Uzina Dinamo, Rruga Memo Meto, Tiranë

Për Teodor Kekon pas 19 vitesh

d648a26e-d405-4b42-ac4f-c65a2be05141

Nga Aleksandër ÇIPA-

U bënë 19 vite që vijojmë jetën tonë të shprishur e të normalshme njëherësh, Dor. Një ditë më parë, të kujtuan disa që nuk renditeshin në shkallën e parë të miqësisë dhe kohëndenjes së shpeshtë me ty. Respektuan kohën kalendarike të 19 viteve, në të cilat nuk ke mundësinë për shfaqje fizike, për t’u ulur në kafen tënde të preferuar “Europa”, që ende është aty ku e ke lënë, apo tek ” Bar West”- i që është matanë Lanës, por pa asnjë lidhje me atë që ishte ndanë parkut “Rinia”.  Shumë miq të tu kanë ardhur në atë vis të Askundit dhe shumë të tjerë kanë humbur nëpër skaje të Botës. Por si në kohën dhe vargun tënd kanë mbetur dhe janë shtuar: “Vajzat (që) fshinë lotët e kthjellta”.
Dori i dashur, koha fizike e mungesës tënde ka moshën e një maturanteje të lauruar.
Prova e prezencës tënde të pahumbur ndër miq është po më tepër e bukur dhe fisnike. Ndër ne e nëpër Tiranë ka :” Shumë pikëllim dhe shumë bukuri… Nganjëherë duket se pikëllimi ka më shumë forcë se ç’mund të durojmë, por pastaj qetësisht forcohet e bukura dhe sërish prek shpirtin tonë.”, siç mundet ta përshkruajë austriaku i letrave, Hugo von Hoffmannsthal.
Megjithatë, në këtë moshë mungese kaq të re, kanë ngjarë shumë ” e të tjera”, sa do të duhej sqima e së thjeshtës tënde të bukur, për ta shkruar. Ti je bërë gjysh me kohë dhe dy djemtë e tu, Martini dhe  Elio, kanë fituar provën e burrërimit sipas parashikimit tënd dhe pamjaftueshmërisë së bukur, të kërkuar prej Xhulit. Se siç e ke parathënë vetë tek poezia “PRINDI”:
“Dhe thotë: Lufto për një emër,
se emri ka brenda një zemër,
dhe zemra mban vetëm një emër!( Teodor Keko, 1985)
Cili prind nuk do mrekullohej kur do ta lexonte këtë poezi të Dorit tonë… dhe cili nga ne të gjithë nuk do ta mësonte atë përmendësh.?! … “Në luftë për një emër, që mban brenda një zemër”.

Dor i dashur, para dy ditësh ndërsa po shfletoja poezitë e tua gjeta ” Mbrëmja e fundit”. :
“Dikush mësues do të bëhet nesër,
kush redaktor e gazetar,
Akademia e Shkencave, me siguri,
Shabanin do ta marrë.”( Teodor Keko, 1983). Pas gati 37 vitesh profecia jote për mikun dhe të vlerësuarin tënd Profesor Shaban Sinanin është bërë realitet. E le të shkruar në poezi dhe sot në mungesën dhe humbjet e mëdha të shoqërisë tonë, pakkush mund të ketë vëmendje për kësi meritorësh.
“Thuhet se poeti është terapeut i madh. Në këtë kuptim puna poetike është njësoj si yshtja, domethënë sikur të bësh magji, ndryshe, të përtërish. Të shkruash një poezi do të thotë të shërosh plagën e thellë, plagosjen e rëndë. Sepse të gjithë jemi të plagosur.”,- thotë Alehandra Pizarnik. Si e thënë për misionin dhe punët që bëre në gjallimin tënd poezishkrues, Dor. Duke dashur të të riktheja në kujtesën time si mik i përveçëm dhe mik mes dy familjeve tona doja të takoja Bejten, por gjendem në Sarandë dhe i kërkova Ben Ujkës diçka, të cilën ma nisi thjesht në telefon:
” Sandër të përshëndes …!
Dori ka qenë shumë për mua që në fëmijëri…Mund të them se ka qenë një dritare e hapur drejt Perëndimit dhe kulturës në përgjithësi….Kanë pasur në shtëpi një bibliotekë shumë të pasur nga ku unë kam përfituar dhe lexuar shumë libra të ndaluar dhe jo…një pjesë të të cilëve m’i sugjeronte Dori….
Më pas rrodhën vitet ….dhe rrinim shpesh dhe pinim birra së bashku…Më kujtohet se ai edhe gjatë kohës kur rrinim për drekë ose darkë, së bashku dhe me miq të tjerë, ose kur rrinim dhe për kafe…nqs dikush nga të pranishmit thoshte ndonjë frazë interesante, merre një kartpicetë dhe e shkruante që të mos e harronte. Këtë e bënte shpesh….
Nuk përmendte ndonjë batutë të veçantë por kur më shikonte që po vija thoshte….”oo erdhi Benko vogël”….dhe për vete kur leje takim në një orë të caktuar dhe vonoheshe, kur takoheshim të thoshte…”pse e le të presë Dorin e vogël se kishte dhe punë të tjera…”E kishte si shprehje…
Bisedonim për shumë tema edhe për rendin bisedonim shpesh…
Sandër një gjë nuk do e harroj kurrë : Që Dori për mua ka qenë një mik shumë i mirë dhe i rëndësishëm, i cili ka pasur ndikim dhe në formimin tim….
… të përshëndes…”
Dori ishte miku që linte gjurmë jo vetëm në kohët e bashkëqëndrimit në tavolina, por në mendjen e miqve kur ngriheshin prej tyre. Sepse siç e thoshte vetë për dashurinë universale që  mbarte, “….Po s’jam buzëqumësht, jam esnaf,/
për dashuri di plot dredhi!”
Në Konferencën e Talenteve të Reja në Korçë në vitin 1990 fjala e Dorit rrëmbeu krejt duartrokitjet e letrarëve të rinj, mes tyre edhe unë që kisha mbërritur nga Gjirokastra. Gjuha e drejtëpërdrejtë e vizatimit të mjerimit të kohës që shembej nga propaganda e mospasjes që mburrej për pasje, e ngriti në sytë tanë Dorin e vogël, në një burrë me mustaqe bohemi. Pas asaj fjale shumëkush mësoi se diçka prej kohe të madhe ndryshimi, po paralajmërohej. Dhe kur erdhi ajo, Dori nuk e humbi gravitetin, por peshoi si bohem i dashur dhe i mençur si ” një gur me peshë të vet, në vendin e vet” mes shumë gurësh që as në vend dhe as në peshë të tyre, s’qenë.  E shpalli gjithherë groteskun e vet ndaj tyre, pa kompromis dhe me qesëndinë e antiabsurdit fisnik. Dori i vogël shkëlqeu si i rrallë, duke peshuar dhe qenë përherë  i veshur me thjeshtësi. Witmani do të na ndihmonte  t’ia realizonim portretin e qenies, shpirtit dhe ndërgjegjes reale që mishëronte Dori ynë i pahumbshëm, prej 19 vitesh i munguar.
“Mos pusho së besuari se fjalët e poezisë mund ta ndryshojnë vërtet botën. Të bëhet ç´të bëhet, thelbi ynë mbetet i paprekshëm. Jemi qenie plot pasion. Jeta është shkretëtirë dhe oaz. Na shemb, na lëndon, na mëson, na kthen në protagonist të vetë historisë sonë. Edhe kur era fryn kundër, vepra e fuqishme vazhdon: ti mund ta bësh një strofë. Mos pusho kurrë së ëndërruari, sepse tek ëndrra është liria e njeriut…”
Dori ishte miku ynë që kishte dhe shfaqte më shumë liri qytetari. Nuk e gëzonte veç për vete dhe nuk e lozi vetëm për veten. Por ai e shfaqi dhe e shpërndau ndër miqësi dhe lexues suksesshëm si murg dhe lojtar, si poet dhe rebel, si dashnor dhe arrakat, si burrë i gotës dhe ndjeshmërisë deri në lot. Dori, duke mos e humbur raportin me tokësinë, na kumtoi ne miqve të vegjël të tij në një kohë paqëndrueshmërish të mëdha se duhet të mbeteshim dhe rrezistonim optimistë. Ai e kishte bindje të brendshme se çdo imponim mbi shpirtin dhe të drejtën e njeriut, ka efektin akumulues dhe destinacionin e pandalshëm të shpërthimit ndryshues. Njeriu ka diçka të përbashkët me eksplozivin, kur privohet shpirti dhe sidomos, liria e tij, na kumtonte Dori. Ndërsa te bari i ” Koha jonë”, tek ish restorant ” Durrësi” bashkë me Bejten, Tik Dostin etj., etj, përfitonte nga rroga paradhënie dhe njohja e veresies së shpenzimit, prej botuesit atipik Nikollë Lesi.
Mosha e mungesës së Dorit mes nesh është e re, por shumë e gjatë. Vetëm në gjatësi mungese do të gjendemi përherë me të, derisa…. Por në atë Askund të qenies fizike ku, me kohë dhe ndërkohë, kanë mbërritur e mbërrijnë miq e adhurues të tij, me siguri ka ndodhur edhe madhimi moshor i imagjinuar i Dorit. Tashmë jeta e gjallë me kohë e ka bërë e shpallur gjysh, por tek kujtesa jonë, Dori çuditërisht na mbimbetet si Dori me mustaqe por pa pleqëri.
Në kohën e 19 viteve të të qenit të tij në amëshim, tek ne mbetet i pandryshuar imazhi i tij, ngjashmërisht si me disa peizazhe apo pjesë të natyrës.

Sarandë më 21 gusht 2021

/Arberianews.net

Related Posts

Leave a comment