë mbi Adriatik, pasi me këtë investim u tha se po shkruhet histori e re në Kroaci, ku për kalimin nga një breg në tjetrin, përdorej vetëm trafiku ajror. Pas 5937 ditëve punë për ndërtimin e urës 2.4 km të gjatë, nga kompania kineze CRBC, përurimi i bërë një vit më parë, ishte edhe një spektakël fishekzjarresh. Kryeministri kroat Andrej Plenkoviq do ta vlerësonte urën “me interes strategjik të popullit dhe shtetit kroat”, pasi realizon ëndrrën për të lidhur dy brigjet e Adriatikut.
E pritshme është që fundi i korrikut të sivjetëm të shënojë edhe fundin e urës 2.4 km të gjatë mbi Adriatik, investim që ka kushtuar 420 milionë euro, 85% e të cilave janë financim i BE.
Përtej shifrave, ky investim përkthehet kështu: qytetarët dhe turistët që duan të vizitojnë qytetin e vjetër të Dubrovnikut, shmangin kalimin dhe pikat e kontrollit mes Bosnjës dhe Kroacisë.
CRBC, po ajo kompani kineze, që ndërton Urën mbi Adriatik, e sprovuar për rrugë dhe ura, mësohet se ka nxjerrë nga sirtari një tjetër projekt për Ekonominë dhe Turizmin rreth nesh, mbi Jon. Në pikën më të ngushtë, Korfuzin dhe Sarandën i ndajnë jo 2.4, por 2 km. Në mbrëmjet e pastra e të qeta, zërat dhe zhurmat përcillen përmes kanalit, aq sa dhe fenerët e makinave mund të shihen nga bregu përballë.
Të gjitha këto kanë inspiruar
Royal Haskoning DHV që të ofrojë projekt për urën 2 km Sarandë-Korfuz, investim ky që mendohet me impulse të fuqishme në rritjen e turizmit dhe fuqizimin e ekonomisë midis Sarandës dhe Korfuzit.
Propozohet, pra, Hekurudha ose Ura Sarandë-Korfuz prej 2000 m, që është më e shkurtër se Ura e Peleshacit në Kroaci, kundrejt një kostoje 200 milionë euro Shqipëria dhe 200 milionë Korfuzi.
Milionat, sidomos kur janë euro, janë të frikshme në shifra.
E, derisa ato të bëhen aq sa nevojiten për Urën, ofrohen ide e projekte edhe më “tokësore”. E tillë është ajo për ndërtimin e Urës së Biçikletave, që lidh Shqipërinë me ishullin e Korfuzit, me gjatësi 2 km. Nis nga Ksamili dhe përfundon në bregun tjetër, në vendin e quajtur Ajiu Stefano (Shën Stefani). Ura e Biçikletave ndërtohet në më pak kohë dhe kushton shumë më lirë se sa për automobila. Forma e Urës është menduar të jetë në trajtën e vezës në pozicion horizontal, për t’u bërë ballë erërave me aerodinamikën e saj, apo si hunda e aeroplanëve.
Sarandë-Korfuz me biçikleta? Nuk duket të jetë edhe aq utopi.
Kur Mezokanali është përshkuar me kamardare, nga trupa të lyer me graso dhe nën fashat e dritave të prozhektorëve patrullues, nën rrezikun e humbjes së jetës apo të marrjes së damkës “tradhtar”, kalimi mbi të duke pedaluar, është si t’ia kesh shaluar kohëve të reja, që botën e bëjnë gjithnjë e më lehtësisht të arritshme.

Related Posts

Leave a comment