Uzina Dinamo, Rruga Memo Meto, Tiranë

PUNËTORI I PENËS NË QYTETIN E ZEMRËS

313431782_10223067292483547_5022103186112400083_n

Thoma Nika

“Punëtor i Penës”. Nuk do të kishte togfjalësh më të gjetur, për të tipizuar atë që është Panajot Zoto. Ai është duke “shtrydhur” të famshmin e Bllokut të Gazetarit dhe është duke iu kthyer përjetimeve e personazheve që takoi e njohu rrugës së gjatë me gazetarinë, për të na i kthyer në tituj e volume librash. Një libër i shkruar si ditar për 1997-ën, një roman i ngritur mbi një rrëmbim personi, një vëllim me tregime, pastaj një rrëfim për dekadat e kontributeve në shtypin e shkruar në dy sisteme. Nuk mbaron këtu: Edhe një tjetër roman, titulluar “Inspektori K”. Një korpus i tërë, në fakt. Por ndodh që atje ku mbaron një promovim i librave të Panajotit, atje bëhet publik se “në ingranazhe” botimi është një tjetër dhe “në magjen” e Panos gatuhet libri vijues i kolanës së tij.
Këtë u tha, mes të tjerash, gazetari, publicisti dhe shkrimtari Panajot Zoto, gjimnazistëve delvinjotë, që kësaj të diele i dhanë përmbajtje kulturore, duke marrë pjesë në promovimin e dy prej librave, që mbajnë autorësinë e tij: “Të jetosh me lajmin, të rrezikosh për të vërtetën” dhe “Vdekja e një bote”.
Pse në Delvinë? Përgjigja e Panajotit ishte shpirtërore: Në Delvinë, tha ai, jam në qytetin e zemrës.
Në një ditë të Tetorit të Librit, pashë një rini të interesuar për të mësuar, djem dhe vajza që shfaqin dashuri për Librin e pasion për Leximin dhe respektojnë shkrimtarin. E atyre të rinjve Panajoti u foli duke e kthyer memorjen në Delvinën e Rinisë së tij, mbushur me punë, me projekte dhe realizime kulturore e duke bërë art, estradë, anketa muzikore e festivale në kushte modeste. Me pretendime ndaj vetes, por edhe me ëndërrime të mëdha.
E para e Qytetit, Majlinda e Bashkisë së Delvinës, që ka mbetur “bio” në ca gjëra, ishte aty edhe si mësuese e letërsisë së Gjimnazit me emrin e Kryeministrit të parë të Shqipërisë, delvinjotit Sulejman Delvina. Fjala e saj ishte plot sinqeritet për mbështetjen e krijimit dhe krijuesve. Dhe plot mirënjohje për ata që ajo i llogarit si asete të Delvinës. Përfshirë Panajot Zoton.
Kolegu Sofokli Mekshi do të fliste për shumë rrugë të bërë së bashku me Panajotin dhe me mua, për t’i dhënë lexuesit një gazetë që, megjithëse mbante “kapele” partiake, të mos bëhej për kupolën, por për njerëzit dhe personazhet e dashur. Kësisoj, edhe “Fitorja” ishte bërë e dashur. Kjo lëndë jetësore dhe fate njerëzore, të hasura në rrugëtimin me gazetarinë, na kthehet tani e na vjen në tituj librash. Për bllokun e pahequr të gazetarit, edhe kur Panajoti nuk bënte gazetarin, do të tregonte edhe mësuesi Thoma Cerro, i mirënjohur ndër delvinjotët.
Mësuesja e letërsisë Natasha Xhelili dhe shkrimtari delvinjot Xhevdet Ahmeti, i dhanë në reçensat e tyre, vlerësimet për librat e Panajot Zotos.
Piktori talent Lefter Çeko, foli me praninë dhe me heshtjen e tij në promovim. Sidomos me autorësinë e zgjidhjes grafike plot fantazi e finesë, që gjejmë në kopertinat e librave që firmos Panajot Zoto.

Related Posts

Leave a comment